Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka deklaruar sot se krijimi i një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme është e vetmja rrugë në kushtet e degradimit të qeverisjes.
Në një deklaratë për mediat, Basha përshëndet deklaratat e kreut të Kuvendit dhe i përgjigjet pozitivisht ftesës së tij për një takim shumëpalësh, ku të diskutohet për vetingun sipas Venecias dhe jo propozimit hibrid të ambasadorëve.
Ndryshe flet kreu i PD-së për ftesën e Ramës, për një takim ku do të paraqitet me duart në xhep. Sipas bashës kjo nuk është as serioze, as produktive.
DEKLARATA E BASHËS
Partia Demokratike dhe unë e kemi konsideruar dhe e konsiderojmë krijimin e një qeverie teknike si një domosdoshmëri për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe për stopimin e krizës së gjithanshme të vendit.
Nga kjo pikëpamje në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës mirëpres qëndrimin e djeshëm të kryetarit te LSI Ilir Meta për krijimin e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve të lira në vend.
Fakti që një parti qeveritare i bashkohet në mënyrën dhe autonominë e vet opsionit të opozitës tregon qarte se kjo është rruga e vetme, në kushtet e degradimit ekstrem të qeverisjes, për një konkurrim të lirë, të drejtë e të barabartë të partive në zgjedhje, duke e lënë vendimin në duart e sovranit.
Zoti Meta e sheh të lidhur propozimin e tij, me domosdoshmërinë e votimit me konsensus të reformës në drejtësi. Dëshiroj të nënvizoj se PD dhe opozita kanë kërkuar dhe janë angazhuar që prej fillimit e deri në këtë sekondë për një reformë konsensuale të standardeve të Venecias dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerin tonë strategjik SHBA dhe BE.
Në funksion të konsensusit dhe për të mundësuar një bashkëpunim sa më të mirë, ne kemi promovuar vlerat dhe rëndësinë historike të kësaj reforme për të luftuar krimin dhe korrupsionin në nivelet e larta kudo qoftë ai. Por ne nuk kemi rënë asnjë çast në mendësinë antidemokratike dhe në provokimet e ulëta të atyre që kanë dashur e duan ta sabotojnë e damkosin reformën duke ia caktuar ata dhe jo ligji viktimat.
Në këtë linjë koherente ne e kemi korrigjuar reformën, duke u përfshirë në një dinamikë intensive bashkëpunimi, në respekt të ndërsjelltë dhe me përkushtim të madh, me miqtë dhe partnerët.
Bilanci është i lehtë për t’u bërë. Kush e ka shërbyer më shumë reformën: Ne, opozita që kemi qenë aktive deri duke diskutuar e debatuar për zgjidhje të ndryshme me partnerët apo Rama me të tijët që kanë tentuar vazhdimisht kapjen e drejtësisë dhe kur nuk u ka ecur, kur janë kthyer mbrapsht nga opozita dhe ndërkombëtarët kanë bërë e bëjnë lojëra politike me pasivitetin e tyre?
Ne kemi marrë përsipër koston e debateve, por sot e gjithë ditën, para miqve dhe publikut te gjere shqiptar kemi nderin të pohojmë se kemi bërë detyrën e opozitës për një ngrehinë drejtësie që duhet tu rezistojë viteve e dekadave.
Asnjëherë, as sot dhe as në të ardhmen, nuk kemi përfytyruar e nuk do të përfytyrojmë përjashtimin e miqve dhe partnerëve. Përkundrazi, pa ta nuk ka reformë të vërtetë në asnjë fushë, nuk ka përparim të vendit drejt BE dhe standardeve më të përparuara të demokracisë.
Sot jemi me afër se kurrë finalizimit të marrëveshjes. Unë i kam autorizuar ekspertet e PD, ata janë gati. Ulja ka zgjidhje. Vullneti i mirë ka zgjidhje.
Thirrja e Ramës për t’u takuar me mua në një takim ku ai thotë se do të vijë me duart në xhepa duke pretenduar se vjen në emër të ambasadorëve nuk është as serioze, as produktive. Shefi i opozitës i takon drejtpërsëdrejti ambasadorët. Edhe Ramën nëse nuk fshihet pas ndërkombëtarëve.
Nga ana tjetër, mbështesim dhe mirëpresim propozimin e Metës për një dialog shumëpalësh. Gjithëpërfshirja ka zgjidhje.
PD është e gatshme të marrë pjesë në këtë format takimi, të ekspozojë pa asnjë paragjykim apo prapamendim bazën ligjore të propozimeve të saj për vetingun, të negociojë zgjidhje që mundësojnë plotësisht rolin më aktiv të ndërkombëtareve në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit te Venecias.
Zgjidhja është e mundshme dhe duhet të arrihet patjetër, me kontributin e të gjithëve, me forcën imponuese të argumenteve dhe largpamësisë, siç i ka hije përgjegjësisë politike, bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik.