“LSI është bashkëautore e të gjitha vjedhjeve, konçesioneve dhe abuzimeve të qeverisë Rama-Meta, nga një pjesë e të cilave LSI ka përfituar direkt”. Kështu është shprehur me anë të një deklarate për mediat Partia Demokratike duke sulmuar ashpër edhe LSI-në e Ilir Metës.
PD thotë se LSI është bashkëautore e të gjitha vjedhjeve të Edi Ramës. Ndërsa thekson heshtjen e Metës për konçensionin e dializës që sipas PD iu shit një klienti të LSI-së. Edhe për taksën e gazit apo koncensionin e laboratorëve, PD thotë se Meta bën gjasme amendamente që e ndalojnë. Sulmi shkon edhe më tej kur PD thotë se “qeverisja është oksigjeni që mban në jetë LSI-në”.
Ja deklarata e plotë e PD-së:
Partia Demokratike është kundër konçesionit të laboratorëve. Ka qenë dhe është kundër konçesionit të dializës. Ka qenë dhe është kundër konçesionit të sterilizmit. Ka qenë dhe është kundër konçesionit të kontrollit mjekësor. I ka denoncuar të gjitha këto konçesione dhe ka luftuar kundër tyre.
Gjasme amendamenti buxhetor i LSI-së, për konçesionin e laboratorëve në shëndetësi, nuk e ndalonte konçesionin e laboratorëve, dhe nuk kishte asnjë vlerë ligjore.
Vendimin për konçesionin e laboratorëve e merr qeveria dhe jo Kuvendi. Nëse Ilir Meta është kundër konçesionit e ka të thjeshtë: ta rrëzojë atë në qeveri. Le të bllokojë qeverinë ose të dalë nga qeveria. Por këtë LSI nuk e bën dot, sepse qeverisja është oksigjeni që mban në jetë LSI-në.
Gjasme amendamenti kundër konçesionit, ishte një manovër propagandistike e Ilir Metës për të bërë gjasme sikur mendon për popullin, pra ishte një gënjeshtër.
Po afrohen zgjedhjet dhe është koha kur Ilir Meta bën sikur nuk ka qenë në qeveri katër vjet.
LSI është bashkëautore e të gjitha vjedhjeve, konçesioneve dhe abuzimeve të qeverisë Rama-Meta, nga një pjesë e të cilave LSI ka përfituar direkt.
Nëse Ilir Meta është për interesin publik, nuk do kishte bërë pazar me taksën e gazit. Nëse Ilir Meta është për interesin publik, le të ngrejë zërin kundër koncesionit të dializës që u shit për dy lekë tek klientët e LSI-së.
Sot ka vetëm një zë në interes të publikut në Shqipëri: kjo është opozita.
LSI dhe PS janë dy faqe të një monedhe, nuk kanë dallim nga njëra-tjetra, ndajnë bashkë atë që grabisin nga populli.