Zgjedhjet e ardhshme ato të 2017-ës do të kenë një hartë të re elektorale.
Sipas hartës së re më shumë deputetë do të ketë në Tiranë e Durrës. Ndërsa do ti hiqen Korçës, Beratit e Kukësit.
Ndryshimet në qarqe
Një nga qarqet ku largimet drejt qendrave të mëdha urbane kanë qenë më të mëdha është Berati dhe nga 8 mandate që ka aktualisht, në zgjedhjet e ardhshme do të ketë vetëm 7. Pas tij vjen sërish një tjetër qark i varfër , siç është ai i Kukësit, ku për shkak të shpërnguljeve drejt zonave më të zhvilluara dhe emigracionit, rritja e numrit të popullsisë ka qenë e pandjeshme. Për pasojë Kukësi do të ketë një mandat më pak duke kaluar nga 4 mandate në vetëm 3. Por duket se ritëm të ulët të rritjes së popullsisë në krahasim me mesataren e vendit ka patur edhe qarku i Korçës. Sipas të dhënave të DPGJC, ky qark humbet një deputet dhe kalon nga 12 në 11 mandate. Tirana vazhdon të mbetet “toka e premtuar” për shqiptarët, pasi ndryshimet demografike të popullsisë, por edhe rritja natyrore i kanë dhënë një rritje të konsiderueshme popullsie e konvertuar kjo me një shtim prej dy deputetësh më shumë se sa ka aktualisht. Qarku më i madh kalon nga 32 deputetë që ka tani në 34 deputetë të plotë.
Qarku apo zona e dytë zgjedhore që rritet në mandate është Durrësi I cili 4 vite më parë nxorri 13 deputetë, ndërsa pas rritjes së së popullsisë do “prodhojë” 14 të tillë. 6 qarqet e tjera që kanë patur një rritje të popullsisë të përafërt me mesataren e vendit, do të ruajnë numrin aktual të deputetëve me të cilët përfaqësohen në Kuvend. I gjithë procesi mësohet se do të përfundojë në dhjetor pasi KQZ t’ia kalojë ndarjen e re Kuvendit për miratim.
Si lëvizin mandatet
Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 mund të nxjerrim edhe një projeksion se cilët nga krahët politikë mund të preken nga ndryshimet në hartën elektorale. Në Berat me heqjen e një mandati në bazë të rezultateve të 2013 ajo që penalizohet është e majta, e cila nga 6 mandatet tashmë mund të nxjerrë vetëm 5. Në Kukës sipas rezultateve të zgjedhjeve pararendëse, ajo që humbet një deputet është e djathta. Nga 3 deputetë që ka aktualisht PD mund të marrë vetëm 2. Në Korçë penalizohen sërish të djathtët, të cilët nga 5 mandate shkojnë në 4. Në total ndryshimet në hartën elektorale nuk do të kenë efekt, pasi e djathta ndërsa humbet dy deputetë në Kukës dhe Korçë, po aq deputetë merr më shumë në T iranë dhe Durrës. Mandatin që shtohet në Durrës e merr PD duke shkuar në raportet 7 me 7, ndërsa në T iranë 1 deputet e merr PD dhe një PS duke shkuar në raportet 20 me 14. Gjithsesi këto janë parashikime që bëhen vetëm duke u bazuar në rezultatet e 2013 dhe nuk marrin parasysh ndryshimin e votës së shqiptarëve dhe lëvizjet e partive nga njeri koalicion në tjetrin.
Formula e përllogaritjes
Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet në raport me numrin e shtetasve të secilës zonë zgjedhore, ku çdo mandat përfaqëson një numër afërsisht të njëjtë shtetasish. Formula që zbatohet në këtë rast përcakton se numri total i shtetasve, sipas Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, pjesëtohet me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, duke përcaktuar numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati të Kuvendit. Më pas numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet duke pjesëtuar numrin e shtetasve me vendbanim në zonën zgjedhore, me numrin mesatar. Çdo zone zgjedhore i caktohet fillimisht një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga pjesëtimi dhe në rast se në përfundim të veprimit të kryer, një apo më shumë mandate mbeten pa u shpërndarë, ato iu shpërndahen zonave mbi bazën e presjes dhjetore më të madhe të përftuar nga pjesëtimi. Shpërndarja e mandateve të mbetura kryhet në rend zbritës, duke filluar nga zona me presjen dhjetore më të madhe