Edhe pse temperaturat në Tiranë kanë shkuar deri në 40 gradë, efektivët e Policisë së Shtetit nuk janë pajisur ende me veshjet verore.
Gjatë një investigimi të bërë nga “Gazeta Shqiptare” për një periudhë kohore njëmujore, vërehet se asnjëri prej efektivëve të forcave “Shqiponja”, “Shigjetat” (efektivët me motorë), si dhe efektivë të Policisë së Rendit nuk kanë marrë rrobat verore. Ndërsa, Policia Rrugore është pajisur pjesërisht me këto veshje. Por, mesa duket këto nuk janë të vetmet “halle” që këta punonjës kanë.
Burime pranë radhëve të forcave “Shqiponja”, por edhe atyre të Rendit thanë për “GSH” se efektivët që kanë dalë jashtë rrethit, nuk kanë marrë ende dietat, ndërsa kanë vonesa edhe në pagesat e orëve suplementare. Po sipas tyre, një pjesë e uniformave blu, që janë komanduar jashtë rrethit në mbështetje të qarkullimit rrugor përsa gjatë sezonit turistik mësohet se sendet personale i kanë blerë vetë. Po ashtu, burimet e sipërpërmendura thanë më tej se këta efektivë duhet të mendojnë vetë edhe për banesën ku duhet të strehohen apo edhe për ushqimin. I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, shefi i Sektorit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Idriz Daulle, tha se efektivët e policisë janë komanduar në qytetet Vlorë, Fier, Durrës, por edhe në plazhin e Golemit dhe në Spille. “Sektori forcës së posaçme ‘Shqiponja’ ka 50 efektivë + 43 efektivë te motorët (Shigjeta). Nga ky sektor janë komanduar në Drejtorinë e Vlorës 8 efektivë me 4 motorë dhe në Drejtorinë e Fierit, 4 efektivë me 2 motorë. Gjithashtu, për sigurinë e rendit për sezonin turistik janë komanduar në Drejtoritë e Durrësit dhe të Vlorës 24 efektivë nga patrulla e përgjithshme, në Drejtorinë e Durrësit janë komanduar kryesisht për fundjavë 6 efektivë të Qarkullimi Rrugor nga patrulla e përgjithshme. Për sigurinë e plazheve në Golem dhe Spille janë komanduar 24 efektivë dhe 6 nga Qarkullimi”, tha Daulle. Përsa i përket problematikës së uniformave verore, “GSH” kontaktoi me Ministrinë e Brendshme, e cila nuk dha asnjë reagim.
Rrobat Prezantimi i uniformave të reja të Policisë së Shtetit u bë pesë muaj më parë nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Elementi kryesor i këtyre uniformave do të ishte shqiponja me përkrenaren e Skënderbeut lart, që është një derivat i shqiponjës origjinale nga modeli i flamurit të vitit 1992. Gjithashtu, gjatë prezantimit u raportua se në uniformën e re u rikthye shiriti i kuq në pantallonat e efektiveve të policisë. 5 muaj më parë u raportua se uniformat e reja do të ishin gati për skuadrën “Shqiponja” dhe Policinë Rrugore brenda javës (që nga momenti kur u bë prezantimi). Ndërsa për Policinë e Rendit pas disa javësh (që nga momenti kur u bë prezantimi).
Pagesat Një problematikë tjetër që haset në punën e punonjësve të policisë është edhe mospagimi i orëve suplementare (orët shtesë jashtë orarit zyrtar). Ndërsa, punonjësve e policisë që janë jashtë rretheve nuk u janë paguar dietat. Sipas burimeve, bëhet me dije se një pjesë e punonjësve kanë mundur të marrin një pjesë të dietave, por vetëm ato të para një viti. Mësohet se efektivët me motorë, ose siç njihen ndryshe “Shigjetat”, janë marrë nga Rendi me rekomandim, por nuk janë emëruar në sektorin e forcave të posaçme të “Shqiponjave”. Burime konfidenciale pranë radhëve të këtij sektori thanë më tej për “GSH”, se edhe pse bëjnë po të njëjtën punë si “Shqiponjat”, ata paguhen 100 mijë lekë të vjetra më pak se ta. Kujtojmë se një javë më parë, me urdhër të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, u pezulluan nga detyra 6 efektivë të “Shqiponjave”, pasi i kishin vendosur prangat kunatit të ministrit. Ky i fundit, mësohet se kishte penguar punën e policisë për të kryer një kontroll ndaj një personi të dyshimtë që kishte hyrë në lokalin e tij. Reagimi Pak ditë më parë, “Gazeta Shqiptare” kontaktoi me Ministrinë e Brendshme lidhur me mospajisjen e efektivëve me uniformat verore, por nuk pati asnjë reagim. Gjithashtu, enigmë mbeti edhe “fati” i gjashtë efektivëve të “Shqiponjave” të pezulluar nga detyra, pasi edhe për këtë rast nuk pati asnjë reagim.