Në një dokument sekret të policisë, të siguruar nga Lapsi.al që ka të bëjë me aksionin e gjetjes së farave të hashashit në të gjithë vendin, zbulohen disa arsye për kultivimin masiv të kanabisit vitin e kaluar.
Sipas analizës së brendshme të policisë, pranohet se zyrtarët e lartë të policies dhe drejtues komisariatesh vunë në krizë besimin e policëve të thjeshtë në punën e tyre, me mosreagimin që patën ndaj situatës. Mungesa e besimit të ndërsjelltë vartës-epror ndikoi në keqmenaxhimin e situatës, që rezultoi me mbjelljen masive të kanabisit në vend.
Një arsye tjetër, sipas raportit të policisë është se grupet kriminale që kultivonin kanabis arritën t’i bindin banorët e fshatrave se kishin mbështetjen e autoriteteve dhe se “kjo veprimtari ishte e ligjshme”.
Në këtë analizë sqarohet se banorët e fshatrave nuk morën pjesë vetë në kultivimin e kanabisit, por vetëm dhanë në përdorim tokën, duke u gënjyer nga grupe kriminale. Raporti konfirmon gjithashtu se grupe kriminale nga Greqia, Maqedonia, Mali i Zi, madje edhe nga Serbia gjetën terren në Shqipëri për biznesin e drogës, duke financuar në masë kultivimin e kanabisit. Dhe arsyeja e fundit, por jo më pak e rëndësishme është mungesa e logjistikës në komisariatet e qyteteve të ndryshme, një fakt që ka penguar punë gjurmuese të elementëve kriminalë.
Burime nga Lapsi.al thanë se në aksionin që ka nisur nga policia do të vihen në kontrolle të rrepta të gjitha serat që janë në vendin tonë. Policët që i kontrollojnë duhet të dorëzojnë fotografi të arave për të vërtetuar që aty nuk po mbillet kanabis. Po ashtu, nën kontrollin e policisë janë të gjitha ato kompani që importojnë fara bimore apo gota plastike dhe ato që tregtojnë pleh kimik.
Operacioni që është shtrirë në të gjithë vendin udhëhiqet nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme.
Veprimet e grupeve të policisë që do të jenë në terren do të survejohen nga oficerët e SHÇBA për të evituar çdo manipulim në terren. Burime nga policia thanë se fara vietnameze e kanabisit dyshohet se u importua në Shqipëri nga Spanja, ndaj qëllimi i aksionit është të parandalohet përsëritja e një situate tjetër si ajo e vitit 2016, kur ka pasur një superprodhim të hashashit/ Lapsi.al