Nga Louis Seiller
“Demokracia në rrezik”, “Mediat nuk janë ofiçina”, “AMA dorëzohet” … të mbledhur para Bashkisë Tiranë, rreth njëqind persona përpiqen të ngrenë zërin që të dëgjohet zemërimi i tyre. Para disa ditësh, gazetarë të gazetës së njohur MAPO dhe të kanalit televiziv ABC, i cili shihet si më pranë opozitës, kanë njoftuar mosfirmosjen e kontratave të tyre.
Shenjë e dobësimit të pluralizmit mediatik, këto largime nuk janë raste të shkëputura. Ato janë vazhdimi i një sërë ngjarjesh shqetësuese: disa muaj para zgjedhjeve parlamentae një erë e keqe po fryn mbi shtypin shqiptar.
Me kartonin e kuq në dorë, Nertila Marku është njëra nga organizatorët e protestës. Nga pozita e aktivistes shoqërore ajo fshikullon mediat, duke u shprehur se ato “nuk ftojnë në emisionet e tyre veç pseudoanalistë që s’pushojnë së mburruri sukseset e qeverisë pasi ato punojnë me këta politikanë! Ato nuk ftojnë pothuajse asnjëherë ekspertë të vërtetë, të cilët mund të shpjegonin sfidat politike e shoqërore të vendit. Ne kemi nevojë për të vërtetën dhe nuk duam më nga këto gënjeshtra të përsëritura sa e sa herë.”
“Edi Rama e Erion Veliaj janë drejtorët e vërtetë të informacionit.”
Në Shqipëri, kanalet e lajmeve janë të shumtë. Ato i janë imponuar qytetarëve këto vitet e fundit si instrumente thelbësorë të jetës politike. Në kafe, restorante, dyqane ato janë të pranishme dhe shumë të ndjekura.
Por në këtë vërshim të pandalshëm imazhesh dhe temash, është e vështirë të gjesh zëra objektivë dhe jo partizanë. Shumica e mediave private janë në fakt pronë e biznesmenëve me ndikim. Kohët e fundit shumë njerëz janë të shqetësuar për afërsinë e këtyre “oligarkëve” me drejtuesit aktualë politikë. Nertila, e cila ka qenë më parë aktive kundër qeverisë së shkuar, është e sigurtë për këtë fakt dhe pohon: “Është më keq se në kohën e Berishës. Ajo që ishte veçse një bakterie është kthyer në një virus të vërtetë. Ne duhet t’i kundërvihemi!”
A mund të ketë arsye pushteti sociali për t’u ruajtur nga puna e gazetarëve sot? Që nga fundi i vitit 2015, nuk mund të mos vësh re që pushteti ka nisur një sulm të vërtetë ligjor për të “futur më mirë në kornizë” lirinë e shprehjes dhe të informimit: kriminalizimi i deklaratave fyese ndaj nëpunësve, dënime të rënda për autorët si dhe për faqet në rrjet ku strehon këto komente, dënime për gazetarët hetues për “ndikime antiligjore”, faqe informuese në rrjet të cilat duhet t’i nënshtrohen një autorizimi të detyruar qeveritar, etj.
Të gjitha masat e mësipërme nuk kanë arritur të zbatohen me sukses për shkak të kritikave që ato ngjallën. Por, përballë këtij dështimi ligjor, qeveria socialiste është kthyer tanimë drejt mjeteve të tjera duke përdorur ndikimin e saj tek pronarët e kanaleve të ndryshme.
I angazhuar prej shumë vitesh në lëvizjet e shoqërisë civile shqiptare, Sazan Guri shpjegon se: “Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës ndërhyjnë sistematikisht në funksionimin e mediave. Së fundmi, ata i kanë bërë qartazi presion ndaj AMA-s me qëllim që gazetarët të humbasin postin e tyre. Ata ndikojnë direkt mbi përmbajtjen dhe organizimin e emisioneve.”
Jo larg që këtu, para dyerve të AMA-s, Aulon Kalaja mobilizon turmën. Gazetar për një kanal televiziv privat, ai është ngritur për të marrë fjalën: “që nga viti 2013, rreth 20 emisione dhe shumë kanale janë mbyllur, shumë gazetarë të njohur e të respektuar për profesionalizmin e tyre kanë humbur vendin e punës. Ne nuk duam që të tjerë të gjejnë fatin e tyre së shpejti”.
Për Aulonin demokracia shqiptare është në rrezik pasi “dy drejtuesit kryesorë të informacionit në vend quhen Edi Rama dhe Erion Veliaj”, respektivisht kryeministri shqiptar dhe kryetari i Bashkisë Tiranë.
“Informacioni i lirë nuk është tjetër veçse iluzion”
Në shtatorin e shkuar, gazetari Artan Rama e pagoi në kurriz këtë qasje të re të linjave editoriale. Gabimi i tij ishte hetimi mbi menaxhimin e mbetjeve të Tiranës pas vdekjes, këtë verë, të një të riu shtatëmbëdhjetë vjeçar. Pas censurimit dhe ndalimit të emisionit tij, drejtuesit e televizionit Vizion PLUS, gjithashtu pronarë të një ndërmarrjeje ndërtimi, janë shpërblyer duke marrë një kontratë për ndërtimin e një godine publike në kryeqytet.
Që nga largimi prej këtij televizioni, Artan Rama denoncon funksionimin e sistemit mediatik shqiptar: “Mungesa e transparencës dhe korrupsioni i elitave politike [u shërbejnë] oligarkëve që përdorin mediat për të mbrojtur interesat e tyre”.
Për të, “informacioni i lirë nuk është më veçse një iluzion. Madje është instrumenti i një demagogjie të re”.
Më shumë se vetë censura, është rritja e autoçensurës që shqetëson. Ndërkohë që deri dje mediat kryesore funksiononin sipas një ndarjeje të qartë mes “një elite të vogël gazetarësh të njohur dhe një shumice gazetarësh nën mëshirën e tyre”, tani shumë prej tyre heshtin si “shërbëtorë të shërbëtorëve”. Duke flakur mënjanë etikën profesionale, ata janë të detyruar të vihen në shërbim të interesave të drejtuesve dhe pronarëve të kanaleve televizive. “Liria e shprehjes është duke vdekur në Shqipëri”, vëren me hidhërim Sazan Guri.
Viktima të kësaj autoçensure gjithnjë në rritje dhe të konkurrencës së tyre, shumë gazetarë ndjehen sot të pafuqishëm. Në dhjetëra procese gjyqësore kundër pushimeve abuzive nga puna, shumë pak kanë arritur t’ia dalin mbanë.
Përballë avokatëve të fuqishëm dhe në mungesë të provave, ata nuk kanë asnjë peshë. Shoqatat e gazetarëve ekzistojnë, por protestuesit mendojnë se ato kanë humbur çdo lloj besueshmëri. Më shumë pjesë e grupeve të organizuara të interesit se mbrojtëse të vërteta të të lirisë të informimit dhe të shprehjes, ato nuk bëjnë asgjë tjetër veçse mbrojnë pozitën e disave.
Aulon Kalaja denoncon gjithashtu “konflikte të pastra interesi” në funksionimin e shoqatës kryesore të gazetarëve “kryetari i të cilës është vëllai i njërit prej drejtuesve kryesorë të Policisë së Shtetit”. Prej katër vitesh kjo shoqatë nuk është shprehur për asnjë problem që lidhet me censurën.
Organizatorët e protestës po mendojnë për mjete të reja për të ruajtur pluralizmin dhe lirinë e gazetarëve. Një shoqatë kundër censurës mund të krijohet së shpejti. Po a do të jetë në gjendje ajo t’i kundërvihet presioneve politike të oligarkëve shqiptarë?
Nisur nga hendeku që i ndan me protestuesit, koha kur Edi Rama e Erion Veliaj militonin në unison me shoqërinë civile për një shoqëri më transparente dhe demokratike, duket shumë e largët.
Shkrimi është botuar në “Courrier des Balkans”