Ndizet debati mes analistit Andi Bushati dhe botuesit Henri Çili. Të ftuar në emisionin ‘Të Pa Ekspozuarit’ në ‘News24’ Çili dhe Bushati kanë ashpërsuar gjuhën mes tyre, ndërsa nuk kanë kursyer as ofendimet deri dhe paralajmërimet serioze. Teksa diskutonin në lidhje me çështjet më të nxehta në media të këtyre ditëve, ndër të cilat shkarkimi i drejtorit të Mapo, Alfred Lela, Çili pohoi se gjithçka ka ndodhur për arsye kontraktuale. Kaq ka mjaftuar për të ndezur debatin, ndërsa Bushati akuzoi Çilin se është gjithmonë kundër opozitës së rradhës dhe se sipas tij ai është një armik i lirisë.
“Të jesh baladin i teorive ultra-liberale dhe të kërkosh një mandat tjetër për Sali Berishën, mua më duket se përdhos vetveten”, – e hapi Bushati debatin duke iu drejtuar Çilit. Ndërsa shtoi më tej se: “E di ça absurdi ke arritur? Ke mbështetur një njeri që sipas teje Rama ka gënjyer shqiptarët në fushatë, dhe ju po mbështesni një mashtrues. Ti je mashtrues. Është absurde fabula juaj Çili. Fabula juaj është absurde.”. Ndërkaq, Çili shtoi se: “E kundërshtoj fortë Lulzim Bashën për rënien në prehërinn e politikave populiste dhe në ndikimin e ideve idiote të tuat dhe Lubonjës.”
Pavarësisht se tema e emisionit ishte mbi financimet e fondacionit SOROS në Shqipëri, Çili dhe Bushati kanë dalë për një moment nga tema, ndërsa është dashur ndërhyrja e drejtuesit të emisionit, Ylli Rakipi për të qetësuar situatën mes palëve.
Debati i plotë
Andi Bushati: Unë them që fabula që ngre Çili, që ‘unë i qëndroj besnik ideve të mia liberale është fabul mashtruese’. Pse e them këtë? Unë për të sqaruar pozicionin, jam edhe kundër politikave ultra-liberale në këtë vend që mund ta çonin para Shqipërinë. Por, të jesh baladin i teorive ultra-liberale dhe të kërkosh një mandat tjetër për Sali Berishën, mua më duket se përdhos vetveten. Berisha në politikën e vet të përditshme, si ka vepruar me privatizimet klienteliste që u jepte mediave më afër, ka qenë anti-liberal i madh. Edhe kur kritikonte pronarët e mediave që laheshin në vaska floriri, vetëm se Top Channel e kishte kundër. Pra, i gjithë mandati 8 vjeçar i Berishës ka qenë anti-liberal dhe prapë ju kërkonit votë pro tij. Kalojnë tre muaj dhe bëheni me një gjasme liberal si Edi Rama që po sillet si padron Putinist që cakton se kush do i marr tenderat, koncensionet. Nëse do ishit liberal të vërtetë, armiq të vërtetë do ishin Saliu dje dhe Rama sot. Kjo diskrediton gjithçka nga pika e parë. Gënjeni kur thoni se vendimet merren në bord. Fati e solli se keni qenë mbështetës i Sali Berishës deri ditën e fundit vetëm se ishte në pushtet dhe tani je i Ramës po ashtu. E keni thënë 4 ditë më parë në një intervistë se politikat editoriale i vendos unë: pronari. Kjo është çmenduri, nuk ndodh në asnjë vend të botës. Henri Çili u nda me Zhejin apo Lelën për arsye kontraktuale? Por 8 vite në pushtet të Berishës dhe 4 vite të Ramës si nuk u largua një njeri që ka qenë pro qeverisë, por vetëm me këto kleçka kontraktuale.
Henri Çili: Bushat, unë nuk i njoh fare rastet e tjera dhe s’kam për detyrë t’i njoh. Ti gjykon në të njëjtën mënyrë si sipërmarrësit që marrin lejë ndërtimi, apo tendera. Janë shumë të respektuar, se dikush duhet t’i marri. Sali Berisha në 2005-2013 solli disa elemente liberalë, QKR, taksimi progresive, privatizimi, dhe shumë gjera të tjera. Unë e kam mbështetur për atë. Privatizimi mund të dështojë disa herë. Unë mbështes çdo privatizim.
Andi Bushati: Edhe kur bëhet nga një hajdut privatizimi? Këtë thuaj.
Henri Çili: Unë jam ndeshur publikisht me Ramën në 2013 për elementët komplet populist. Dështimi i social-demokracisë më gëzon. I kam mbështetur hapat e Ramës në tregun e energjetikës, arsimit. Duhet të shkosh tek SYRIZA ti.
Andi Bushati: E di ça absurdi ke arritur? Ke mbështetur një njeri që sipas teje (Rama) ka gënjyer shqiptarët në fushatë, dhe ju po mbështesni një mashtrues. Ti je mashtrues. Është absurde fabula juaj Çili. Fabula juaj është absurde.
Henri Çili: E kundërshtoj fortë Lulzim Bashën për rënien në prehën e politikave populiste dhe në ndikimin e ideve idiote të tuat dhe Lubonjës.
Lubonja: Ç’pate mo, ç’pate.
Andi Bushati: Në çdo rast ke akuzuar opozitën.
Henri Çili: Unë mbështes idetë dhe jo njerëzit. Unë mbështes idetë dhe jo idiotësirat e tua për jetën publike.
Andi Bushati: Ky është rreziku, këto janë politika mashtruese dhe jo Sorosi. Ke mbështetur vetëm njerëzit dhe jo idetë.
Henri Çili: Nuk e ke me mua dhe me ata të koncesioneve, por me ata të lirive. Je me Syrizën. Masat që janë liberalizuese.
Andi Bushati: Me gardistët në 21 janar, me hajdutët në Rilindje. Vetëm ty të ka ndodhur kjo.
Henri Çili: Viktimat e 21-janarit ishin viktima krejtësisht të kota sepse zgjedhjet e provuan në Shqipëri që ishte e hapur mundësia e ndryshimit demokratik me votë.
Andi Bushati: Me politikat që ndjek duhet të ishe futur në LSI..se me gardistët në 21 janar, me hajdutët në Rilindje, vetëm ty të kanë parë shqiptarët.
Henri Çili: Dhe hiperbola juaj që këtu ka rrezik përgënjeshtrohet menjëherë…
Andi Bushati: Ti je rreziku
Henri Çili: Patjetër liberalizmi është rreziku jot.
Andi Bushati: Anti-liberali më i madh. Një karikaturë e liberalizmit. Do të respektoja si liberal.
Henri Çili: Nuk kthehen më komunistët e tu Bushat..
Andi Bushati: Komunistët nuk kthehen por hajdutët si ty do ekzekutohen
Henri Çili: Kjo është akuzë. Hajdut mund të jesh vet..po nuk e di a je, dhe s’po të akuzoj kot.
Fatos Lubonja: Në këtë fashizëm që po ndodh, kontrollet e gjithë pushteteve. Edi Rama kontrollon dhe artistët, edhe ekspozitat i bën te kati i parë i kryeministrisë. Këtu shteti kontrollon gjithçka.
Henri Çili: Mua nuk më kontrollon
Fatos Lubonja: Ty s’të kontrollon se ti je vetë pushteti. Ty ta tha Bushati. Ti e ndërrove dhe shkove te pushteti tjetër
Henri Çili: Nuk ndërrova asnjë pikëpamje.
Fatos Lubonja: Ti veprimet i ke komplet në kundërshtim me pikëpamjet.
Henri Çili: Asnjë pikëpamje dhe asnjë veprim nuk kam ndryshuar.
Fatos Lubonja: Ti je fashist ekonomik, nuk je liberal.
Henri Çili: Jam për liberalizmin ekonomik, për konkurrencën, jam kundër sektorit publik, jam pro privatizimeve, pro-partneritetit publik privat, pro konkurrencës, kundër taksës progresive.