Dy herë u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare për kultivimin e kanabisit. Të dyja herët kryeministri Edi Rama refuzoi pjesëmarrjen.
Për të problemi i drogës nuk ka ekzistuar. Në llogaritë e tij, 98 % e sipërfaqeve me drogë ishte asgjësuar.
Në këtë lojë politike me fenomenin më të rëndë kriminal të 26 viteve të postkomunizmit në Shqipëri, Rama përfshiu jo pak ndërkombëtarë. Guardia di Finanza nuk pranoi ta lexonte vetë të ashtuquajturin raport të saj për asgjësimin e kanabisit. Por drejtuesit e saj heshtën kur shifrat e pabesueshme u lexuan në prani të tyre nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako.
Më 25 tetor 2016 Rama deklaronte në një takim me fermerët e Shishtavecit të Kukësit se drogë nuk ka dhe se po të kishte do ta shihte edhe Europa.
“Ku është ky tmerri i drogës që Europa nuk e sheh? A e dini se kemi hapur negociatat me BE?! Si thoni ju, do na ftonte Europa po të ishte situata kështu siç thonë këta (PD-ja). Po ju pyes ju, se e di se ka këtu shumë mbështetës të Saliut…”, iu drejtohej Rama banorëve.
E kush do t’i thoshte mbretit se është lakuriq?
Më 30 shtator 2016 po me disa fermerë, kësaj here në Strumë të Fierit, do të shprehej se sipërfaqja e mbjellë me drogë ishte më e vogël se ajo e Lazaratit.
“Droga, droga, droga. Shqiëpria… Kolumbia… si mund të thuhen këto fjalë. A e kemi ne një problem me kultivimin? Po. A u krijua pasi erdhëm ne në pushtet? Jo. Sepse unë mund t’ju them kaq. Thonë se droga është mbjellë gjithkund nëpër Shqipëri. Por duhet ta dini se sipërfaqja e mbjellë gjatë këtij viti në Shqipëri është më e vogël se sipërfaqja e mbjellë në vetëm në Lazarat”
Edi Rama dhe Ministri i tij i Brendshëm, Saimir Tahiri, që kanë mohuar vazhdimisht fenomenin, nuk kishte si të pranonin atë çfarë lajmëronin shërbimet inteligjente: bashkëpunimin e drejtuesve të policisë me grupet e kultivuesve dhe trafikantëve.
Në tetor 2016 Saimir Tahiri u pyet nga një gazetar i RAI 3, që zbuloi disa plantacione me kanabis në Krujë, nëse ishte e vërtetë që policia merrte 40 % të fitimit nga kanabisi, siç i pononin atij para kameras disa kultivues. Dhe Tahiri e mohoi me një përgjigje cinike.
“Unë do të pyesja: nëse ju në Itali gjeni një plantacion me 180 mijë rrënjë, do të thotë se policia atje është e korruptuar?”
Po në tetor Edi Rama jepte këtë përgjigje në emisionin “Studio e Hapur” kur pyetej mbi dështimin e policisë në parandalimin e kultivimit të mijëra plantacioneve me kanabis.
“Lufta e policisë së shtetit matet me sa ke shkatërruar, nuk matet me sa janë mbjellë”
30 ton kanabis janë kapur vetëm prej largimit të Saimir Tahirit nga Ministria e Brendshme. E përkthyer në rrënjë, janë mbi 60 mijë rrënjë, që për t’u kultivuar, duan qindra mijëra metra katrorë.
Policia nuk i ka parë. Ndërsa Rama e Tahiri i kanë mohuar. Alarmin për kanabizimin e vendit i kanë quajtur si akuza të paqena të një opozite që kërkonte t’i nxite faqen Shqipërisë në sytë e Europës.
Por të dyve përgjigjen ua dha Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në Top Story, mbrëmjen e të hënës.
Fatmir Xhafaj pohoi publikisht se kanabisi u mboll me dijeninë e drejtuesve të policisë.
Xhafaj: Mendoj se jo të gjithë, por disa nga drejtuesit e policive vendore, kanë heshtur, minimalisht kanë heshtur për këtë gjë
Gazetari: 12 ton hashash të kapur në Përmet. A mund të ndodhë në atë zonë, pa dijeninë e policisë?
Xhafaj: Absolutisht. Doni përgjigjen shumë shkurt? JO! Është e pamundur që atje ku mbillet kanabis të mos e shohin banorët, përfaqësuesit vendor, polici i pyjores apo punonjësi i policisë së zonës. E pamundur!
Jo vetëm kaq. Xhafaj thotë se drejtuesit e policisë kanë bashkëpunuar ose janë paguar nga narkotrafikantët.
Xhafaj: Segmente ose pjesë të veçanta, individë të veçantë të policisë, dhe ky është problemi që duhet parë në sy, kanë qenë të lidhura me kultivimin dhe trafikun e hashashit, ose janë paguar për heshtjen e tyre, ose kanë qenë pjesë e këtij presioni që është ushtruar nga grupe kriminale. Pra, është berë o heshtja o bashkëveprimi i tyre në territor.
Fatmir Xhafaj pranon se disa nga këta drejtues të policisë, të lidhur me narkotrafikantët, janë larguar nga detyra.
Xhafaj: Një pjesë e ndryshimeve është lidhur me nevojën e luftës kundër kultivimit të kanabisit. Po!
E gjithë strategjia gati 2 –vjeçare e Ramës dhe Tahirit për të mohuar problemin e kanabisit, edhe kur aleati në qeveri (LSI) i kërkonte të futej ushtria, u shkërmoq në këtë intervistë të Fatmir Xhafajt.
Ai ia faturoi gjithë dështimin paraardhësit të tij edhe kur u duk se e mbrojti me motivin që dha.
Xhafaj: Paraardhësi im ka qenë një djalë i ri kur është ulur në karrigen e ministrit dhe që ka punuar me pasion të jashtëzakonshëm për të bërë gjëra të mira dhe ka bërë gjëra të mira. Ka bërë gjëra të mira në përbërjen dhe arsimimin e policisë së shtetit, por edhe në motivimin e policisë së shtetit. Natyrisht në gjithë këtë përpjekje të madhe dhe pasion ndosht edhe nga mungesa e përvojës ka bërë edhe gabimet e veta. Nëse ai i sheh sot me qetësi do të fliste për arritje pozitive dhe mangësi në punën e tij.
Xhafaj pranoi se kanabisi u shtri në të gjithë vendin dhe zbuloi edhe arsyen se përse Rama e dorëzoi Saimir Tahirin: Ishin ndërkombëtarët që ia kërkuan.
Gazetari: A ishin ndërkombëtarët që ua kërkuan marrjen e detyrës?
Xhafaj: Nuk e mohoj. Edhe me ata kam pasur takime përpara se të vendosja. Meqë ata më garantuan mbështetje pë prioritetet më shtynë që të thoja “po”.
Tani opozita thotë se paratë që janë marrë nga kanabisi i toleruar nga Rama e Tahiri, kryeministri do t’i përdorë në fushatën zgjedhore për të blerë deputetë, siç ka ngritur shqetësimin ambasadori i OSBE.
Rama vazhdon ta mohojë, njësoj siç u tregonte fermerëve nëpër Shqipëri se ajo çfarë shihnin nëpër arat e tyre nuk ishin brazda me kanabis, por mirazhe të krijuara nga balta opozitare, që hidhej pa të drejtë mbi të dhe policinë.