Kreu i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi, garanton se pas zgjedhjeve të 25 qershorit formacioni politik që drejton do të jetë forcë qeverisëse.
Idrizi thotë se kushti i vetëm që do të vendosë PDIU për të bashkëpunuar me partitë e tjera, është progresi i Çështjes Kombëtare dhe asaj Çame.
Në intervistën dhënë për gazetën “TemA”, ai fokusohet edhe tek marrëveshja Rama-Basha të cilën e cilëson si mjaft të dëmshme për partitë e vogla, duke përjashtuar këtu PDIU-në, të cilën nuk e konsideron si forcë të vogël politike.
Ndërkohë, Idrizi ndalet edhe tek përplasjet politike që ka pasur së fundmi me kandidatin e Partisë Demokratike për qarkun e Vlorës Dashamir Tahiri.
Idrizi e quan vendimin e tij për të kandiduar krah si kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule, tradhti kombëtare. Për liderin e PDIU-së nuk është aspak e drejtë që në listat e Partisë Demokratike gjendet në vendin e tretë një minoritar grek dhe në të pestin një çam.
Zoti Idrizi, Çështja Kombëtare është në fokus të programit që i keni prezantuar shqiptarëve. Ndërkombëtarët sa herë flitet për të shprehen kritikë. Si keni menduar juve ta zgjidhni në këto kushte?
Është e vërtetë Andrea që në themelin e programit të PDIU-së qëndron Çështja Kombëtare, ku si e para për zgjidhje sipas nesh është Çështjen Çame. Ju më thoni se ndërkombëtarët janë kritikë në këtë pikë. Për mua është e para herë që unë e dëgjoj, sepse pikërisht ndërkombëtarizimi i Çështjes Çame tregon krejt të kundërtën. Pa dashur të bëhem përsëritës, po theksoj që është komisioneri për zgjerim në Bashkimin Evropian, Johannes Hahn që e ka vlerësuar Çështjen Çame si një problem i pazgjidhur mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ai, jo vetëm nuk ka qenë kritik ndaj ndonjë force politike që përkrah këtë çështje, por ka qenë kritik ndaj Athinës zyrtare.
Por ama ju kujtoj se sa herë është folur për nacionalizëm ata janë treguar mjaft të rreptë…
Andrea, ne jemi një parti kombëtariste, jo nacionaliste. E shohim bashkimin kombëtar të natyrshëm dhe të domosdoshëm, por nuk kemi ngritur grupe paramilitare për të realizuar programin tonë. Ne besojmë në fuqinë e demokracisë dhe politikës për të gjetur zgjidhje edhe në çështje që në vështrimin e parë mund të duken të pamundura. Ndaj, nuk shohim ndonjë problem në komunikimin tonë me ndërkombëtarët, përkundrazi. Ne mbajmë raporte shumë të mira me të gjithë përfaqësuesit e tyre në Tiranë, Bruksel, Uashington dhe gjetkë.
Që në themelimin e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet ju erdhët me premtimin për zgjidhjen e Çështjes Çame, e cila ishte baza e kësaj lëvizje politike. Sot, kanë kaluar disa vite, mund të na thoni se cilat janë hapat konkretë që keni hedhur drejt zgjidhjes së saj?
Krijimi i kësaj force politike vjen si shpallje në politikë e aspiratës së shqiptarëve të Çamërisë dhe jo vetëm për zgjidhjen e çështjes së tyre. Punojmë ditë për ditë për ta zgjidhur këtë çështje, por jemi të ndërgjegjshëm që nuk mund të dalim dhe të themi se zgjidhja e Çështjes Çame do të bëhet brenda një apo dy mandateve parlamentare, sepse dinamika, dimensioni dhe specifika e saj nuk mund të maten me këto njësi kohore.
Pse nuk ka pasur progres zgjidhja e Çështjes Çame? Nën optikën tuaj ku ka përparuar zgjidhja e saj?
Pa dyshim. Më sipër ju përmenda ndërkombëtarizimin e saj në Bruksel, por kemi më në fund një Rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë. Falë nesh forcat kryesore politike në vend e kanë përfshirë në programin e tyre, madje të qeverisë. Jemi duke punuar ngushtësisht me një studio të madhe ligjore në Londër, ndërsa po të ndiqnit Kongresin tonë të para një viti do të kishit parë dhe një raport të detajuar ligjor si po ecim në këtë fushë.
Kemi përgatitur një material të plotë me dëshmitë e të mbijetuarve të genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, sepse kudo kërkohen fakte dhe jo retorika. Jemi në përmbyllje të censusit të pronave, të pasurive që u janë grabitur çamëve si pasojë e genocidit. Kemi organizuar dhe do të vazhdojmë të organizojmë në bashkëpunim me Shoqatën “Çamëria” simpoziume shkencore, studime të mirëfillta për ta bërë njohjen e Çështjes Çame jo vetëm ndërkombëtare, por edhe në Shqipëri, sepse jo rrallë brenda vendit tonë ka komplekse inferioriteti ndaj një padrejtësie të këtillë kombëtare, siç ka pasur dikur ndaj Kosovës e kështu me radhë.
Analistë të ndryshëm argumentojnë shpesh herë në media që Çështja Çame është thjesht një kauzë e shfrytëzuar prej forcës suaj politike veç për zgjedhje elektorale. Keni një koment për këtë?
Po çfarë komenti prisni prej meje? Unë këto zëra si në Shqipëri, si në Greqi i vlerësoj lart, sepse me shpirtgushtësinë e tyre, negativitetin dhe armiqësinë që kanë krijuar, në një farë mënyre vetëm sa e kanë ndihmuar Çështjen Çame që të bëhet edhe më popullore, edhe më ndërkombëtare. Ndaj, nuk dëshiroj aspak të polemizojë me ata që i kam quajtur “idiotë të dobishëm”.
Cilat janë premtimet e realizuara të PDIU-së në këto vite?
Ndërkombëtarizimi i Çështjes Çame. Futja e Çështjes Çame në agjendën për zgjidhje mes Tiranës zyrtare dhe Athinës zyrtare. Futja e Çështjes Çame në agjendën e Brukselit.
Mos lejimi i shpërbërjes së familjes, duke mos lejuar në Kuvend kalimin e ligjit për martesat e së njëjtës gjini. Hapja e betejës së dekomunistizimit të shoqërisë. Ushtrimi i presionit pozitiv për hapjen e dosjeve që solli një ligj dhe një Autoritet shtetëror për hapjen e tyre. Ndoshta do na pëlqente që ky ligj të ishte si e donim ne, por gjithsesi një hap përpara është. Reforma administrative, e cila me përfshirjen tonë nuk lejoi krijimin e një Vorio-Epiri në Shqipëri, por krijoi Bashkinë e Çamërisë, Konispolin dhe Bashkinë e minoritarëve, Finiqin dhe mbi të gjitha konfiguroi Bashkinë e Himarës si e kemi sot.Reforma në drejtësi, në të cilën jo vetëm që morëm pjesë, por nuk e kushtëzuam kurrë votën e PDIU-së për privilegje në qeverisje, por patëm vetëm një interes përparimin e saj të shpejtë dhe pa pengesa artificiale.
Megjithatë, ka ende shumë për të bërë, veçanërisht në planin e zhvillimit ekonomik të vendit.
Që pas shpalljes së listave të Partisë Demokratike, janë intensifikuar retorikat mes jush dhe zotit Dashamir Tahiri. Pse gjithë ky “mllef” ndaj njëri-tjetrit?
Nuk ka as retorika, as polemika. Unë thjesht i kam kujtuar zotit Tahiri se po mban në shpinë, kalipiç Vangjel Dulen, të cilin kërkon ta bëjë deputet me votat e çamëve të Vlorës. Nuk kam dëgjuar kurrfarë replike nga zoti Tahiri, i cili duket nuk bën dot zë prej peshës së rëndë që ka marrë në kurriz.
Unë po them një të vërtetë se si po kërkojnë të përdorin votat e shqiptarëve të ndershëm dhe patriotë për një listë që më duket fyese dhe e padenjë, teksa në vendin e tretë gjendet një grek që nuk ka lidhje fare me atë zonë elektorale dhe i pesti një çam. Thjesht, po i kërkojmë zotit Tahiri të mos bëhet pjesë e kësaj tradhtie kombëtare që rëndon jo vetëm tek ai, por edhe tek të rënët tanë të përbashkët.
Zoti Idrizi, ndalemi pak tek marrëveshja Rama-Basha. Në gjykimin tuaj bëhet fjalë për marrëveshjen që ju servir të gjithë shqiptarëve apo bëhet fjalë për një marrëveshje të fshehtë mes tyre?
Në fakt, unë dhe PDIU kemi qenë nxitës të paepur të një marrëveshje. Në kulmin e krizës politike, ne propozuam një Pakt Kombëtar që shkonte përtej një marrëveshje dypalëshe, por zgjerohej në të gjithë ambientin politik shqiptar për çështje themelore si reforma në drejtësi dhe proceset integruese të vendit. Pothuaj i gjithë Pakti Kombëtar i propozuar nga PDIU u plazmua më vonë në Paketën Mc Allister dhe për këtë jemi shumë të kënaqur. Sinqerisht, ndjehem mirë që sot në zgjedhje marrin pjesë forcat kryesore politike në vend, por dhe kësaj here nuk shpëtuam dot nga marrëveshja e minutës së fundit dhe pa dëshmitarë, ndaj nuk di ta vlerësoj këtë marrëveshje si okulte apo jo. Kjo ka për t’u parë më qartë pas zgjedhjeve, por mendoj se këto ditë të fushatës nuk duhet të përqëndrohemi si ishte cilësia e marrëveshjes, por si t’i bindim shqiptarët të votojnë masivisht, drejtë dhe t’i garantojmë ata që vota do t’u numërohet ndershëm.
Flitet se përmes kësaj marrëveshje synohet eleminimi i forcave më të vogla. Ju sa të rrezikuar ndjeheni?
Është padyshim një marrëveshje që dëmton forcat më të vogla politike, sepse zhduku koalicionet dhe ndryshoi rregullat e lojës, pa ndryshuar asgjë në ligjin zgjedhor dhe standartet e zgjedhjeve.
Sa i përket PDIU-së nuk ka ndonjë ndryshim të madh, nëse paraqiteshim kështu në zgjedhje apo në koalicione, përkundrazi. Ne jemi një parti me mbi 100 mijë vota, ndaj nuk e konsiderojmë veten të vegjël. Madje, kësaj here na jepet shansi që votat tona mos të shërbejnë të shtojnë mandatet e forcës së madhe, me të cilën mund të ishim në koalicion, por do krijojnë një grup jo të vogël parlamentar për PDIU-në.
Nëse asnjë prej forcave politike nuk arrin të fitojë 71 mandate, a do të bëjë PDIU koalicion paszgjedhor?
Për një gjë jam i bindur, pas zgjedhjeve PDIU do të jetë forcë qeverisëse. Mandatet tona do të diktojnë pa dyshim një bashkëpunim qeverisës. Por, ne kemi vetëm një kusht; bashkëpunojmë vetëm me ato forca që punojnë për Çështjen Kombëtare dhe garantojnë përparimin e Çështjes Çame duke e përfshirë atë në programin e qeverisë.
Këtë mund të them sot, sepse llogaritë me 71 mandate apo më pak nuk më pëlqejnë, pasi nuk janë real-politikë, por janë strategji elektorale që zgjedhin parti të ndryshme në këtë fushatë.
Ne kemi zgjedhur të bëjmë fushatë me programin tonë të shpallur dhe duke mos deliruar.
Intervistoi: Andrea Danglli/Tema