PD nuk ka pranuar propozuar propozimin hibrid të ndihmës sekretares amerikane Viktoria Nuland për reformën në drejtësi dhe ka dorëzuar një draft të ri ku kërkon përjashtimin e ndërkombëtarëve nga vetingu.
PD ka dorëzuar një propozim të ri lidhur me reformën në drejtësi si kundërpërgjigje ndaj propozimit më të ri amerikan bërë të dielën gjatë vizitës së Nënsekretares së Shtetit, Viktoria Nuland.
Sipas burimeve brenda PD dhe siç shihet në draft, propozimi i PD-së kërkon përjashtimin e ndërkombëtarëve nga vetingu. Komisioni zgjidhet politikisht dhe është ai që përjashton kandidatët.
Amerikanët propozuan që të marrin ata dhe jo europianët në dorë drejtimin e Komisionit Ndërkombëtar të Vetingut. Propozimi i PD-së është bërë dje. Por ai bie në kundërshtim me atë që kërkojnë ndërkombëtarët.
Partia Demokratike ktheu një përgjigje për propozimin amerikan të kompromisit dhe përgjigja e opozitës nuk i jep Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian fuqi vendimmarrëse në procesin e vettingut.
Në propozimin e saj të ri, opozita u jep ndërkombëtareve rol vëzhgues, por jo atë “të duhurin”, siç u shpreh të dielën Ndihmëssekretarja e Shtetit, Viktoria Nuland.
Në propozimin amerikan, ndërkombëtarët kishin fuqi vendimarrëse për procesin e verifikimit të pastërtisë së figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa opozita i përjashton ata nga ky rol.
Hapat e parashikuar nga propozimi i PD për vettingun:
1. Avokati bën shpalljen për aplikim.
2. Avokati çon listën e plotë në Kuvend, pa përjashtuar asnjë kandidat.
3. Lista i dërgohet Kuvendit bashkë me dokumentacionin zyrtar. Procesi zhvillohet me monitorim nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
4. Kuvendi krijon 2 komisione ad hoc. Njëri me 12 anëtarë, tjetri me 6 anëtarë. Në çdo rast me përbërje të barabartë.
5. Komisioni me 6 anëtarë shqyrton kandidatët dhe verifikon përmbushjen e kritereve. Ky komision merr vendim për përjashtimin e një kandidati (akt administrativ) bazuar vetëm në prova.
6. Pas seleksionimit dalin 3 lista. (a) lista me kandidatët për komisionerë, b) lista me kandidatët për komisionerë publikë c) lista me kandidatët për gjyqtarë);
Në propozimin e PD-së thuhet se “Vëzhgues nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë të drejtë të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të kandidatëve pa asnjë kufizim. Kjo trupë ka të drejtë të ketë akses të plotë dhe të papenguar tek çdo dokumentacion që administron komisioni.” propozimi i PD-së thotë se “Pas përfundimit të shqyrtimit të kandidatëve nga komisioni ad hoc, ONM ka të drejtë t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar me vlerësim për secilën kandidaturë, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore dhe dokumentave dhe provave të administruara nga komisioni”
7. Kandidatët e përjashtuar kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Kushtetuese.
8. Komisioni ad hoc me 12 anëtarë zgjedh 12 komisionerët e Komisionit të Kualifikimit. Propozimi parashikon që “zgjedhja bëhet pa debat përmes një votimi të fshehtë elektronik, ku secili anëtar i komisionit voton për 1 kandidat. Procesi mundëson që zgjedhjet të jenë sekrete duke shmangur kështu etiketimin politik të kandidatëve”.
9. I njëjti komision ad hoc nga parlamenti me 12 anëtarë zgjedh edhe 2 Komisionerët Publikë (përsëri pa debat dhe përmes një votimi të fshehtë elektronik). 2 kandidatët që marrin më shumë vota do të quhen fitues. Nqs 2 ose më shumë kandidatë marrin një numër të barabartë votash, fituesi zgjidhet me short midis tyre.
Propozimi i PD-së përfshin një mënyrë të ngjashme edhe zgjedhjen e gjyqtarëve që do të vendosin për ankimimet e kandidatëve të përjashtuar nga procesi i vettingut.
10. Kuvendi mund të pranojë ose rrëzojë listën e kandidatëve në bllok me një shumicë të cilësuar (2/3). PD thotë se kështu “Kuvendi nuk e ka të mundur të pranojë ose rrëzojë vetëm një pjesë të listës”.