Pak e njohin si Gazmend Braka, sepse reputacionin e krijoi në vitin 1997 si Gaxhai, në kohën kur ishte në rivalitet me Zani Çaushin. 40 vjeçari duket se i është dorëzuar fatit të tij, megjithëse në burg vazhdon të shoqërohet me “të fortë” të tjerë të atyre viteve. Prej 18 vitesh qëndron i mbyllur në qeli.
Është dënuar me burgim të përjetshëm për një seri vrasjesh në qytetin e Vlorës. Është një nga të dënuarit, i cili ka tentuar të paktën tre herë të arratiset. Hera e fundit është ajo e vitit 2005, ku tentoi të largohej nga burgu 302 përmes një tuneli. “Gaxhai” qëndron në sektorin Vip të burgut, aty ku qelitë janë të ndara për secilin nga të burgosurit.
Më poshtë intervista për “Shekullin”.
Cila është dita juaj brenda këtyre mureve?
Jemi mësuar tashmë. Unë u bëra 40 vjeç këtu. Jam futur fëmijë në burg dhe tashmë e di shumë mirë se çdo të thotë të qëndrosh në qeli. Dita është shumë e thjeshtë. Zgjohem në mëngjes, përgatis ushqimin dhe më pas mundohem të bëj pak gjimnastikë. Është fare e thjeshtë.
Konsumoni ushqimin e burgut apo..?
Të them te drejtën nuk konsumoj ushqimin e burgut. Mundohem të gatuaj vet në dhomë. Ushqimet i blej në dyqanin e hapur për institucionin.
Kush është miku juaj më i mirë këtu?
Nuk do ta besoni po të them se mikun më të mirë kam televizorin. Gjatë ditës shkëmbejmë edhe ndonjë bisedë të shkurtër me shokët e sektorit.
Të cilët janë?
Burgu ka shumë të dënuar, por unë ndihem më mirë këtu me Arben Grorin, Taulant Balliun.
Këtu mësova se vuajnë dënimin edhe disa nga pjesëtarët e grupit që t’i drejtoje gjatë vitit 1997?
Po është e vërtetë. Këtu ndodhen. I takoj ndonjëherë.
Sa herë zhvillon takime me familjarët?
Takimet i kam të rralla. Familjen nuk e kam në Shqipëri. Prej disa kohësh ata ndodhen në Gjermani.
Sa fëmijë keni?
Kam tre fëmijë. Vajzën e madhe e kam 16 vjeçe dhe dy djem njëri 10 dhe tjetri 14 vjeç. Fakti që janë jashtë shtetit më pengon që unë të takohem me ta. Familjarët e tjerë i takoj më rrallë.
Sa herë komunikon me ta në telefon?
Kur më krijohet mundësia flasë në telefon me fëmijët. Më merr malli, por kështu e ka jeta. Ky ishte fati im.
Kush është Gazmend Braka i njohur si “Gaxhai”
Gazmend Braka i njohur ndryshe me emrin Gaxhai, u arrestua në vitin 1997, për kryerjen e një sërë krimesh në emër të organizatave kriminale me bazë në qytetin Vlorës. Banda e drejtuar prej tij ishte me qendër në Cerkovinë, ndërsa krimet kryheshin në mënyrë të organizuar në të gjithë qytetin. Në Vlorë u krijuan disa grupe kriminale me të cilat Gaxhai ishte në rivalitet. Kundërshtari më i madh për të ishte banda e ngritur dhe drejtuar nga Zani Çaushi. Është dënuar nga të gjitha shkallët e gjykimit me burgim të përjetshëm. Këtij dënimi në vitin 2005 iu shtua edhe ai për tentativë arratisje. Në grupin e Gaxhit bënin pjesë, Armando Sulejmani, Sokol Sinomati, Edmond Leskaj, Gazmend Nebiu. Këta të fundit morën të gjithë nga një dënim me 25 vite burg. Që nga momenti kur Gaxhai u dënua me vendim të formës së prerë, emri i tij nuk është përmendur më në media. Gjatë bisedës në tha se nuk ka pasur asnjëherë interes të flas në media për të shkuarën e tij dhe për historinë e vitit të mbrapshtë. Edhe drejtuesit e burgut të Peqinit shprehen se Gaxhai që nga momenti i akomodimit në institucion, ka qëndruar i heshtur duke mos paraqitur asnjë problem.