Deputetja demokrate Albana Vokshi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe kreun e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj se kanë ndërmarrë një fushatë linçimi ndaj mediave dhe zërave opozitarë që denoncojnë aferat skandaloze të Kryeministrit dhe oborrit të tij qeveritar.
Në fjalën e saj në Kuvend, Vokshi ka prekur temat më shqetësuese të aktualitetit, duke nisur nga punësimi i të rinjve, ekonomia, censura mbi mediat, kanabisi etj.
Vokshi tha se me gjithë fushatat e ministrit të Mirëqenies Sociale, fëmijët e rrugës janë sot në Kodrinën e Vdekjes në Sharrë.
“Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë nuk iu siguruan as jetën, e jo më kushtet e mira e me standarde në punë… Në Sharrë dhjetëra fëmijë të moshës edhe 10 vjeç, qindra gra e vajza, djem e burra, u shfrytëzuan si skllevër…dhe Kryeministri ende hesht…ndërkohë që Kryetari i Bashkisë ka nisur, në një rast të paprecedent linçimin e mediave që guxojnë të pasqyrojnë atë që ka ndodhur në Lanfillin famëkeq…”, tha Vokshi.
FJALA E PLOTË E DEPUTETES ALBANA VOKSHI NË SEANCËN E SOTME PLENARE
Debati për buxhetin kulmon debatin rreth politikës financiare në vend, duke tërhequr edhe vëmendjen e qytetarëve, të cilët presin me ankth çfarë po ndodh me ekonominë shqiptare dhe ekonominë e tyre familjare. Debati për buxhetin zakonisht është më i rëndësishmi në një legjislaturë pasi buxheti orienton politikat qeveritare, e politikat qeveritare duhet të adresojnë çështje kyç të ekonomisë, financave pra të përditshmërisë së çdo qytetari shqiptar…
Por në relacionet e kabineteve ministrore, zakonisht ‘copy paste’ të një viti më parë, në asnjë rresht nuk gjendet sa është niveli i jetesës së shqiptarëve në vitin 2015, ndaj i drejtohemi, për të qenë të besueshëm edhe për ata që na ndjekin, organizmave të specializuar ndërkombëtarë të cilat na paraqesin një gjendje shumë e rëndë për ekonominë shqiptare që as fjalimet e stërzgjatura e lodhëse të Kryeministrit dhe as përrallat e Ministrit të Financave nuk e mbulojnë dot:
– Banka botërore vë alarmin që në Shqipëri 47% e popullsisë jetojnë në nivelin e varfërisë me 500 lekë në ditë,
– Papunësia është rritur (INSTAT) me 5 pikë përqindje që nga 2013. Edhe sipas Kombeve të Bashkuara dhe Bankës Botërore papunësia mes të rinjve është mbi 33% pra më shumë se dy herë më shumë se ajo e popullsisë: (http://www.un.org/youthenvoy/2014/12/restoring-hope-albanias-unemployed-youth/
– Raporti që sapo është publikuar i EUROSTAT tregon që fëmijët e pashoqëruar ishin në një numër shumë herë më të madh ndër fëmijët azilantë.
– krahasimi i statistikave shkollore me ato të popullsisë tregon që numrin e vajzave jashtë sistemit arsimor të moshës 7–16 vjeç është rreth 19 mijë vajza. Ndaj dua t’i bëj thirrje ministres Nikolla, që të ngrejë një grup punë urgjent për të parë nga afër këtë fenomen tejet negative e të marrë masa sa s’është tepër vonë.
– Shoqëria civile ka muaj që kërkon ndihmë për mbi 100,000 fëmijë që jetojnë në kushte të një varfërie ekstreme dhe nuk kanë as vaktet normale e as para për të blerë librat.
– Ka patur një plan kombëtar për fëmijët e rrugës. Dhjetëra milionë Euro janë dhënë nga donatorët dhe buxheti i shtetit…por sot ata që quhen fëmijët rrugës janë ende edhe më të shumtë në numër në rrugë. Fëmijët e rrugës janë sot në Kordinën e Vdekjes në Sharrë.
Shumë fonde janë akorduar nga Buxheti i Shtetit për Arsimin Profesional, por as ato nuk kanë mjaftuar për të bindur rininë që modeli dhe oferta e shkollave profesionale ishte ai i duhuri për ta… Na përmendin shpesh modelin gjerman, austriak, zviceran etj…por si mundet të krahasoni Shqipërinë me këto vende që janë fabrika të punësimit të botës ndaj kanë të zhvilluar sistemin e shkollimit të zanateve.
Në Shqipëri zanatet janë vetëm për t’i shërbyer familjeve dhe shërbimeve por jo industrisë. Ku ka industri mekanike? Ku ka industri elektrike? Ku ka industri ushqimore? Ku ka industri tekstile? Paradat propagandistike të Kryeministrit apo Ministrit të Mirëqenies nuk kanë mundur të ndryshojnë mendjet dhe dëshirat dhe ëndrrat e të rinjve të talentuar shqiptarë, të cilët duan arsimimin e duhur, një vend pune që paguhet me një pagë të duhur për të bërë një jetë dinjitoze ashtu siç ata e meritojnë…
Kompleksi i Ramës ndaj tyre, nuk ka mundur t’i bëjë ata që të shkëputen nga endërrat e të pranojnë punët që nuk paguhen ashtu si duhet, ose ato të skllavërisë si të landfillit të Sharrës..
Por edhe ata që ju përgjigjën thirrjeve të Qeverisë Qendrore apo vendore, që ju përgjigjën thirrjeve të Veliajt për një punë të siguruar e me standarde në Lanfillin e Sharrës, fatin nuk e patën të mirë…
Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë nuk iu siguruan as jetën, e jo më kushtet e mira e me standarde në punë… Në Sharrë dhjetëra fëmijë të moshës edhe 10 vjeç, qindra gra e vajza, djem e burra, u shfrytëzuan si skllevër…dhe Kryeministri ende hesht…ndërkohë që Kryetari i Bashkisë ka nisur, në një rast të paprecedent linçimin e mediave që guxojnë të pasqyrojnë atë që ka ndodhur në Landfillin famëkeq…
Ngjarja tragjike, ku humbi jetën një grua 48-vjeçare nënë e 2 fëmijëve, e më pas në rrethana dramatike 17-vjeçari, Ardit Gjoklaj është dëshmi e mungesës së alternativës së të rinjve për të dalë nga varfëria. I ndjeri Ardit ishte punësuar për të blerë librat dhe veshjet për shkollën, për të ndihmuar prindërit e tij, pas thirrjeve në televizione të Veliajt.
Por investigimet gazetareske të Alidës që u pushua menjëherë nga puna pas ndërhyrjeve të Kryetarit të Bashkisë, vazhduar nga stafi profesionist i Publikus, denoncuan fshehjen e krimeve në landfillin e administruar nga Bashkia e Tiranës, shfrytëzimin e fëmijëve në punë në turnet e natës dhe punësimin e paligjshëm dhe pa asnjë kusht teknik dhe higjiene.
Por Veliaj nuk u ndal këtu…Fillimisht mbylli “Hashtag.al”. Gjetën studion e Zonjës së Parë të Tiranës dhe shkuan deri në Teksas për ta bllokuar duke sajuar një histori sa qesharake aq dhe absurde…
Pastaj ju vërsulën Lolitës…duheshin gjetur patjetër vajzat e reja që nuk po e lënë rehat Ramën me të tijtë…e gjithë Qeveria në këmbë për të zbuluar kush qëndron pas këtij profili…
Ministra dhe zëdhënës të Qeverisë, po hartojnë në fshehtësi ligje për t’i mbyllur gojën edhe atyre që kanë mbetur kurajozë e po vazhdojnë denoncimet e aferave skandaloze të Kryeministrit dhe oborrit të tij Qeveritar…
Kontrolli i pronareve të mediave, presionet ndaj gazetarëve e kanë nxjerrë nga kostumi zyrtar Kryeministrin dhe në këtë dyzim rolesh, ravijëzohet qartë në atë pjesë që i përket më shumë, DHUNUESIT… e kemi parë së fundmi në një dhunë verbale dhe psikologjike ndaj hallexhinjve, ndaj kolegeve të nderuara, ndaj gazetareve profesioniste siç ishte rastin i fundit i intervistës televizive të dy ditëve më parë ….
Nisur nga rastet e përsëritura të kësaj sjellje aspak të denjë për detyrën që mban, do mirëprisja të gjitha koleget e mia deputete që në rast përsëritje të ndërmarrim një Vendim për të reaguar! Një fjalor i tillë vulgar e fyes nuk mund të jetë i pranueshëm për asnjë prej nesh… Çdo mendojnë fëmijët tuaj nëse e dëgjojnë Kryeministrin të fyejë nënën e tyre deputete? Po vajzat e mia kur të rriten? Dhunë e tillë verbale, në këtë sallë por edhe jashtë saj, është e patolerueshme dhe e papranueshme e duhet ndalur sa më parë…
Të nderuar kolegë,
Në dy vitet e para të mandatit qeverisës detyruan largimin nga Shqipëria të rreth 200 mijë shqiptarëve, ku 80% e tyre janë të rinj. Qeveria e korruptuar, pa program dhe pa vizion detyroi të rinjtë të braktisin vendin, duke shënuar eksodin e dytë më të madh të emigrimit të shqiptarëve për shkak të varfërisë dhe pasigurisë, pas viteve 90-të. Ndërkohë sot në Shqipëri, të rinjtë ndodhen në udhëkryq:
– Mijëra student janë në ankth sepse me shumë gjasa do mbeten pa shkollë;
– Që të gjejnë një punë në administratë ose duhet të jesh familjar, apo mik e shok i ndonjë qeveritari, ose të marrësh teserën e partisë, ose të paguan nën dorë;
– Nëse ke një master apo doktoraturë, bën mirë të punosh marangoz, apo kamerier, apo tornitor, sepse Kryeministri me profesion piktor ka kompleks nga ju, se jeni më të mirët, më pa komplekse, …e nuk ju do nëpër këmbë…
– E nëse nuk je në gjendje të gjesh punë si kamerier apo montator, atëherë ke dy alternativa të tjera: të punosh në fason po call center edhe në një pagë nën minimale (që janë mbushur me mjekë e juristë) ose të përballeni me shfrytëzimin për punë në parcelat e kanabisit.
– Shqipëria e mbuluar nga Kanabisi ka shqetësuar edhe Ambasadorin e ri të Britanisë.
Por, Kryeministri bezdiset pse ne apo analistët e mirënjohur ndërkombëtarë për çështjet e sigurisë, ngremë shqetësimin që Shqipëria po kthehet në një Kolumbi në Ballkan…
Vallë a e di Kryeministri që 52 vite (më shumë se 5 dekada) konflikt i përgjakshëm në Kolumbi, që ka marrë 226 mijë jetë dhe ka zhvendosur më shumë se 6 mln të tjerë është mbajtur gjallë vetëm prej drogës, narkotrafikut?
E sot në Shqipëri, dhjetëra të rinj janë vrarë nga grupet rivale të trafikantëve, ndërsa qindra të tjerë të detyruar nga varfëria punojnë si skllevër në plantacionet e drogës, kudo të gjendura në territorin e Shqipërisë.
Varfëria ekstreme po i bën burra e gra të lënë punët në fasone, apo bujqësi…pasi paga në parcelat e hashashit është e majme…dhe tunduese, iu siguron të ardhura më të mira… E nga ana tjetër kjo krijon një situatë të vështirë për sektorët prodhues si bujqësia, fasonët etj…
Është tronditës lajmi i sotëm që 4 nxënëse në Fushë-Krujë kanë përfunduar në spital, dyshohet prej përdorimit të hashashit. Kolegu im Dogjani e ngriti në prani në Kryeministrit këtë shqetësim. E çfarë bëri ai? U ngërdhesh, u tall dhe ju referua një rasti të para 2 javëve ku 6 nxënës përfunduan në spital… Për cilëndo arsye qoftë, për përdorim hashashi, apo për shkaqe të tjera, a është kjo shqetësuese??? Pse për t’i çuar në spital i dërgojnë prindërit fëmijët e tyre??? Si mundet të talleni më këto fakte???
Ja, ky është Kolumbizimi z. Kryeministër… dhe Konferencat e gjata për shtyp të Ministrit të Brendshëm nuk e zgjidhin dot këtë problem…