Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal me të paktën tri akuza për Kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Lidhur me foton 80 mijë dollarëshe që ka paguar Rama me Presidentin e SHBA-së, Barak Obama në vitin 2012, PD ka bërë një Kallëzimnë Prokurori.
Rama mori pjesë në mbrëmjen për fondet e fushatës së Obamës përmes një shqiptaro-amerikani, i cili kishte paguar 80 mijë Dollarë. Shqiptaro-amerikani, i cili është nën hetim nga autoritetet amerikane, ka pranuar se pagoi 80 mijë Euro që i erdhën si donacion nga një burim i panjohur, e që shkoi në mbrëmjen për fondet e Obamës me Kryeministrin Edi Rama.
“Qartësisht Edi Rama, ka konsumuar të paktën 3 vepra penale, nga veprimet e tij të kundërligjshme”, thuhet në kallëzimin e PD-së.
Pjesa e dytë e denoncimit të PD ndaj Kryeministrit Edi Rama:
LIGJI I APLIKUESHEM
Kodi i Procedurës Penale, në nenet 280 dhe 283 e tij parashikon se:
Neni 280
Marrja dijeni për veprën penale
Prokurori dhe policia marrin dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët.
Neni 283
Kallëzimi nga ana e shtetasve
Çdo person që ka marrë dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht duhet ta kallëzojë atë. Në rastet e caktuara me ligj kallëzimi është i detyrueshëm.
Nga ana tjetër Kodi Penal në dispozitat e tij parashikon se:
Neni 245/1
Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike
Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, personit që premton ose siguron se është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është realizuar ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Neni 257/a
Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim
Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Neni 287
Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet:
a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
b) fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
c) fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave;
d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;
dh) këshillimit, ndihmës, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër;
– dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet me burgim.
Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe kur:
a) vepra penale, produktet e së cilës pastrohen, është kryer nga një person që nuk mund të merret si i pandehur ose që nuk mund të dënohet;
b) ndjekja penale për veprën, produktet e së cilës pastrohen, është parashkruar ose amnistuar;
c) personi që kryen pastrimin e produkteve është i njëjtë me personin që ka kryer veprën, nga e cila kanë rrjedhur produktet;
ç) për veprën penale, nga e cila kanë ardhur produktet, nuk është filluar asnjëherë çështja penale apo nuk është dhënë një dënim me vendim penal të formës së prerë;
d) vepra penale, produktet e së cilës pastrohen, është kryer nga një person, pavarësisht shtetësisë së tij, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe është njëkohësisht e dënueshme, si në shtetin e huaj, ashtu edhe në Republikën e Shqipërisë.
Dijenia dhe qëllimi, sipas paragrafit të parë të këtij neni, nxirren nga rrethana fakti objektive.
ANALIZA LIGJORE E FAKTEVE
Është shumë e rëndësishme jo vetëm për ne, por dhe për çdo qytetar të këtij vendi, që në momentin që vihet në dijeni të kryerjes së një vepre penale, aq me shumë kur ajo konsumohet nga subjekte të cilat kanë si prerogativë mbizotërimin e ligjit dhe duhet të garantojnë ndëshkueshmërinë e dhunuesve, të bëjë ai vetë kallzimin penal. I takon prokurorisë më pas marrja e të gjitha masave për dënimin dhe vënien para drejtësisë së autorëve pavarësisht funksioneve të tyre apo pozitës që gëzojnë.
Ashtu si parashtruar edhe me sipër, rezulton qartë së Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në vitin 2012, ka përdorur 80 mijë dollarë, për të bërë një financim të paligjshëm në fushatën elektorale në SHBA, nëpërmjet të cilës ka synuar të përfitonte një pjesëmarrje në aktivitetin që organizonte Presidenti i SHBA-së, dhe eventualisht të siguronte foto gjatë takimit me të.
Edhe pse legjislacioni amerikan, ndalon pjesëmarrjen e shtetasve të huaj në aktivitete të këtij lloji, përsëri Edi Rama, nëpërmjet veprimeve të tij, jo vetëm ka paguar 80 mijë dollar, por edhe ka tentuar të futet në një aktivitet të tillë, duke arritur të siguronte një foto spontane me Presidentin Obama. Veprime të tilla, passjellin nevojën e hetimit penal mbi këto aspekte:
Duke qenë e ndaluar pjesëmarrja në këtë aktivitet, pagimi i një shume të hollash (80 mijë dollarë), a përbën dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i një përfitimi financiar të parregullt, për një person (Bilal Shehu) që premton është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës nga personat të huaj që ushtrojnë funksione publike (Komisioni i Përbashkët për Mbledhje Fondesh)?
A është deklaruar ligjërisht disponimi i shumës prej 80 mijë dollar nga shtetasi Edi Rama, në kuadër të detyrimit të tij për deklarimin e pasurisë për vitin 2011, si Kreytar i Bashkisë Tiranë? A janë paguar taksat dhe detyrimet e tjera financiare ndaj shtetit shqiptar, për këtë shumë,
Si është siguruar shuma prej 80 mijë dollar nga shtetasi Edi Rama dhe a është ajo ligjërisht e justifikuar?
Nëse shuma prej 80 mijë dollarë nuk është deklaruar dhe nuk është ligjërisht e jusitifikuar, a është kjo shumë produkt i një vepre penale a veprimtarie kriminale të kryer nga shtetasi Edi Rama?
Qartësisht Edi Rama, ka konsumuar të paktën 3 vepra penale, nga veprimet e tij të kundërligjshme. Subjekt i veprës penale është i kallëzuari nga ana jonë, që ushtron atributet e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë. Subjekti i veprës penale për shkak të pozicionit të lartë publik dhe përgjegjësive që gëzon, jo vetëm duhet të zotërojë një njohje perfekte të legjislacionit por duhet që me anë të sjelljes së tij, e materializuar kjo në urdhra, akte ,veprime, të bëhet promotor i zbatimit model të ligjit për shkak edhe të influencës mbi masën e gjerë të kolektivitetit. Kryeministri në një vend demokratik duhet të jetë asgjë më pak se promotori dhe garanti i parë i Kushtetutës dhe i ligjeve të vendit dhe jo shkelësi i parë i tyre.
Marrja në përgjegjësi penale e Kryeministrit të një vendi, për veprime të kryera përapra marrjes së funksionit, nuk do të ndodhte për herë të parë në Shqipëri. Gjithashtu, edhe procedimi penal i një Kryeministri në detyrë, për akuzën e mashtrimit dhe pastrimit të parave, nuk do të ndodhte për herë të parë në Shqipëri.
BBC Neës, më 13 Korrik 2015 dhe 17 Shtator 2015, do të raportonte se për dyshime të ngashme, që kishin të bënin me mashtrim dhe pastrim parash në vlerën 55 mijë Euro, është proceduar penalisht dhe është në gjykim, edhe Kryeministri i Rumanisë z. Victor Ponta[1]. Veprimet e dyshuara si kriminale edhe në atë rast kishin ndodhur përpara vitit 2012, kohë në të cilin ishte zgjedhur Kryeministër i Rumanisë. Pozita e posacme shoqërore nuk pengoi prokurorinë speciale antikorrupsion në Rumani, që ta merrte Kryeministrin Victor Ponta nën përgjegjësi penale dhe ta dërgonte për gjykim me akuzën e mashtrimit dhe pastrimit të parave.
Për këtë arsye, ne besojmë se me të njëjtën pavarësi dhe profesionalizëm, duhet të veprojë edhe Prokuroria Shqiptare, duke marrë nën përgjegjësi penale, Kryeministrin Edi Rama, për veprën penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, fshehjen e pasurisë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale (pastrim parash), të kryer në rrethanat si më poshtë:
Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike
Pagimi i shumës prej 80 mijë dollar, me qëllim sigurimin e pjesëmarrjes në një aktivitet të ndaluar për shtetasin Edi Rama, përbën ekzaktësisht ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe tentativë për mashtrim ndaj funksionarëve publik të huaj. I vetëdijshëm se e ka të ndaluar pjesëmarrjen në një aktivitet elektoral të Presidentit të SHBA Barack Obama, shtetasi Edi Rama, rezulton se i ka paguar shtetasit shqiptaro-amerikan Bilal Shehu, shumën prej 80 mijë Dollar, duke marrë premtimin nga ky i fundit, se ai do të arrinte të ushtronte ndikim të paligjshëm ndaj Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh, me qëllim lejimin e Edi Ramës për të marrë pjesë në këtë aktivitet. Me parat e paguara nga Edi Rama, dhe në bashkëpunim me të, shtetasi Bilal Shehu, ka arritur të sigurojë dy ftesa hyrjeje në eventin për mbledhjen e fondeve. Mirëpo, duke qenë se ftesa nuk mund të jepej në emrin e Edi Ramës, ka patur të shënuar emrin e bashkëshortes së Bilal Shehut. Kjo ka qenë arsyeje se përse shtetasi Edi Rama nuk është lejuar të futej në këtë event, duke i pamundësuar kësaj realizimin deri në fund të veprimtarisë së tij kriminale.
Pavarësisht se veprimtaria kriminale e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm me qëllim pjesëmarrjen në aktivitet, nuk është mundësuar, ky fakt nuk e përjashton Edi Ramën nga përgjegjësia penale, për konsumimin e veprës penale të parashikuar në nenin 245/1 të Kodit Penal “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Kjo për faktin se, sipas nenin 245/1 të Kodit Penal, vepra penale konsiderohet e kryer, pavarësisht nëse është realizuar ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara.
Marrëdhëniet juridike të vendosura me ligj për të siguruar veprimtarinë normale të funksionarëve publik, shqiptar apo të huaj, gëzojnë mbrojtje të posacme nga legjislacioni penal. Nga rrethanat e faktit të parashtruara më sipër dhe nga interpretimi i dispozitave ligjore në fjalë rezulton se Edi Rama, me veprimet e tij aktive ka konsumuar në mënyrë të plotë elementët e veprës penale të parashikuar në nenin 245/1 të Kodit Penal. Shtetasi Edi Rama, jo vetëm ka ushtruar ndikimin e paligjshëm nëpërmjet pagimit të shumës prej 80 mijë dollar ndaj personit që i kishte premtuar se do t’i siguronte në mënyrë të paligjshme pjesëmarrjen në aktivitetin elektoral të Tetorit 2012 në SHBA, por edhe ka tentuar ta konsumojë të plotë këtë veprim të kundërligjshëm, duke provuar të futej në këtë aktivitet, pavarësisht se nuk është lejuar, për shkak se nuk ishte znj. Shehu, por shtetasi shqiptar Edi Rama.
Në këtë mënyrë, Kryeministri Edi Rama ka konsumuar plotësisht anën objektive të veprës penale të parashikuara nga neni 245/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë, ekziston edhe lidhja shkakësore e drejtpërdrejtë midis veprimit të kundërligjshëm të Kryeministrit (pagimit të shumës prej 80 mijë dollarë dhe përpjekja për të marrë pjesë në një aktivitet të ndaluar me ligj), dhe veprimeve të personit që kishte premtuar ushtrimin e ndikimit të paligjshëm (pagimi prej tij si donacion për fushatën elektorale të shumës prej 80 mijë dollar, dhe sigurimi i dy ftesave për pjesëmarrjen në aktivitet, me qëllim që t’i siguronte hyrjen e paligjshme Edi Ramës).
Ky rast përbën kështu jo vetëm një shkelje të rëndë që i bëhet sistemit juridik penal në Shqiperi, por edhe cënon rëndë marrëdhëniet me partnerin tanë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak se tentativa për të shkelur ligjet amerikane dhe për të mashtruar autoritetet amerikane, është kryer nga një person që aktualisht ushtron detyrën e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë.
Ana subjektive e veprës penale, dashja në kryerjen e kësaj vepre tregohet qartë nga fakti se ligji amerikan e ndalonte pjesëmarrjen në aktivitet, por pavarësisht kësaj, Edi Rama ka udhëtuar në SHBA, me qëllim që të merrte pjesë në aktivitetin e San Francisko më 8 tetor 2012, për të cilin kishte paguar edhe shumën 80 mijë dollar. Kjo është dëshme që provon se shtetasi Edi Rama, me detyrë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, me dashje ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publik të huaj.
Fshehja e pasurisë dhe pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
Kontributi financiar prej 80 mijë dollar nga shtetasi Edi Rama, ngre edhe një cështje tjetër madhore, mbi burimin e ligjshëm të këtyre të ardhurave dhe faktin se ato nuk janë deklaruar kurrë se disponoheshin nga Edi Rama.
Edi Rama, deri në vitin 2011, ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe ka qenë i detyruar të deklaronte pasurinë e tij. Në deklarimin e fundit të pasurisë, të kryer pas largimit nga funksioni (viti 2011), nuk rezulton që të ardhurat dhe gjendja financiare e Edi Ramës të arrinin shumën 80 mijë dollar. Mirëpo, pagimi prej tij i kësaj shume, nënkupton se Edi Rama, gjatë deklarimit të pasurisë, ka kryer fshehje të të ardhurave dhe pasurisë së tij.
Me ligj, Edi Rama ka patur detyrimin të deklaronte pasurinë e tij në gjendjen reale të saj, në momentin e largimit nga funksioni. Ekzistenca e një pasurie prej 80 mijë dollar, të padeklaruar sipas detyrimit që kishte me ligj, e ngarkon Edi Ramën me përgjegjësi penale, sipas nenin 257/a të Kodit Penal, për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Fshehja e pasurisë nga Edi Rama, nënkupton se këto të ardhura janë krijuar jo nga një burim i ligjshëm, cka ngre dyshimin e arsyeshëm se kjo shumë parash të jetë siguruar nga një veprimtari e kundërligjshme dhe kriminale. Përdorimi i saj, nëpërmjet transferimit të pasurisë nga Edi Rama tek Bilal Shehu, rezulton të jetë bërë edhe për qëllime të mbulimit të origjinës së paligjshme të saj. Në këto kushte, fshehja ose mbulimi i natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, e cila nëse nuk është siguruar nga një burim i ligjshëm, atëherë është produkt i ndonjë vepre penale ose i veprimtarisë kriminale, e ngarkon Edi Ramën me prgjegjësi penale, sipas nenit 287 të Kodit Penal.
Në këtë rast, sipas nenit 287 të Kodit Penal, për konsumimin e veprës penale të pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale, nuk ka rëndësi që për veprën penale, nga e cila kanë ardhur produktet, nuk është filluar asnjëherë çështja penale apo nuk është dhënë një dënim me vendim penal të formës së prerë. Gjithashtu, dijenia dhe qëllimi, nxirren nga rrethanat e faktit, që lidhen me disponimin e një shume të hollash të pajustifikuar ligjërisht, dhe përdorimi i saj për arritjen e një qëllimi kriminal.
Në këtë mënyrë, Kryeministri Edi Rama ka konsumuar plotësisht anën objektive të veprave penale të parashikuara nga nenet 257/a dhe 287 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë, ekziston edhe lidhja shkakësore e drejtpërdrejtë midis veprimit të kundërligjshëm të Kryeministrit (disponimit të një shume të padeklaruar dhe të pajusitifikuar ligjërisht), dhe përdorimit të saj në një veprimtari tjetër të kundërligjshëm, duke fshehur burimin dhe duke tjetërsuar pronësinë.
Ana subjektive e veprës penale, dashja në kryerjen e këtyre veprimeve tregohet qartë nga fakti se edhe pse e dispononte, Edi Rama, me vullnet të plotë nuk e ka deklaruar, ndërkohë që e ka përdorur këtë shume, pavarësisht se nuk ka qenë pasuri e fituar ligjërisht, duke siguruar pastrimin e produktit të një vepre tjetër penale (eventualisht korrupsionit – përfitimit të paligjshëm të pasurisë).