Nga Boldnews.al
Kryeministri Edi Rama ka raporte jo fort të mira me ato që ai i cilëson si “kazani mediatik”. Por javët e fundit, kemi parë vetë Ramën të marrë pjesë në disa media “kazane” dhe emisione të cilat jo vetëm e kanë sulmuar, por edhe denigruar duke i nxjerrë të gjitha të palarat.
Në një taktikë të përpiluar nga mëkëmbësi i tij, Endri Fuga, kryeministri Edi Rama ka pranuar të përballet me gazetarët kritikë, të pranojë ofendimet, të pranojë që ka bërë gabime, vetëm e vetëm që audienca të fokusohet tek ai.
Rama po ecën me idenë se “një reklamë e keqe është një reklamë e mirë”, por kjo kurrësesi nuk mund të vlejë për të parin e vendit, Kryeministrin e Shqipërisë. Shfaqjen e parë televizive dhe të papritur, Rama e bëri tek emisioni “Të Paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi në News24. Ftesa në këtë televizion ishte bërë më shumë se 10 herë në harkun e 3 viteve, por kryeministri Rama kishte refuzuar pasi ndjente panikun e përballjes.
Më 6 prill 2017, papritur Rama pranoi për herë të parë të bëhet pjesë e emisionit “Të Paekspozuarit”, 3 muaj përpara zgjedhjeve të 25 qershorit, përballë Ylli Rakipit dhe por jo analistëve Andi Bushati dhe ish mikut të tij Fatos Lubonja. Në mbi 3 orë debat, Rama u bë për ujë të ftohtë, duart i dridheshin shpeshherë ndërsa në disa raste u kap gafil duke mashtruar. (Rasti i publikimit të videos së Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj për 300 mijë vendet e punës)
Rama iku me bisht ndërshalë nga emisioni “Të Paekspozuarit”, por nga pas morri edhe një sukses ku vetëm në facebook kishte mbi 1.1 milion shikues. Kryeministri hodhi pas krahëve të gjitha akuzat që i ishin bërë publikisht nga emisioni i Ylli Rakipit, duke nisur nga grabitjet e fondeve publike, mashtrimi me rilindjen urbane, mbështetja e oligarkëve, dështimi i reformave më të rëndësishme, afrimi i deputetëve kriminelë e deri tek psikoza e Ramës me veprat e tij artistike.
Por “Të Paekspozuarit” nuk ishte sfida e vetme e Ramës…
Të enjten e 1 qershorit 2017, Rama ishte pjesë e Opinion të Blendi Fevziut. Nuk ishte një debat i lehtë, por kryeministri pranoi të quhej nga moderatori si homoseksual apo mashtrues, vetëm që të kishte vëmendjen maksimale të audiencës. Dhe këtë qëllim e arriti! Portalet folën atë ditë vetëm për ofendimet që i ishin bërë kryeministrit, ndërsa sfumoi rivalin e tij Lulzim Basha i cili ishte i ftuar në Top Channel.
Më 4 qershor 2017, në mbrëmje, Rama për herë të parë si kryeministër i Shqipërisë morri pjesë edhe në një portal lajmesh, Syri.net të gazetarit Çim Peka. Ky i fundit nuk ka lënë gjë pa nxjerr nga goja dhe shkruar nga dora për kryeministrin Rama, madje ka shkuar deri atje duke e nxjerrë kreun e qeverisë si të droguar. Qindra mijëra vetë e panë, dhe kryeministri arriti të krijojë perceptimin se është njeri i lirë, që pranon mendim ndryshe, pranon kritika dhe se është tolerant.
Të premten, më 9 qershor 2017, kryeministri Rama do të jetë për herë të parë i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit. Edhe ky është një nga ish miqtë e Ramës, por që prej vitesh është përbetuar si njeriu që e urren më shumë. Natyrisht, që doza e ironisë dhe talljes së Çanit pritet të jetë e lartë përballë kreut të qeverisë, por Rama sërish do të ulë kokën dhe do të shohë përpara, pasi i duhet “suksesi”.
Të enjten, më 15 qershor 2017, pritet të jetë përballja më e fortë e Ramës në një media televizive. Ai ka pranuar të jetë në emisionin “Të Paekspozuarit” në News24, përballë Ylli Rakipit dhe dy analistëve Andi Bushati dhe Fatos Lubonja. Kjo pritet të jetë sfida më e vështirë e Ramës por gjithashtu edhe diskritimi i tij më i madh publik, vetëm për të fituar famë dhe audiencë. Lubonja, i cili ka analizuar gjerësisht edhe anën psikike të kryeministrit, ndërsa Bushati që e cilëson si Ramën si simbolin e korrupsionit dhe krimit në vend, do të tërheqin jo pak vëmendjen në këtë emision televiziv.
Rama po bën taktikën e tij, ka vendosur të gjunjëzohet për të fituar audiencë dhe për të lënë jashtë ekraneve kundërshtarët e tij politik. Por Rama individ po turpëron edhe pozicionin e kryeministrit, i cili është kthyer në një klloun cirku, vetëm e vetëm për të fituar audiencë.