Nga Boldnews.al
Edhe pse duhet edhe një vit për zgjedhjet presidenciale, Partia Socialiste ka nisur të hartojë që tani planin e saj për pasuesin e Bujar Nishanit.
Dy ditët e fundit, zyrtarë të lartë socialistë kanë futur në këtë garë emrin e aleatit të tyre, Ilir Meta.
I pari ishte ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili e cilësoi kreun e LSI-së “kandidat të fortë për President”. “Një njeri që ka qenë kryeministër, ministër i Jashtëm, ministër i Ekonomisë, kryetar parlamenti, kur lexon CV dhe sheh kontributin, ai është një kandidat i fortë për President”, tha Bushati.
Tezën e tij e ka përforcuar deputeti i Partisë Socialiste Arben Çuko. Socialisti thotë se kalimi i Metës në Presidencë çliron të majtën.
“Ilir Meta si president i shtetit shqiptar do të lehtësonte më tepër rrugën e gjatë që ka përpara e majta në këto 8 vitet e ardhshme apo më tepër. Kjo varet nga vendimi politik i dy partive që janë në një koalicion në bazë të një marrëveshje të caktuar në të cilën vazhdojnë të qeverisin. Nëse Meta bëhet president kjo do të thotë që është pjesë e marrëveshjes. Nuk mund të bëhet Meta president jashtë dëshirës së tij dhe nuk mund të behët gjithashtu president jashtë dëshirës së Edi Ramës”, tha Çuko.
Por ky shtim zërash duket se ka një qëllim dhe për këtë arsye ka reaguar deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj që e sheh Metën ende në politikën e aktive dhe jo të mënjanuar në Presidencë.
“Unë mendoj se z. Meta ndihet i respektuar nga vlerësimi i disa prej figurave të Partisë Socialiste që e shohin së pari si njeriun konsensual dhe konstruktiv dhe si Presidentin e ardhshëm te Shqipërisë. Megjithatë them se detyra e Metës si kryetar i parlamentit ende nuk ka mbaruar dhe roli i tij konstruktiv është dhe mbetet i pazëvendësueshëm në këto kohë tensionesh të mëdha politike. Lëvizja Socialiste për Integrim këto dite po futet në një proces zgjedhor ku z. Meta është kandidati kryesor dhe në këtë moment të rëndësishëm politik për LSI ai është drejtuesi dhe inspiruesi i pazëvendësueshëm në suksesin e zgjedhjeve të ardhshme”, deklaronte Mehmetaj.
Natyrisht që deputetja e re e LSI-së nuk e bëri këtë deklaratë me kokën e saj. Deklarata e deputetes më të re të Parlamentit është hartuar dhe ka dalë nga zyra e Ilir Metës.
Por çfarë po ndodh realisht me këtë shtim zërash të Partisë Socialiste që e duan Metën në Pallatin e Brigadave.
Burime për Boldnews.al bëjnë të ditur se Edi Rama ka frikë nga rritja elektorale e partisë së Ilir Metës, në këtë mënyrë ai po kërkon ta largojë nga kampi i majtë duke e “internuar” në Presidencë.
Tashmë dihet se me ndryshimet kushtetuese roli i Presidentit në vendin tonë është kthyer më shumë në një post honorifik.
Kështu Edi Rama në takimin e tyre të fundit në Durrës i ka premtuar Metës se nëse ky i fundit dëshiron të kandidojë për President, do të ketë edhe votat e Partisë Socialiste.
Rama me kreun e LSI-së në Presidencë do të ishte lideri i vetëm i saj majtës.
Nga ana tjetër LSI-ja do të humbte shumë nga shkëlqimi i saj si parti. Pasi ndryshe nga Partia Socialiste apo Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste simbolizohet vetëm me emrin e Ilir Metës, figurat e tjera të kësaj partie janë të dorës së dytë. Me Metën në krye të shtetit dhe jo në krye të partisë, LSI nuk do të ketë peshën e saj te e majta.
Por duke mos u ndalur me kaq, Edi Rama me anë të mediave që kontrollon ka nisur të bëjë propagandë që europianët i kërkojnë arrestimin e Ilir Metës në kuadër të reformës në drejtësi.
Ndërsa ka nxjerrë tezën se ai duke u këshilluar me amerikanët ka vendosur ta tolerojë Metën duke e dërguar në Presidencë që ai të largohet me nder nga politika.
Çfarë do bëjë Meta?
Është normale që Pallati i Brigadave është një ëndërr për çdo politikan karriere.
Kreu i LSI-së, dhe pse nuk e ka pohuar kurrë publikisht, e ka pjesë të ambicies së tij politike zgjedhjen si President.
Pasi ka provuar të gjitha shkallët e pushtetit, si ministër, kryeministër, së fundmi edhe kryetar Kuvendi, zgjidhja si President do të ishte kurorëzim i rrugës së tij politike.
Por pavarësisht ambicies, kreu i LSI-së nuk kërkon të bjerë në grackën e Ramës. Burime pranë Ilir Metës thonë se ai për momentin nuk e ka në plan Presidencën. Madje sa herë del emri i tij si kandidat, Meta shpeshherë nxjerr ndonjë nga njerëzit e tij për përgënjeshtrim (rasti i deputetes Mehmetaj). Por loja e kulisave mes dy aleatëve pritet të bëhet edhe më e ashpër me afrimin e zgjedhjeve.