Nëse qytetarët shqiptarë do të votonin sot për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, Partia Socialiste do të fitonte zgjedhjet me 43% të votave.
Rezultatet e sondazhit të parë për votën kombëtare i realizuar nga Ora News dhe IPR Marketing rendisin forcë të dytë Partinë Demokratike me 36%, pas saj vjen Lëvizja Socialiste për Integrim me 12% dhe LIBRA me 2.3%
Sondazhi është realizuar në datat 29 dhe 30 maj. Janë pyetur 2002 persona. Në anketim janë të përfshirë dhe votues për herë të parë. Marzhi i gabimit është +/- 2.5%.
Në një lidhje me skype nga Italia tha për Tonight Ilva Tare, Antonio Noto tha se: “Interesante janë krahasimet me zgjedhjet e 2013, PS është rritur me 1.7%, ndërsa PD me 6 pikë. Edhe LSI është në rritje ne nivel kombëtar me 1.5 pikë.Për LIBRA-n nuk mund të bëjmë krahasime se nuk ka qenë në zgjedhje. Ndërsa të gjithë partitë e tjera janë poshtë pragut”.
Rezultatet e sondazhit janë një fotografi e 31 majit, fillimit të fushatës dhe që kjo mund të ndryshojë në ditët në vijim.
Sondazhi: PS fiton Tiranën, pas saj PD dhe LSI. Surprizë LIBRA e Blushit
Zheji: Sondazhi i Ora News dhe IPR Marketing i heq ëndrrën Edi Ramës
Drejtuesi i portalit 360 Gradë, Artur Zhej, duke analizuar të dhënat e sondazhit të Ora News dhe IPR Marketing, thotë se rezultatet i heqin ëndrrën Edi Ramës për të qenë i vetëm në “timonin” e qeverisjes. Ndërkohë, pedagogu Blendi Çeka thotë se është e vështirë që të dhënat e sondazhit të përkthehen në mandate.
Deklaratat në studion e Tonight Ilva Tare:
Çeka: Në rastin e të dhënave kombëtare, ne sigurisht nuk mund të bëjmë përkthim të të dhënave në përqindje të mandateve, sepse jo vetëm do të ishte nivel shumë i lartë abuzimi, por edhe tërësisht e pasaktë. Është orientuese nga pikëpamja e trendit. Partia Socialiste është në nivelin e 43%. Është më lart se 2009 dhe 2013-ta. Është rezultati më i lartë në 10 vitet e fundit nëse do ta marrim si referencë.
Tare: Kjo prodhon rezultate që Partia Socialiste të qeverisë e vetme?
Çeka: Është shumë e vështirë. Varet se si shpërndahet kjo përqindje në çdo qark. Në nivel kombëtar është e pamundur.
Tare: Rritja e Partisë Demokratike me 6%, si shpjegohet?
Çeka: Kam përshtypjen se në nivel kombëtar PD e ka tejçuar mesazhin e koalicionit. Parti të tjera si Partia Republikane kam përshtypjen se bien dhe marrin përqindje shumë të ulëta.
Zheji: Unë nuk e besoj shumë që kjo fotografi e 29-30 majit është një fotografi e besueshme sa i përket trendit opozitar dhe trendit pozitivist që është pasqyruar për partinë në pushtet, PS. Interpretoj pozitivisht rritjen me 6% të Partisë Demokratike dhe ky trend do të vazhdojë në favor të PD-së. Ky sondazh, pavarësisht është një fotografi e pjesshme, realitivisht i besueshëm në kohë, i jep një mesazh shumë të fortë kryeministrit që në Laç jo më larg se sot u thoshte shoferëve se do t’i japim makinës vete.
Sondazhi ndihmon partitë të ndërtojnë strategjinë e tyre elektorale
Analisti, Afrim Krasniqi, vlerëson se rezultatet e këtij sondazhi janë një ndihmë e fortë për partitë politike për të ndërtuar strategjinë e tyre elektorale.
Afrim Krasniqi: Nëse keni parasysh zgjedhjet e vitit 2009, PS mori 10 mijë vota më shumë, por në numër mandatesh PD mori qeverisjen e vendit. E njëjta gjë është tani. PDIU nuk figuron si parti konkuruese kombëtare por në tre qarqe lufton për mandat dhe ne dimë që ka potencial në ato qarqe të caktuara. Nëse shohim LSI, kjo përqindje do të kishte vlerë nëse do të ishte e përqëndruar në tre qarqe që kanë numër të madh mandate deputetësh, si Tiranë, Fier, Durrës. Por nëse ke rritje në periferi do të thotë që nuk arrin dot ta kthesh në numër mandatesh. Në lidhje me opozitën ka një problem madhor. Nëse bëjmë dallimin mes PD dhe PR. PR duket që nuk ka fare potencial për të ndikuar në rezultatin zgjedhor, imagjinoni që PD ka falur një numër të madh mandatesh nga PBDNJ, PAA. Ky lloj sondazhi duhet të shërbejë për të kuptuar që kaëto mandate të falura nuk janë kuptuar nga qytetarët në marrëveshje publike dhe nuk janë shpërblyer në numër votash.Është një ndihmë politike për partitë për strategjinë elektorale. Ndërsa problemi i PS nuk do të jetë nëse kthen 43% në mandate, debati kryesor do të jetë nëse do të jetë i kushtëzuar nga partia e tretë politike apo partitë e vogla. Nëse do sigurojë një shumicë me deputetë të veçantë të partive të vogla do të thotë se e lehtëson shumë për të bërë koalicion nëse ruhet ky lloj trendi.
Pyetjet që u janë drejtuar të anketuarve:
PYETJA 1 “Sipas jush sot në Shqipëri jetohet mirë, keq apo nuk e di?”
Mirë i janë përgjigjur: 45.8 % nga këta PS janë 66.7% PD 23:0% dhe LSI 32. 4 %
Keq: 45.54% nga këta PS janë 26. 3 PD 72.4 % dhe LSI 50. 6 %
Antonio Notto shpjegon: Përcaktimi nëse jetohet mirë apo keq ështe e lidhur me partite. Zgjedhësit e PS thonë se jetohet mirë, ndërsa zgjedhësit e PD thonë se jetohet keq. Pra nuk është një përgjigje që lidhet me kushtet sociale por për përfaqësinë politike.
PYETJA NR 2: Krahasuar me kater vjet me pare sipas jush ne Shqiperi jetohet
PYETJA E TRETE – Cilat janë problemet urgjente që kërkojnë zgjidhje ?
Ndërkohë të pyetur se cilat janë tre problemet emergjente që kërkojnë zgjidhje në Shqipëri, të anketuarit mendojnë se papunësia është problemi kryesor me 67%, korrupsioni me 36.3%, dhe rrogat dhe pensionet e ulëta me 34.7%.
Probleme të tjera që shqetësojnë shqiptarët janë kriza ekonomike, shërbimi shëndetësor, varfëria. Por përkundër kësaj, shqiptarët mendojnë se jetohet më mirë se katër vjet më parë.
Zheji: Këto rezultate rrëzuan qeverinë “Berisha”
Artur Zheji: Në 2013, rezultatet e përgjigjes mbi papunësinë dhe korrupsionit janë pak a shumë sa tani. Pikërisht, përgjigja ndaj pakënaqësisë dhe korrupsionit, rrëzoi qeverinë Berisha dhe shkaktoi rrotacionin që ne pamë. Ndërkohë, me të njëjtin indeks në krahasim me 2013-2017, atëherë duhet të bie qeveria Rama. Ndërkohë, që përgjigja është; jemi më mirë. Nuk jemi më keq.
Noto: Është normale. Në të gjitha vendet ku kryhen sondazhe, në Itali, në Zvicër ndodh kështu. Në momentin që zgjedhësit mund të dalloj shumë gjëra që nuk shkojnë mirë pastaj votojnë për partitë e qeverisë. Nuk është e thënë që në qoftë se shpreh pakënaqësi për veprimtarinë e qeverisë, vota do të shkojë partitë e opozitës. Këto dy gjëra nuk janë të lidhura ngushtësisht me njëri-tjetrin.
Afrim Krasniqi: Numri i qytetarëve të majtë që mendojnë se po shkojnë më keq është më i madh se numri i qytetarëve të PD-së që gjërat shkojnë më mirë. Kjo është interesante. Së dyti, me LSI-në, nga njëra mendojnë se gjërat po shkojnë keq me 50% dhe kur krahasohen me 4 vitet e kaluara, gati po kaq thonë njëlloj. Praktikisht është një pozitë komode për partinë e tretë politike.
PYETJA Kater : Si e vlerësoni punën e qeverisë Rama?
Pozitive 40. 3 % nga këta PS janë 77. 9% PD 2:4% dhe LSI 47. 1 %
Negative: 33.3 % nga këta PS janë 12. 6 % , PD 72. 5 dhe LSI 22. 2 %
Duke komentuar tabelën e sondazheve lidhur me pyetjen: Artur Zheji komenton: Janë shifra akute të një qeverie që ka dështuar në misionin e saj.
Noto: Fushata elektorale sapo ka filluar, të dhënat që japim sot nuk do të jenë të dhënat e 25 qershorit, por e fillimit të fushatës elektorale.Është një fotografi e sotme, e datës 31 maj. Janë dy sondazhe, njëri në nivel kombëtar. Janë 2002 persona të pyetur që u përkasin moshave dhe gjinisë së ndryshme, por edhe shtresave të ndryshme sociale. 52% e të pyeturve janë femra. Sondazhi i dytë është vetëm për Tiranën. Janë pyetur 1000 persona. Sondazhet janë kryer në datat 29 dhe 30 maj 2017.
/Oranews.tv/