KLSH: Tirana, gjendje e mjerueshme me mbetjet, larg parametrave europiane, landfilli jashtë standardeve

Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë auditimit të performancës me temë: “Menaxhimi i Mbetjeve Urbane në Bashkinë e Tiranës”, për vitin 2016 ka konstatuar se “Gjendja e menaxhimit të mbetjeve urbane dhe pastrimit të Qytetit të Tiranës, me gjithëse në zëra të caktuara ka përmirësim, lë ende shumë për të dëshiruar, më saktë nuk është e mirë dhe në parametrat që kërkohen për një kryeqytet që aspiron të jetë pjesë e familjes europiane”.

Edukimi publik në drejtim të rritjes së ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes së komunitetit në menaxhimin e mbetjeve, nga ana e strukturave të bashkisë dhe operatorëve ekonomikë ka patur mangësi të theksuara dhe nuk ka qenë e mjaftueshme. Sjellja e vëmendjes së publikut për parandalimin dhe eliminimin e mbetjeve është hapi i parë themelor për të nxitur ndryshimin e sjelljes së popullsisë ndja këtij problem jetik.

Problemi i menaxhimit të mbetjeve, i cili është në rritje të shpejtë dhe që përbën një kërcënim për mjedisin dhe shëndetin e njeriut dhe zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm të menaxhimit të mbeturinave, mund të realizohet vetëm kur institucionet e arsimit, shoqërisë civile dhe individëve, si dhe të administratës qendrore, administratës lokale, industriale dhe qendrat tregtare janë të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre dhe i përmbushin ato. Kështu, në menaxhimin e mbetjeve urbane të bashkisë së Tiranës, si një organ vendor dhe më pranë komunitetit, qasja “qeverisja me pjesëmarrje” duhet të ishte gjithnjë në qendër të vemendjes së strukturave përgjegjëse të bashkisë.

Sipas raportit të KLSH, Bashkia e Tiranës nuk ka zbatuar legjislacionin për ndarjen dhe grumbullimin e mbeturinave që në burim, fakt ky që ka influencuar negativisht në gjendjen e vend-depozitimit të Sharrës si dhe mosfurnizimin me lëndë të parë të subjekteve private që merren me riciklimin e mbeturinave sipas llojit. Vlen të theksohet së ky proces nuk kryhet edhe për institucionet shtetërore në drejtim të grumbullimit të letrave, si dhe për mbetjet e rrezikshme si tonera, pajisje kompjuterike, etj.

Bashkia e Tiranës, nuk ka studim të mirëfilltë mbi prodhimin total të mbetjeve urbane në zonat për të cilat janë kontraktuar subjektet private të pastrimit, studim i cili të pasqyronte faktorët socio-ekonomikë (konsumi për familje, aktivitetet e prodhimit, etj), faktorët territorialë (karakteristikat urbanistike, popullsinë, densitetin e banimit, numrin e tipologjinë e përdoruesve jo shtëpiakë, vëllimin e fluksit të hyrjeve në Tiranë, etj). Të gjitha këto do të çonin në identifikimin e gjenerimit të mbetjeve për frymë si dhe në identifikimin e gjenerimit total të mbetjeve urbane, sipas zonave për të cilat janë lidhur kontratat.

Bashkia e Tiranës nuk ka të evidentuar mbetjet urbane si mbetjet shtëpiake dhe tregtare, mbetje të gjeneruara nga institucionet të ngjashme, si mbetje urbane, por që kanë veti të rrezikshme si: pesticidet, fotokimikatet, acidet, tretësit, bojëra, ngjyra, ngjitës, etj., që përmbajnë substanca të rrezikshme, detergjent që përmbajnë substanca të rrezikshme, bateritë dhe akumulatorët, pajisjet e skaduara elektrike e elektronike, mbetje të tjera që përmbajnë mërkur, mbetje druri që përmbajnë substanca të rrezikshme, etj. Evidentimi i tyre nga ana e Bashkisë së Tiranës, do të bënte që këto mbetjeve t’i nënshtroheshin një trajtimi mjedisor të veçantë dhe të mos trajtohen si mbetjet urbane pa veti të rrezikshme

Në kontratat që Bashkia e Tiranës ka lidhur me subjektet e pastrimit për vite me radhë, ndër të tjera, është planifikuar edhe zëri i shërbimit “Fshirja e rrugëve dhe trotuarëve me krah” dhe “Fshirja e rrugëve dhe trotuarëve me makineri”. Në këtë zë, nuk janë të veçuara si zë më vete, fshirja e rrugëve dhe zë më vete fshirja e trotuareve.

Nga kontrollet e grupit të auditimit, si dhe nga informacionet e komunitetit rezultuan 24 vënd-depozitime të paligjshme. Shumica e këtyre vënddepozitimeve u lokalizuan në zonat e rrethinave, veçanërisht përgjatë skarpatit të lumi Tiranë, si dhe rrjedhjen e sipërme dhe të poshtme të lumit Lana, pranë unazës së re. Në disa nga këto zona rezultonte një përzierje e të mbeturinave ndërtimore me ato familjare. Në disa raste nuk kryhet pastrimi i territorit të kontemierëve, dhe nuk kryhet dizinfektimi në mënyrë sistematike rreth vendit të kontenirëve të mbetjeve.

Problem mjaft i madh rezulton edhe nga mungesa e vendeve për vendosjen e kontenierëve në disa zona me intesitet të lartë ndërtimi si zona e Stacionit të Trenit, Rruga Don Bosko, Komuna e Parisit, Rruga e Dibrës, Zona e Pazarit të Ri, kjo për arsye të dhënies së lejeve të ndërtimit të objekteve shumëkatëshe në kundërshtim me kondicionet urbanistike të përcaktuara..

Vazhdon të mbetet problem vendosja e pikave të grumbullimit në zona me rrugica të ngushta dhe intensitet të lartë ndërtimit si: Blloku Kafodi, rrugët ndërmjet Rrugës së Kavajës dhe Rrugës Myslym Shyri, ku është e pamundur shtimi i pikave të reja dhe shpesh nga subjekte të ndryshme dhe nga qytetarë bëhet lëvizja dhe bashkimet e pikave.

Ndotja e shkaktuar si pasojë e hedhjes abuzive të mbetjeve voluminoze tregtare nga tregjet privatë apo ambulantë, nga subjektet tregtare apo prodhuese, duke ndotur në mënyrë të vazhdueshme rrugët dhe sheshet publike si në rrugicat e tregut Çamëria, Pazari i ri, e gjitha tregjet e fruta perimeve.

Hedhja pa kriter e mbetjeve inerte, skeletike nga banorët e disa zonave, bizneset, firmat e ndërtimit etj.

Mbetjet shkarkohen në zonat e rrethinave të Bashkisë, veçanërisht në zonat përgjatë skarpateve të lumit Tiranë dhe në rrjedhjet e sipërme dhe të poshtme të lumit Lana. Këto zona nuk kanë kontenierë mbetjesh ose kontenierët janë shuma larg përdoruesit, thuhet në raportin e KLSH.

Landfilli jashtë standardeve

Si venddepozitim shërben një impiant grumbullimi mbetjesh që nuk plotëson standardet e një landfilli të mirëfilltë, pa elementët bazë të funksionimit, si mbështjellja e faqeve anësore me pobeliten, me një sistem drenazhimi i ujrave atmosferik dhe ujit (leksiviatit) që krijohet nga hedhurinat dhe një sistem të pjesshëm për djegien e biogazit të prodhuar nga dekompozimi i mbetjeve. Kështu nisur nga rreziku i paralajmëruar mbi praninë e personave të paautorizuar, më nëntor 2015 ka ndodhur një aksident i rëndë me humbjen e jetës së një shtetaseje në orët e vona të natës, e cila gjatë punës së paautorizuar, është përplasur nga një mjeti i cili po përpunonte mbetje. Përsëri në gusht të 2016 në këtë venddepozitim ndodhi një ngjarje e rëndë që tronditi opinionin public, ku humbi jetën në mënyrë tragjike një 17-vjeçar, gjë e cila u trajtua si skandal i rëndë nga ana e medias sepse sipas saj, ishte punësuar nga Kompania “ …..” që kishte ngritur impiantin e riciklimit brenda territorit të venddepozitimit të Sharrës, ku punonte si i pasiguruar. Bashkia e Tiranës si pronare e vetme e mbetjeve pezulloi punimet e më pas ndërpreu kontratën me kompaninë e riciklimit “……” ku ndodhi ngjarja tragjike.

Nisur nga rastet e rënda të parashtruara nga media, grupi i auditimit mbështetur në nenin 26, të ligjit nr. 154/2014, datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, me shkresën datë 30.09.2016 “Kërkesë për vënien në dispozicion dokumentacioni për grupin e auditimit të KLSh-së”, drejtuar Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ka kërkuar vënien në dispozicion brenda datës 04.10.2016, të praktikës dokumentare të procedurës së zhvilluar në lidhje me dhënien për subjektin privat 3 R të drejtës së ngritjes së një linjës seleksionimi dhe përdorimit të mbetjeve të ngurta në landfillin e Sharrës që administrohet nga Bashkia Tiranë.

LEXO EDHE  ‘Nuk është faji i BE’/ Basha: Fajin e ka Tirja i qeverisë që i vjedh dhe mashtron shqiptarët

Bashkia Tiranë në përgjigjen e saj me shkresën nr. 29475/1, datë 11.10.2016, vëren se është e pamundur vënia në dipozicion e këtij dokumentacioni, duke qenë se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar një procedim penal dhe çështja në fjalë, është ende në hetim nga ana e këtij organi dhe për këtë shkak nuk mund të ndërmarrim asnjë veprim që mund të dëmtojë apo pengojë veprimet e këtij organi. Për këtë arësye grupi i auditimit nuk mund të auditonte praktikën dokumentare të kontratës së lidhur nga Bashkia e Tiranës me OE “……..” sh.p.k., mbi të drejtën e ngritjes së linjës së seleksionimit dhe përdorimit të mbetjeve të ngurta në venddepozitimin e Sharrës.

Gjatë periudhës së ushtrimit të këtij auditimi, në përputhje me memorandumin e bashkëpunimit, të nënshkruar në fund të vitit të kaluar nga kryebashkiakët e Tiranës dhe Veronës, është krijuar një ndërmarrje e përbashkët, me pjesëmarrjen edhe të sektori privat, që do të realizojë pastrimin një pjese të qytetit të Tiranës. Kompania publike “Eco Tirana” është regjistruar tashmë më 22 qershor 2016 në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ajo është një ndërmarrje me kapital të përzier, mes Bashkisë së Veronës dhe asaj të Tiranës, ku 49% të aksioneve janë në pronësi të H A A (shoqëria përfaqësuese e Bashkisë së Veronës, Itali) dhe 51% e ka në pronësi bashkia e Tiranës.

Forma e krijimit të kësaj ndërmarje të përbashkët dhe përmbajtja e realizimit të kontributeve pjesmarrëse janë trajtuar nga media si mungesë transparence, pa sqaruar publikun e gjerë realisht për qëllimin e kësaj shoqërie aksionere, si dhe planet disavjeçare që ka ndërmend të realizojë me këtë shoqëri, kontributi në natyrë i BT në dhënien e sipërfaqes prej 22,000m2 për 25 vjet që deri tani ishte në pronësi të Bashkisë Tiranë, i jepet me qëllim ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për ushtrimin e funksioneve të shoqërisë, etj. Duke qenë se kjo kompani akoma nuk është ngritur si strukturë dhe nuk ka filluar aktivitetin për të cilën është themeluar, në një periudhë të mëvonshme është i nevojshëm ushtrimi i një auditimi përputhshmërie, kur kompania të ketë ushtruar veprimtarinë si subjekt i menaxhimit të mbetjeve urbane pranë bashkisë Tiranë.

Nga analiza e punës së mbikqyrësve të Bashkisë së Tiranës, duke vlerësuar metodat e përdorura, rezulton se nga mbikqyrësit nuk është vlerësuar puna e operatorëve për të gjitha kriteret e kontratës, por janë marrë vetëm disa procese pune që nuk kanë peshë dhe janë të pamatshëm pas faktit. Mbikqyrësit duhet të kishin marrë parasysh edhe kritere të tilla si psh, mbi gjendja e kazanëve të grumbullimit, dëmtimi i tyre, vendodhja dhe kushtet higjenike të tyre.

Nga Agjencia e Mbrojtjes Konsumatorit për periudhën objekt auditimi, janë vendosur gjoba, por nuk ka asnjë evidencë apo informacion, nëse këto gjoba janë arkëtuar, pra konstatohetse nuk është bërë ndjekja e arkëtimit të këtyre gjobave. Ekzekutimi i gjobave nuk është dokumentuar sipas kërkesave administrative e ligjore dhe ka munguar bashkëpunimi e koordinimi i punës me Policinë Bashkiake dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave Vendore(këto dy subjekte megjithë kërkesën tonë nuk kanë paraqitur dokumentacion apo informacion mbi ekzekutimin e këtyre gjobave me pretendimin se nuk kemi të dhëna….) dhe mungojnë evidencat përkatëse. Sipas dokumentacionit dhe informacionit të administruar nga grupi i auditimit, për vitet 2012 (6 mujori parë) – 2016, rezultojnë se janë vënë 233 gjoba me vlerë 1,434,000 lekë. Këto gjoba kanë mbetur në letër dhe ka patur një ndikim negativ si tek subjektet juridike, por dhe tek njerëzit, për rritjen e përgjegjëshmërisë ndaj menaxhimit të mbetjeve urbane e pastrimit të qytetit, pra të mbajtjes pastër të qytetit të Tiranës.

Bazuar në sa më sipër, KLSH është përpjekur t’i japë përgjigje pyetjes: “A ka qenë efektiv menaxhimi e mbetjeve urbane të Bashkisë së Tiranës nga operatorët ekonomikë të kontraktuar?”, duke konsideruar veçanërisht kuadrin rregullator e ligjor dhe detyrimet kontraktoresi dhe zbatimin nga ana e strukturave përgjegjëse të Bashkisë Tiranë e operatorët ekonomikë, dukearritur përfundimisht në këtë mesazh auditimi:

Nëpërmjet kontraktimit të operatorëve ekonomikë për menaxhimin e mbejteve urbane Bashkia e Tiranës:

  1. Nuk ka arritur objektivat në drejtim të shërbimit të popullatës dhe ruajtjes së mjedisit në territorin e saj.
  2. Kuadri rregullator në zbatim strategjisë kombëtare dhe akteve ligjore bashkëkohore të miratuara nuk është i përditësuar dhe si rrjedhojë objektivat nuk janë të qarta e të përcaktuara mirë.
  3. Edukimi publik në drejtim të rritjes së ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes së komunitetit nëmenaxhimin e mbetjeve, nga ana e strukturave të bashkisë dhe operatorëve ekonomikë ka patur mangësi të theksuara, nuk ka qenë i mjaftueshme dhe nuk ka dhënë ndonjë impakt të ndjeshëm social, për mbajtjen pastër të qytetit dhe për ndarjen e mbetjeve në burim për riciklim; në menaxhimin e mbetjeve urbane të bashkisë së Tiranës, si një organ vendor dhe më pranë komunitetit, qasja “qeverisja me pjesëmarrje” duhet të ishte gjithnjë në qendër të vemendjes së strukturave përgjegjëse të bashkisë.
  4. Venddepozitimi i mbetjeve në zonën e Sharrës nuk plotëson kushtet e parametrat e një landfillit bashkëkohor me parametra të lartë mjedisor sidhe ka tejkaluar afatin e përdorimit dhe kapacitetet e përpunimit.
  5. Veprimtaria e mbikëqyrëse dhe kontrolluese e Bashkisë Tiranë, në drejtim të realizimit të detyrimeve kontraktore nga operatorët ekonomikë për shërbimin e grumbullimit dhe

largimit të mbetjeve nuk ka sjellur përmirësimin e cilësisë së shërbimit të pastrimit të qytetit dhe realizimin e objektivave të strategjike dhe pritshmërisë së qytetarëve.”

  1. Mungesa e një strategjie të menaxhimit të mbetjeve nga Bashkia, ka ndikuar në menaxhimin e mbetjeve, me një infrastrukturë të dobët, me konteniere të amortizuar, të pa mbyllur, larg zbatimit të kuadrit ligjor për ndarjen në burim të mbetjeve; niveli teknik i makinerive teknologjike transport, fshirje, larje, etj., të disponueshme nga OE është i mangët.
  2. Marrja e iniciativave të deritanishme për riciklim kanë qenë të pastudjuara mire, nuk kanë sjellë ndryshim të gjendjes dhe kanë dështuar duke krijuar edhe pasoja sociale.
  3. Masat ndëshkuese me gjobë të marra nga Agjensia e Mbrojtjes Konsumatorëve apo nga BT, jo vetëm kanë qenë të pakta, por edhe nuk janë ekzekutuar, duke mos dhënë asnjë ndikim në përmirësimin e gjendjes. /Monitor/


PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here