Hillary Clinton folur pas humbjes së garës presidenciale duke thënë se e pranon rezultatin dhe Donald Trump është president i të gjithëve.
Në një fjalim përpara simpatizantëve të saj, Clinton ka deklaruar se përveç se ka uruar Trump është shprehur e gatshmë që të bashkëpunojë me të për të mirën e Amerikës.
“Ne kemi parë që vendi ynë është më i ndarë nga sa mendonim, por unë besoj tek Amerika. Donald Trump do të jetë president dhe ne i detyrohemi atij shansin për të drejtuar”, ka thënë Clinton.
Ajo ka theksuar se Amerika duhet të vazhdojë të luftojë për të mbrojtur liritë dhe të drejtat dhe për këtë ka kërkuar kontributin e të gjithëve, pa dallime politike.
“Demokracia jonë kushtetuese e detyron pjesëmarrjen tonë gjatë gjithë kohës. Ndaj të vazhdojmë të mbrojmë liritë tona, ekonominë, vendin dhe planetin. Ëndrra amerikane është e madhe për këdo. Ne duhet të ofrojmë shanse të barabarta për këdo”, është shprehur Clinton.
Clinton ka theksuar se, është jetike që secili të bëjë pjesën e tij për të ndërtuar një Amerikë më të fortë. “Dhe unë e di që do ta bëjmë këtë. Jam e nderuar që ndodhem përpara jush”, ka thënë ajo.
Në fund ajo i ka shprehur mirënjohjen e saj elektoratit, si edhe stafit të fushatës së saj. “Ky nuk është rezultati që ne donim dhe për të cilin punuam, por ndjej krenari dhe mirënjohje për këtë fushatë që bëmë së bashku. Ju përfaqësoni më të mirën e Amerikës dhe të isha kandidatja juaj ka qenë nderi më i madh i jetës sime”, ka vijuar Clinton.