Në shkelje të ligjit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Presidenti i Republikës Bujar Nishani janë rreshtuar haptazi kundër meritokracisë, duke i emëruar magjistratët e rinj në gjykata mbi një short të mbajtur me dyer të mbyllura.
Javës që vjen 9 magjistratë të rinj nga Shkolla e Magjistraturës që i përkasin viteve akademike 2012-2015, pritet të betohen në një ceremoni të udhëhequr nga Presidenti Bujar Nishani, pas dekretimit të tyre në postet e gjykatësit.
Ceremonia e betimit pritet të mbahet në nota të zymta, pasi 5 nga nëntë magjistratët që do të betohen, kanë paditur Presidentin e Republikës dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, pasi këta të fundit vendosën të ndryshonin rregullat e lojës për emërimin e tyre.
Në kundërshtimin me ligjin për organizimin e Shkollës së Magjistraturës, KLD ka vendosur mos ta mbështesë emërimin e gjykatësve të rinj në rezultatet e tyre shkollore, por në një short që është mbajtur në mbledhjen e saj të fundit.
Si pasojë e shortit pesë nga kandidatët që kishin rezultatet më të lartë janë emëruar në gjykata të vogla dhe asnjë prej tyre në gjykatën e Tiranës.
Magjistratët e kanë kundërshtuar vendimin e KLD-së si të padrejtë dhe të jashtëligjshëm dhe e kanë ankimuar atë në gjykatën administrative. Megjithatë, pa i dhënë shansin gjykatës që të shprehet, Presidenti Bujar Nishani është nxitur t’i dekretojë magjistratët e rinj sipas vendimit të KLD-së.
Ndërkohë, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani e ka justifikuar shkeljen e ligjit për Shkollën e Magjistraturës si një “procedurë të ndershme,” dhe i ka kërcënuar magjistratët e rinj se në qoftë se nuk pranojnë emërimin e akorduar nga KLD ato do të humbasin të drejtën për të ushtruar profesionin si gjyqtarë.
Vendimin i KLD-së dhe Presidentit për të ndryshuar rregullat e lojës dhe për emërimin e gjyqtarëve të rinj, vjen në një kohë kur parlamenti po diskuton një reformë të thellë kushtetuese të sistemit të drejtësisë, e cila bazohet pjesërisht mbi paaftësinë e KLD-së për të respektuar ligjin në promovimin e gjyqtarëve dhe vlerësimin e tyre.
Procedura e ndjekur nga KLD dhe Presidenti është qortuar dhe nga Këshilli i Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, i cili e ka cilësuar jo vetëm të paligjshëm por edhe një tentativë për të shmangur konkurrencën dhe për t’i demotivuar magjistratët e rinj me forcën e pushtetit politik.
KLD hedh short
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili udhëhiqet nga Presidenti Republikës, ka përgjegjësi dhe angazhim të drejtpërdrejtë në organizimin, në kontrollin e funksionimit të sistemit gjyqësor dhe atë të Shkallës së Parë dhe të Apelit.
Një nga përgjegjësitë e këtij Këshilli është dhe emërimi i gjyqtarëve të rinj të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës.
Sipas nenit 20 të ligjit “ Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë”, gjyqtarët dhe prokurorët magjistrat emërohen respektivisht nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe nga Prokurori i Përgjithshëm sipas vlerësimit të tyre përfundimtar dhe të Përgjithshëm në përfundim të tre viteve akademike, vlerësim i cili realizohet nga Këshilli Pedagogjik i Shkollës së Magjistraturës.
Ky vlerësim i magjistratëve ka dy komponentë të rëndësishëm: 1) vlerësimin narrativ, me pesë shkallë: shkëlqyeshëm, shumë mirë, mirë, mjaftueshëm dhe pamjaftueshëm dhe 2) vlerësimin me pikë, që jep sasinë e pikëve të grumbulluara për çdo magjistrat në çdo lëndë apo element të trajnimit fillestar në tre vjet.
Në bazë të nenit 20 të ligjit, Shkolla e Magjistraturës, i dërgon Presidentit të Republikës të dhënat e procesit të vlerësimit për të bërë emërimin përfundimtar të magjistratëve në vendet vakante, në përputhje me shkallën e vlerësimit të tyre. Kjo procedurë e bazuar në ligj është zbatuar që nga diplomimi i brezit të parë të magjistratëve.
Por ndryshe nga tradita dhe në kundërshtim me ligjin, KLD në mbledhjen e së hënës vendosi të ndryshojë rregullat e lojës, duke e bazuar emërimin e gjyqtarëve të rinj në një short të mbajtur me dyer të mbyllura.
Propozimi në KLD për vendosjen e shortit në emërimin e gjyqtarëve të rinj është bërë nga Artan Broci dhe ndër emrat që kanë votuar pro janë, Gjin Gjoni, Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani dhe Astrit Haxhialushi.
Yrfet Shkreli, një nga magjistratet e prekur nga vendimi i KLD-së i tha BIRN, që pasi vendimi për ndryshim e rregullave të përzgjedhjes së gjyqtarëve të rinj është rrëzuar fillimisht në KLD, ai është votuar përsëri dhe është miratuar me votën e ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani.
“Pas diskutimeve pro dhe kundër, është hedhur në votim propozimi dhe pesë anëtarë kanë votuar pro dhe pesë anëtarë të pranishëm kanë votuar kundër. Sakaq propozimi, duke mos arritur shumicën e kërkuar nga ligji, dhe është rrëzuar,” tha Shkreli.
“Ka ardhur ministri i Drejtësisë në mbledhje dhe menjëherë është propozuar votimi edhe një herë i propozimit të rrëzuar tashmë. Në rivotim votat janë ndarë në gjashtë pro shortit dhe pesë kundër. Ministri i Drejtësisë ka determinuar rezultatin që për ne është krejtësisht i jashtëligjshëm,” shtoi ajo.
Padia në Gjykatë
Matilda Fetahu, renditet si magjistratja që gjatë viteve 2012-2015, ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës me rezultatet më të larta duke u renditur e para në mes të kolegëve të saj.
Në përfundim të studimeve ajo priste, që sipas ligji për Shkollën e Magjistraturës, të emërohej në gjykatën e Tiranës, por në kundërshtimin me ligjin KLD-ja e ka emëruar pas një shorti të dyshimtë në Gjykatën e Elbasanit.
Duke e konsideruar vendimin e marrë nga KLD si të paligjshëm dhe jo transparent, Fetahu së bashku me katër studentë të tjerë të shkëlqyer magjistrat, e ka paditur në Gjykatën Administrative vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe Presidentin e Republikës.
“Kjo procedurë jo transparente e paligjshme dhe arbitrare nuk mundet të përbëjë proces të rregullt ligjor, nuk mundet të quhet short një procedurë shorti e zhvilluar me dyer të mbyllura dhe duar të panjohura që zgjedhin fatin apo determinojnë rastësinë,” thuhet në akt-padinë e dorëzuar më datë 21 qershor në Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e firmosur nga Nertila Kape, Yrfet Shkreli, Esmerilda Habili, Matilda Fetau, Gentjan Marku.
“Nuk është respektuar e drejta për t’u dëgjuar para se të gjykohemi në kundërshtim me nenin 33 dhe 42 të Kushtetutës,” padia shton.
Përveç padisë në gjykatë, magjistratët kanë pasur dhe një takim më Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin, për t’i shprehur shqetësimin e tyre për shkeljen e ligjit.
Delegacioni i BE-së dhe në mënyrë të veçantë ambasadorja Vlahutin është pjesë e një shtyse të fortë të udhëhequr nga Brukseli për të reformuar sistem e korruptuar të drejtësisë në Shqipëri.
“Ambasadorja kërkoi të dëgjonte nga ne ankesat tona për procedurën e ndjekur në emërimin tonë, dhe nga sa ne shpjeguam gjetëm mbështetjen e saj,”tha Yrfet Shkreli, e cila është e vetëdijshme për betejën që ka nisur bashkë me moshatarët e saj.
“E dimë që kemi nisur një beteje por kjo e jona nuk është një çështje qefëmbetje por një kauzë e drejtë në respektim të ligjit. Ne na kërkojnë të bëhemi gjyqtarë dhe emërohemi në kundërshtim me ligjin, sa e drejtë është kjo.. ndaj dhe vendosëm t’i drejtohemi gjykatës si e vetmja mundësi për të rikthyer emërimin dhe zbatimin e ligjit në KLD,” shpjegoi Shkreli.
Vendimmarrja e KLD-së është kundërshtuar gjithashtu dhe nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, i cili i thirrur në një mbledhje të jashtëzakonshme mesditën e së premtes, e konsideroi të jashtëligjshme procedurën e emërimit të 9 magjistratëve të rinj.
“Procedura jo transparente e ndjekur për këtë rast nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, është në kundërshtim të plotë me Ligjin. Për herë të parë në historinë e krijimit dhe funksionimit të Shkollës së Magjistraturës, procedura e emërimit sipas meritokracisë, nuk zbatohet nga Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë,”thuhet në deklaratën e Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës.
Duke e vlerësuar procedurën e shortit një proces të paparashikuar me ligj, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës i kërkonte Presidentit të Republikës të mos dekretonte propozimet e bëra nga KLD e cila bazohej tek shorti në emërimin e gjyqtarëve të rinj.
Dekreti detyrueshëm
Duke mos iu përgjigjur Këshillit të Shkollës së Magjistraturës, Presidenti Bujar Nishani ka nxituar t’i dekretojë gjyqtarët e emëruar nga KLD, edhe pse ankimi i pesë prej magjistratëve në Gjykatën Administrative nuk është shqyrtuar.
Pas shpalljes së dekretit ministri i drejtësisë Ylli Manjani i kërcënoi në një dalje publike magjistratët e rinj se në qoftë se nuk pranonin emërimin mund të rrezikonin dhe pozicionin e gjyqtarit.
“Kjo është një procedurë që unë e kam mbështetur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe me thënë të drejtën m’u duk shumë e ndershme,” tha Manjani.
“Gjyqtarët duhet të shkojnë të marrin detyrën ku i kërkon Republika dhe kjo histori mbaron njëherë e mirë. Ligji është shumë i qartë, sigurisht që kush nuk merr detyrën nuk mund të jetë gjykatës,” shtoi ai.
Pas shpalljes së dekreteve të Presidentit Nishani, magjistratët shprehen se janë të detyruar të pranojnë emërimet, edhe pse nuk bien dakord me vendimmarrjen e KLD-së.
“Thjeshtë jemi të zhgënjyer. Së paku, Presidenti të priste seancën e parë të gjykatës ku ne të dëgjoheshim përse jemi kundër procedurave të ndjekura nga KLD,” u shpreh Ina Hoxhaj, e cila rënditej në tre studentët më të mirë të brezit 2012-2012 të Shkollës së Magjistraturës.
“Kur kjo na ndodh ne, gjyqtarëve të rinj, imagjinoni se çfarë behët me sistemin e drejtësisë,” ajo shtoi.
Edhe pse vendimmarrja e KLD-së dhe dekretimi nga Presidenti i detyron të pranojnë emërimet e bazuara në short dhe jo në Ligj dhe në meritat akademike, Hoxhaj shprehet se beteja e tyre për te drejtën e cënuar do të vazhdojë.
“Ligji na detyron të pranojmë emërimin dhe ne nuk mund të shkelim atë dhe pse kemi nisur betejën tonë në zbatimin e ligjit,” tha Hoxhaj
“Vite të tëra përkushtimi nuk mund t’i hedhim pas krahëve,” përfundoi ajo. /Lindita Cela-BIRN?