Nga Boldnews.al
Në orën 00:40 të së premtes, parlamenti votoi një zëri draftin e dakordësuar të reformës në drejtësi. 140 deputetë, mes tyre edhe nga ata me procese gjyqësore të hapura, dhanë miratimin për ndryshimet kushtetuese që pritet të ç’rrënjosin sistemin aktual të drejtësisë.
Por edhe pse me vonesë, drafti i votuar në parlament ende nuk është i qartë për qytetarët. Boldnews.al ka analizuar çdo faqe të këtij drafti për ta sjellë më të thjeshtëzuar për publikun.
Në faqen e parë drafti nis me firmat e 10 anëtarëve të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi. Ata janë kryetari Fatmir Xhafaj, zv.Kryetari Oerd Bylykbashi dhe anëtarët Vasilika Hysi, Pandeli Majko, Ulsi Manja, Vexhi Muçmata, Arben Ristani, Gent Strazimiri, Fatmir Mediu dhe Petrit Vasili.
Edhe pse duhet të vijonte me metodologjinë e krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë, në faqen e dytë, neni 1 flet për të drejtë e ankimimit për zyrtarët që kryejnë vepra të lehta penale apo kanë çështje civile apo administrative. Po në këtë faqe, neni 2 ka rregullime përsa i përket arrestimit të deputetit në kushtet e flagrancës, pa autorizimin e kuvendit. Kujtojmë këtu se arrestimi i deputeti socialist Armando Prenga, u bë vetëm pas autorizimit nga Konferenca e Kryetarëve. Në fund të kësaj faqe është edhe përbërja e Gjykatës Kushtetuese ku 3 anëtarë do të emërohen nga Presidenti, 3 anëtarë do të zgjidhen Kuvendi dhe 3 të tjerë nga Gjykata e Lartë. Gjithashtu Kuvendi me një votim 3/5 do të zgjedhi kryetarin e Gjykatës Kushtetuese.
Në faqen e tretë vijojnë kriteret për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që nga arsimimi e deri tek kriteri që një kandidat duhet të paktën 10 vite e fundit të mos jetë marrë me politikë. Edhe faqja pasaardhëse e draftit për reformën në drejtësi vijon me përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese ndërsa përmbyllet me të drejtën e çdo qytetari për të ankimuar çdo akt të pushtetit vendor apo qëndror.
Në faqen e pestë, ajo që të bie në sy është Neni 134 që shpjegon se kush mund ta vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Sipas ndryshimeve, pranë këtij institucioni mund të ankimohet një çështje edhe nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave, KLGJ dhe KLP.
Në faqen e gjashtë kemi konfigurimin e një institucioni të ri, atë të një Gjykate të Posaçme që do të gjykojë veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta politike duke nisur nga Presidenti, kryeministri, ministrat, depuetët e deri tek Prokurori i Përgjithshëm. Antarët e kësaj gjykate të posaçme do të zgjidhen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), një tjetër institucion i ri.
Në faqen e shtatë shihen jepet sqarim se anëtari i Gjykatës së Lartë tashmë do të propozohet nga KLGJ dhe më pas do të emërohet nga Presidenti i Republikës për një mandat 9 vjeçar. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë do të zgjidhet nga radhët e gjyqësorit dhe duhet të ketë një eksperiencë mbi 13 vite. Ndërkohë 1/5 e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë do të zgjidhet nga bota akademike juridike, avokatë apo juristë të spikatur. Këta kandidat nuk duhet të kenë mbajtur poste politike për 10 vitet e fundit.
Faqja 8 dhe 9 flasin për përfundimin e mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe çështjet që ka në kompetencë për të shqyrtuar.
Në faqen 10, jepen detaje për Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ). Ky institucion i ri do të përbëhet nga 11 anëtarë, 6 prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët dhe 5 i zgjedh Kuvendi. Kandidaturat e Kuvendit do të jenë jurist profesionistë, ku 2 do të vijnë nga radhët e avokatëve, 2 të tjerë pedagogët e Fakultetit të Drejtësisë apo Shkolla e Magjistraturës dhe 1 nga shoqëria civile. Do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ai që do të bëjë verifikimin e kritereve të kandidatëve që garojnë për KLGJ. Dhe pas miratimit të tij, e dërgon këtë listë në komisionin Ad-Hoc. Ky komision përbëhet nga 5 deputetë, 3 të mazhorancës dhe 2 të opozitës. Me 4 vota nga 5, komisioni Ad-Hoc mund të rikthejë në kandidim edhe ata që janë përjashtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Pas dakordësisë, këta emra shkojnë për votim në Kuvend ku do të duhet të miratim 2/3 e deputetëve.
Në faqen 11 jepen funksionet e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) i cili ka për detyrë vlerësimin, emërimin, transferimin apo ngritjen në detyrë të gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Gjithashtu ka të drejtë të vendosë edhe masa disiplinore.
Në vijim, në faqen 12 janë përgjegjësit disiplinore të anëtarit të KLGJ. Institucioni që mund të shkarkojë një anëtarë të KLGJ është Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Ky institucion i ri është pjesë e asaj që quhet Veting, ku do të monitorojë çdo figurë të sistemit të drejtësisë. ILD zgjidhet me 3/5 e Kuvendit për një mandat 9 vjeçar ndërsa gëzon statusin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Sipas kritereve të përcaktuara në faqen 13 dhe 14, Inspektori i Lartë i Drejtësisë shkarkohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese.
Në faqen 15 është pozicioni i Prokurorisë. Bie në sy shtimi i Prokourorisë së Posaçme ose e njohur ndryshe si Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) e cila do të jetë në varësi të organit të akuzës. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7 vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi. Mandati i kryeprokurorit është zgjatur në 7 vjet ndërsa i janë shtuar detyrat pasi do t’i duhet të përfaqësojë akuzën në Gjykatën e Lartë ose Gjykatën Kushtetuese. Kriteret për përzgjedhjen e kryeprokurorit vijojnë në faqen 16.
Në vijim të draftit për reformën në drejtësi, kemi edhe krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Ky institucion do të përbëhet nga 11 anëtarë, 6 nga radhët e prokurorëve dhe 5 do të zgjidhen nga Kuvendi nga radhët e juristëve jo-prokuror. Edhe për KLP do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ai që do të seleksionoj sipas kritereve kandidaturat dhe më pas do të miratohen në Komisionin Ad-Hoc. E fundit do të jetë vota në parlament me 2/3.
Në faqen 20 kemi krijimin e një tjetër institucioni të rëndësishëm, atë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Funksioni i tij do të jetë vlerësimi i kandidaturave për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe gjyqëtar të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë dhe ka një mandat 1-vjeçar. Ata përzgjidhen nga Presidenti ku dy janë nga Gjykata Kushtetuese, një Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, 2 gjyqtar dhe 2 prokuror nga Apeli dhe një gjyqtar nga Gjykata Administrative.
Ndërkohë në faqet 21 dhe 22 hyn në fuqi roli i ndërkombëtarëve. I ashtuquajturi Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të ketë vetëm funksion monitorues gjatë kritereve të kandidatëve për KLGJ dhe KLP. ONM bashkë me Sekretarin e Përgjithshmë të Kuvendit do të bëjnë verifikimin e kandidatëve. Ndërkohë Kolegji i Apelimit do të marrë në shqyrtim ankesat nga kandidatët që skualifikohen në garën për një nga postet në sistemin e drejtësisë.
Në faqen 23 është sistemi i rivlerësimit ku do të përfshihen të gjitha gjyqtarët, prokurorët apo edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Rivleresimi kryhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa ankimet e subjekteve të rivleresimit ose të Komisionerit Publik shqyrtohen nga Kolegji i Apelimit pranë Gjykates Kushtetuese. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisioneri Publik janë institucione të përkohshme pasi do të kenë një mandate 5-vjeçar dhe më pas do të shkrihen.
Në faqen 25 dhe në vijim kemi rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të cilët përbëhen nga vëzhgues të huaj. Vezhguesi nderkombetar ushtron këto detyra:
a) i jep rekomandime Kuvendit lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin e anëtarit të Komisionit, gjyqtarit të Kolegjit të Apelimit dhe Komisionerit Publik;
b) paraqet gjetje dhe mendime mbi çështje që shqyrtohen nga Komisioni dhe nga Kolegji i Apelimit, si dhe kontribuon për kontrollin e figures. Lidhur me këto gjetje, vëzhguesi ndërkombëtar mund të kërkojë që komisioni ose Kolegji i Apelimit të marrë në shqyrtim prova ose të paraqesë prova të marra nga organet shtetërore, entitetet e huaja ose personat privat;
c) u jep Komisionereve Publike rekomandime me shkrim për të paraqitur ankim. Në rast se Komisioneri Publik nuk i zbaton rekomandimet, ai përgatit një raport me shkrim duke dhënë arsyet e refuzimit.
ç) kanë të drejtën të marrin të gjithë informacionet menjëherë, të dhënat për persona dhe dokumentet e nevojshme, me qëllim monitorimin e procesit të rivleresimit në të gjitha nivelet dhe fazat.
Shkarko draftin final të Reformës në Drejtësi