Një individ ka denoncuar aferat e dyshimta të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) dhe të Bankës së Shqipërisë (BSH). Ka mjaftuar një kredi e marrë prej tij për të nxjerrë zbuluar këto afera.
Boldnews.al ka siguruar një vendim gjykate, ku detajohet e gjithë skema, teksa çështja është pushuar fillimisht nga prokuroria, por kanë qenë togat e zeza ato të cilat kanë urdhëruar rihetimin e kësaj çështje. Sipas këtij vendimi, çështja është denoncuar në Prokurorinë e Përgjithshme më 1 qershor 2015. Shtetasi Olsi A., i drejtohet me një letër kryeprokurorit Llalla, ku pretendohej për vepra penale të parashikuara nga nenet 135, 143, 248 etj, të Kodit Penal, nga përfaqësues të një banke të nivelit të dytë dhe nga drejtues të Bankës së Shqipërisë.
Për shkak se kjo letër, e cila në përmbajtje fliste në parim për shkelje ligji, shkelje të rregulloreve të detyrueshme për zbatim si nga ana e zyrtarëve të Bankës së Shqipërisë ashtu edhe nga ana e bankave të nivelit të dytë, për veprimtaritë e tyre të përditshme dhe kontrolleve të Bankës së Shqipërisë në lidhje me raportimet e ndryshme të bankave të nivelit të dytë pranë Bankës së Shqipërisë, duke mos u shprehur në thelb të fakteve dhe konstatimeve të kryera nga personi që kishte shkruar këtë letër, u njoftua shtetasi Olsi A., për t’u paraqitur dhe kallëzuar faktet qe ai kishte konstatuar si veprime në kundërshtim me ligjet në fuqi si dhe të dorëzonte të gjithë dokumentacionin që dispononte për këtë çështje.
Më datë 17.06.2015, është paraqitur Olsi A., i cili ka kallëzuar Bankën Kombëtare Tregtare (BKT) dhe zyrtarët e Bankës së Shqipërisë (BSH) për rrethana si më poshtë përshkruhen.
Ai ka deklaruar se në vitin 2004, në muajin prill, për faktin se kërkonte të blinte një apartament banimi pranë shoqërisë ndërtuese Edil –Al Sh.p.k, me këtë të fundit kanë rënë dakord për çmimin e apartamentit si dhe kanë rënë dakord që nga totali prej 53.500 (pesëdhjete e tremijë e pesëqind) euro, do bëhej pagesë (cash) pranë shoqërisë në vlerën 21.500 dhe pjesa tjetër e mbetur do shlyhej me anë të një kredie që kallëzuesi do e merrte pranë BKT –së dhe konkretisht vlerën prej 32.000 euro.
Së bashku kanë nënshkruar kontratën e kredisë dhe sipërmarrjes. Kushtet e kësaj kontrate ishin që banka merrte përsipër shlyerjen e detyrimit të kredimarrësit ndaj shoqërisë së ndërtimit Edil – Al Sh.p.k dhe kredimarrësi, pra kallëzuesi, duhet të shlyente kredinë për një afat 10 vjeçar (120 muaj) me këste mujore 395.68 euro ose me luhatje të vogla në bazë të ndryshimit të euriborit. Në këtë kontrate parashikohej gjithashtu se 10 % e vlerës së kredisë (e cila përkon me shumën prej 3.200 euro), do qëndronte e bllokuar nga banka me qëllim që t’i lëvrohej sipërmarrësit brenda datës 31.07.2005, afat i paracaktuar për nxjerrjen e certifikatës së pronësisë nga ana e sipërmarrësit në favor të kredimarrësit dhe në këto kushte, do vendosej më tej barra hipotekore mbi këtë apartament në favor të BKT –së, deri në shlyerjen e kredisë nga ana e kallëzuesit.
Sipas pretendimit të kallëzuesit, rezulton se BKT, më datë 29.04.2004, ka disbursuar në favor të kredimarrësit shumën prej 28.160 euro të cilës duke i shtuar edhe vlerën prej 640 euro derdhur nga kredimarrësi si kusht i parapagimit nga ana e tij e 2 % shit të vlerës së kredisë arrin në vlerën prej 28.800 euro. Pra kjo vlerë e fundit, është vlera e mbetur e kredisë që BKT duhet të disbursonte, duke mbajtur pa derdhur vlerën prej 3.200 euro e cila është garancia për nxjerrjen e dokumenteve të pronësisë.
Kallëzuesi ka pretenduar se kjo ka qenë anomalia e parë që ka ndodhur me BKT –në, e cila nuk e ka derdhur në llogarinë e tij të gjithë shumën e kredisë, por vetëm vlerën e cila automatikisht do kalonte në llogari të sipërmarrësit. Vlera e mbetur prej 3.200 euro, është mbajtur nga BKT –ja, dhe nuk është hedhur në llogarinë e kredimarrësit, e cila shumë mirë mund të qëndronte në llogarinë e tij, e bllokuar, pra pa mundësi shfrytëzimi të saj, deri më datë 31.07.2005, kur sipërmarrësi sipas marrëveshjes duhet të vinte në dispozicion dokumentacionin e pronësisë.
Meqënëse sipërmarrësi nuk ka respektuar afatet e paracaktuara në kontratë, ku ky apartament të figuronte në emër të kallëzuesit Olsi A. por me barrë hipotekore në favor të BKT –së deri në momentin e shlyerjes totale të kredisë, kallëzuesi ka pretenduar se vlera prej 3.200 eurosh duhet të ishte derdhur në llogarinë e tij dhe të bëheshin fonde të shfrytëzueshme nga ana e tij, qoftë edhe duke e shndërruar në depozitë pa të drejtë tërheqje.
Kallëzuesi ka pretenduar se deri në vitin 2009 ka paguar këstet mujore në vlerën afërsisht 400 euro në muaj pranë degës Tirana 1 të BKT –së, dhe ka pretenduar gjithashtu se ai është njoftuar nga kjo degë se dosja e tij e kredisë do transferohej nga Dega Tirane 1 në degën “Agjencia Shkolla e Baletit”. Me shlyerjen e kredisë me të njëjtat këste ka vijuar deri më datë 02.05.2014, datë kur ka mbyllur totalisht detyrimin ndaj BKT–se. Në këtë kohë njoftohet edhe nga sipërmarrësi që të fillojnë procedurën për dorëzimin e certifikatës së pronësisë nga sipërmarrësi tek kallëzuesi Olsi A. Por ndërkohë, sipërmarrësi i ka kërkuar gjithashtu që ai të bëjë pagesën e fundit prej 3.200 euro, shumë e cila mbahej ende peng nga BKT –ja. Në këtë moment, kallëzuesi ka filluar të interesohet në lidhje me të gjithë dokumentacionin që përmbante dosja e tij e kredisë ku ka filluar të kërkojë çdo dokumentacion të mundshëm, duke filluar nga dokumentacioni bashkëlidhur kontratës së origjinës, asaj të vitit 2004. Gjithashtu i ka kërkuar edhe kryerjen e pagesës së 3.200 eurove në favor të sipërmarrësi. Mbi bazën e këtyre kërkesave, të cilat filluan të bëheshin të shpeshta për shkak se BKT nuk kthente përgjigje apo nuk vendoste në dispozicion të tij dokumentet që ai kërkonte, i është drejtuar edhe Komisionerit të Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale.
Më pas ka marrë disa dokumente dhe ka konstatuar se figuronte me dy kredi dhe jo me një kredi në vlerën prej 32.000 euro i cili fillonte nga viti 2004. Ai ka konstatuar se në muajin korrik të vitit 2008, atij i është hapur një llogari tjetër, po në emër të tij, llogari për të cilën nuk ka pasur dijeni pasi kredia e marrë në vitin 2004 ishte disbursuar në një numër tjetër llogarie. Në këtë numër të ri llogarie, atij i është kredituar shuma prej 22.022 euro, ndërsa në llogarinë e vjetër, ishte kredituar po kjo shumë, me qëllim mbylljen totale të kredisë. Pra BKT, i kishte hapur një llogari të re ku ai normalisht bënte pagesat por pa ditur se në cilin numër llogarie bëheshin.
Për këtë fakt ai ka shprehur dyshime mbi mënyrën se si janë kryer këto operacione, hapja e një numri të ri llogarie, fakti se në këtë numër llogarie që ai rezultonte se kishte marrë një kredi në vlerën prej 22.022 euro dhe rrethanat mbi të cilat BKT –ja nuk e pajiste me dokumentacionin që kërkonte, e kanë bërë që ai të fillojë të interesohet për kredinë e tij pranë BSH –së. Dyshimi qëndron në faktin se të gjitha këto operacione për të cilat ai reklamon se nuk ka pasur dijeni, normalisht duhet të jenë të shoqëruara edhe me dokumentacionin përkates.
Nga korrespondenca me BSH –në, ai ka konfirmuar faktin se BSH –ja, kishte të raportuar nga BKT –ja, kredi në emër të kallëzuesit Olsi A. në vlerën prej 22.022 euro, jo kredi në vlerën 32.000 euro. Në lidhje me këstet mujore të kredisë, BSH –ja e informon se kushtet e kësaj kredie ishin që kësti mujor i pagesës ishte në vlerën 314 euro, për një afat 70 mujor. Sipas përllogaritjeve të tij dhe informacionit që jep BSH –ja, kjo kredi ishte marrë nga ana e kallëzuesit me interes 0. Një gjë e tillë kallëzuesi pretendon se nuk është e vërtetë pasi banka ka përfituar interes nga kredia e dhënë për të dhe se këstet mujore që ai paguante pranë BKT –së nuk ishin 314 Euro por afërsisht 400 Euro.
Në këto kushte, ku BSH –ja ka të regjistruar një kredi të tillë, pra me interes 0, pavarësisht se BKT raporton këst mujor në vlerën 314 Euro dhe nga mandat pagesat provohet se kredimarrësi ka paguar përgjatë gjithë periudhës shuma afërsisht 400 euro, kallëzuesit i ka lindur dyshimi se BKT- ja, duke mos deklaruar fitim nga interesa, në këtë mënyrë shmang edhe taksat që rrjedhin nga fitimi që BKT-ja vjel pikërisht nga interesat e kredive. Në kallëzim Olsi A. shprehet se kjo skemë, sipas informacionit konfidencial që ka arritur të marrë nga burime të tija, nuk është përdorur vetëm me rastin e kredisë së tij, por me të gjitha kreditë që janë transferuar nga dega Tirana 1 e BKT – së në degë të tjera të kësaj banke.
Mashtrimi me kreditë, zyrtarët e BKT-së dhe BSH-së që do pyeten nga prokuroria (Pjesa II)