Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla pas përplasjeve dhe akuzave të ndërsjellta të javës së shkuar me ambasadorin amerikan Donald Lu, po zhvillon takime të rëndësishme në Bruksel. Sot ai ishte në Zyrën Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF), zyra e vetme që mund të trajtojë apo hetojë abuzimet e mundshme me fondet e BE, në vendet ku ka perfaqësim.
Zyra për shtyp e organit qendror të akuzës bën me dije se Llalla, sot ka diskutuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Zyrës Europiane e Anti-Mashtrimit (OLAF), Giovanni Kessler të Komisionit Europian, lidhur me forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit.
Prokuroria thekson faktin se Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) është organi i vetëm i BE-së i mandatuar për të zbuluar, hetuar dhe ndaluar mashtrimin me fondet e Bashkimit Europian. Kjo zyrë ka një status të pavarur në funksionimin e saj dhe është pjesë e Komisionit Europian.
Bëhet me dije se Llalla, informoi zotin Kessler lidhur me përpjekjet e autoriteteve shqiptare në luftën kundër korrupsionit, si edhe me masat e reja legjislative për forcimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë.
Në këtë takim mësohet se Llalla është shprehur se lufta kundër korrupsionit është një prej prioriteteve madhore të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian. Për këtë arsye- theksoi Prokurori i Përgjithshëm- përvoja e autoriteteve të Brukselit në këtë drejtim do të shërbejë për forcimin e mekanizmave hetimorë.
Drejtori i Përgjithshëm i OLAF, Giovanni Kessler është emëruar në këtë detyrë nga Komisioni Europian në vitin 2011, për një mandat 7-vjeçar.