Të shtëna me armë zjarri pranë një parkingu si dhe dy shpërthime kamikaze në terminalin e Aeroportit “Ataturk” të Stambollit, janë dëgjuar mbrëmjen e së martës, ndërsa ministri turk i Drejtësisë Bekir Bozdag flet për të paktën 28 të vdekur e rreth 60 të tjerë të plagosur mes pasagjerëve që prisnin të udhëtonin.
Automjete të shumta emergjencash shkuan menjëherë në vendngjarje, ndërsa periferia e aeroportit u bllokua për mjetet e tjera. Mësohet gjithashtu se janë ndaluar edhe linjat e metrove që të dërgonin në këtë aeroport.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, taksitë e ndodhura aty kanë transportuar të plagosurit për në spitalet më të afërta, për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Ende nuk dihen përgjegjësit e shpërthimeve.
Turqia ka përjetuar disa raste shpërthimesh gjatë muajve të fundit, të cilat janë lidhur me kurdët apo me militantët e Shtetit Islamik. Mes tyre rasti i Stambollit që pati për objektiv turistët, por edhe shpërthime në rajonin Juglindor me shumicë kurde që kanë shënjestruar forcat e policisë dhe ushtarët.
Sulme të tilla janë rritur së tepërmi në shkallë të gjerë dhe frekuenca të larta, duke frikësuar ndjeshëm turistët e huaj e duke sjellë për pasojë dëmtimin e ekonomisë turke, e cila bazohet kryesisht në të ardhurat prej turizmit.
Aeroporti “Ataturk” i Stambollit është i treti në Europë për nga numri i pasagjerëve, teksa në vitin 2015 janë shënuar plot 61.8 milionë të tillë që kanë kaluar përmes terminaleve të tij. Ai konsiderohet gjithashtu një nyje lidhëse e fluturimeve mes Europës dhe Azisë.
https://www.youtube.com/watch?v=gOcgQhT1Xtw