EKSKLUZIVE/ Dokumenti i Zvicrës që fundosi Elvis Rroshin

Nga Boldnews.al

Elvis Rroshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës dhe njëkohësisht viktima e parë e ligjit “Për dekriminalizimin” do të vijojë të qëndrojë nën arrest në shtëpi, për shkak të një dokumenti zyrtar nga autoritetet Zvicerane, të cilin “Boldnews.al” e ka siguruar në mënyrë ekskluzive.

Gjykata e Tiranës zhvilloi mesditën e së Enjtes seancën për verifikimin e kushteve të masës së sigurisë “arrest në burg”, dhënë ndaj tij në mungesë, tre ditë më parë. Prokuroria e Tiranës kërkoi arrestimin e Rroshit, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Fallsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” gjatë procesit të plotësimit të formularit të “Dekriminalizimit”. Gjatë seancës së verifikimit, gjykata vendosi zbutjen e masës, nga arresti në burg, në arrest në shtëpi. Gjithësesi, edhe me këtë vendim, gjykata ka pranuar dyshimin e Prokurorisë së Tiranës se Rroshi ka shkelur ligjin penal.

Në bazë të ligjit “Për Dekriminalizimin”, çdo zyrtar që është subjekt i ligjit duhej të plotësonte një formular, në të cilin duhej të shënonin nëse kanë pasur probleme me ligjin penal në të shkuarën e tyre, brenda ose jashtë Shqipërisë. Një kërkesë thelbësore e ligjit për “Dekriminalizimin” ishte edhe fakti nëse zyrtarët kanë mbajtur ose jo emra të tjerë.

Mungesa e sinqeritetit në plotësimin e të dhënave të detyrueshe, duket se ka qenë e dëmshme për Elvis Rroshin, pasi nga zyra e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, ai qëndroi për tre ditë në ambjentet e Policisë së Tiranës dhe nga e enjtja në arrest në shtëpi. Rroshi nuk ka deklaruar dënimin penal për përdhunim në Itali, për të cilën është dënuar në vitin 1993. Ai nuk është treguar “i sinqertë” edhe për të kaluarën e tij në Zvicër.

Autoritetet zvicerane u kanë konfirmuar homologëve të tyre shqiptarë se Elvis Rroshi është një personazh i njohur për autoritetet hetimore të tyre.

Për policinë zvicerane, Rroshi ka mbajtur 5 emra të ndryshëm në vendin e tyre, tre prej të cilëve nuk janë shënuar në formularin e vetëdeklarimit “Për dekriminalizimin”.

Elvis Rroshi është emri aktual i kryetarit të Bashkisë, i cili ka lindur me emrin Ervin. Sipas formularit, ai e ka ndryshuar zyrtarisht emrin e tij në vitin 2002, por nuk jep asnjë arsye se përse i lindur Ervin, në moshën 27-vjeçare kthehet në Elvis.

Por, dokumenti zviceran i siguruar nga “Boldnews.al” dhe që është përdorur si provë në gjykatë për arrestimin e tij, konfirmon se Elvis Rroshi ka pasur “hobi” të përdorë emra të ndryshëm; Bashkim Halluli, Enver Rroshi dhe Enver Proshi janë emrat që e kanë shoqëruar jetën si emigrant të kryebashkiakut të Kavajës në Zvicër. Këto tre emra nuk figurojnë në formularin e dekriminalizimit të Rroshi.

Për më tepër, policia zvicerane njofton se një shqiptar me emrin Enver Rroshi është pjesë e një hetimi të Antidrogës Amerikane (DEA) për trafik lëndësh narkotike dhe pastrit parash. Në dokumentin zviceran nuk specifikohet se personi nën hetim Enver Rroshi është pikërisht Elvis Rroshi i Kavajës. Por, fakti që ky informacion është pjesë e shkresës lidhur me Elvis Rroshin, krijon bindjen se pikërisht Enver Rroshi nën hetim nga DEA është pikërisht kryebashkiaku i Kavajës. Dhe, nëse ky informacion rezulton i saktë, atëherë situata për Rroshin ndërlikohet më shumë, pasi ai është nën hetim për trafik droge në të njëjtën kohë kur në Shqipëri kryen detyrën e kryetarit të Bashkisë.

12

11



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here