Thirrje, dëshpërim dhe lot për Arditin dhe të vërtetën e mohuar që la pas. Partia Demokratike organizoi sot një aksion qytetar para Bashkisë së Tiranës, për të kërkuar drejtësi për Ardit Gjoklajn, 17-vjecarin që vdiq i masakruar me 11 gusht ndersa punonte në Landfillin e Sharrës.
Kësaj proteste iu bashkuan shumë të rinj, qytetarë të Tiranës dhe familjarët e Arditit, të cilët dënuan përpjekjen e kryebashkiakut Erion Veliaj për të mbyllur cështjen dhe kërkuan zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas protesstuesve mesazhi i këtij aksioni ka të bëjë me përgjegjësinë që ka drejtpërdrejt Erion Veliaj në këtë histori krimi dhe korrupsioni dhe përpjekjet që ai po bën për ta mbyllur cështjen.
“Unë dua drejtësinë e vëllait tim. Edhe unë kam qënë në landfillin e Sharrës. Kam punuar dy muaj atje. Në Landfill punohej pa siguracion, pa veshje, pa maska dhe pa asgjë mbrojtëse. Unë dua drejtësinë e vëllait tim sepse e kanë masarkuar dhe pastaj e fshehën për të mos treguar”, u shpreh mes lotësh Ardinan Gjoklaj, vëllai i Arditit.
“Mora vesh nga media që para Bashkisë së Tiranës do ishte ky tubim i madh. Kam ardhur t’i bëj një thirrje qytetarit të parë të Tiranës si familjar, edhe si shqiptar. Të mos mundohet askush që të përgënjehstrojë këtë rast që na ka ndodhur, ne me 5 vrasje në familje. Mirë që na kanë vrarë djalin, por edhe kanë mbuluar krimin. I kërkoj atij që të përdorë levat shpirtërore, shoqërore, njerëzore, edhe ligjore dhe të zbardhin çështjen, dhe të mos mohohet ngjarja. Çdo gjë e Arditit ndodhet në landfill edhe sot. Fatkeqësia ka qënë e jona dhe i kam kërkuar Erion Veliajt përmes medias dhe i them prapë, të vijë në familje siç më kanë ardhur mijëra shqiptarë nga çdo anë dhe më kanë thënë: të rroni vetë, dhe këtë ta thotë edhe kryetari i familjes së madhe të Tiranës, por jo të spekulojë që jo ka qënë dhe jo s’ka qënë Arditit në punë se unë kam lëvizur me përgjegjësin dhe drejtorin e ndërmarrjes duke e kërkuar. Kjo gjë na rëndon shumë. Eshtë gjynah se ishte 17-vjeçar, duke punuar për të blerë libra”, tha Vuksan Gjoklaj, xhaxhai i Arditit.
“Sot jemi mbledhur këtu për Arditin dhe ai përfaqëson të gjithë ata që ndihmojnë familjen dhe punojnë për bukën e gojës. Si këshilltare e Partisë Demokratike ne do të bëjmë detyrën tonë. Lufta jonë nuk do ndalet derisa familja e Arditit që u zhyt në kthetrat e vdekjes të mos jetojë në kthetrat e varfërisë. Ne do të kërkojmë që të mundësohet strehimi i familjes së Arditit dhe që vëllait të tij ti mundësohet një bursë. Bashkia e Tiranës është përgjegjëse për këtë që ka ndodhur”, deklaroi Klodiana Shala, këshilltare e PD në Bashkinë e Tiranës.
Ndërsa për sekretarin për aksionin qytetar në PD, Ervin Salianji, historia e kryebashkiakut që qesh është në fakt historia e një vampiri.
“Një vampir i cili do të përpijë dhe të thihë gjakun e çdo qytetari të Tiranës për të krijuar parajsën e vetë financiare. Jemi në një rast tragjik. Me një kauzë që nuk është më vetëm e familjarëve por edhe e qytetarëve. Kauza e Arditit është kauza e gjithë shoqërisë shqiptare. Kauza e Arditit është një kauzë që tregon nëse drejtësia në këtë vend do të jetë për të bërë drejtësi, që të ketë drejtësi edhe për të dobtin. Që ligji të funksionojë edhe ndaj më të fortit, kryetarit të Bashkisë, kryetarit të Edi Ramës në PS-në së Peqinit, që mbrohet prej tij”, tha Salianji.
Ai shtoi se a tentativa për ta mbuluar ngjarjen, pavarësisht dëshmisë së familjarëve për makabritetin e këtij akti, tentativa nga kryebashkiaku i Tiranës, i cili është pronar i drejtpërdrejtë dhe përgjegjës i drejtpërdrejtë për atë paligjshmëri atje, duke nisur nga mosvendosja e administratorit.
“Nuk e ka vendosur siç e parashikon ligji ose e ka hequr pasi ka ndodhur ky krim makabër. Dhe Ardiani e tregon me dëshminë e vet që ka punuar bashkë më vëllain, që i kanë trajtuar si kafshë, duke u thirrur me lista emërore pa asnjë kusht teknik, pa siguracione. Pa zbatuar Kodin e Punës siç e ka detyrimin kryebashkiaku edhe si administrator, si pronari dhe si dhe thirrësi që ka kërkuar që këta qytetarë të punojnë në landfillin e tij personal”, u shpreh ai.
Salianji përmendi disa dëshmi që janë publikuar në media, që tregojnë se si shfrytvzohen fëmijët në landfillin e Sharrës nga kryebashkiaku Veliaj.
“Mediat kanë nxjerrë dëshmi tronditëse. Kanë pyetur qytetarë të ndryshëm dhe kanë gjetur edhe fëmijë 10-vjeçarë të cilët detyrohen të punojnë në punë të zezë në këtë landfill. Dëshmi që flasin se si shfrytëzohen këta në mënyrë të pashpirt nga Erion Veliaj dhe nga pronari i kompanisë që është i mbrojturi i Edi Ramës, kryetar i PS-së në Peqin. Punojnë 18 orë në ditë si Ardiani 18 vjeç dhe Arditi 17 vjeç, dhe nëse bëjnë 1 minutë pushim i keqtrajtojnë. Kapin shiringa me dorë, qelqe, pa masa mbrojtëse, ndërkohë që ky biznes i Erjon Veliajt nxjerr 50 milionë lekë në ditë. Nuk mjafton me kaq, sepse pavarësisht se ndodhi ky krim shtetëror, ky makabritet për qytetarët, kryebashkiaku Veliaj tenton të manipulojë dhe censurojë mediat, tenton që lajmin për vrasjen ta mbyllë e ta fshehë, ashtu siç bën tentative me Edi Ramën, presione mbi prokurorisë dhe institucionet që të mos e hetojnë këtë ngjarje sepse përgjegjësi i drejtpërdrejtë për këtë akt korruptiv dhe kriminal është Erion Veliaj”, deklaroi Salianji.
Ai theksoi se Partia Demokratike është në mbështetje të familjarëve të Arditit, të kësaj kauze, dhe se nuk do të gjejë qetësi derisa Arditi të marrë drejtësinë e merituar.