Nga Boldnews.al
Pas një takimi me Lulzim Bashën ditën e ditëlindjes së tij, Ilir Meta duket se ka gjetur zgjidhjen për draftin e reformës në drejtësi. Për më shumë se dy orë, të dielën Meta i garantoi Bashës se reforma nuk do të kalonte në parlament pa bekimin e opozitës.
“Unë jam këtu për t’iu siguruar se do të bëj çdo gjë në orët, minutat që vinë për të garantuar që ky të jetë një proçes i suksesshëm për vendin dhe të jetë një proçes që i bashkon shqiptarët në sfidën e tyre për të forcuar shtetin ligjor.” – u shpreh Meta për takimin me Bashën.
Në të njëjtën linjë ishte edhe kryedemokrati Basha, ku zëra qarkullojnë se ka qënë ai i cili i ka kërkuar takim Ilir Metës duke e parë si të vetmen shpresë për të mbajtur kauzën e saj, atë të “kapjes së sitemit të drejtësisë”.
“Arbitri ka folur. Partia Demokratike ka zgjedhur, e ka pranuar. Ajo që nuk e ka pranuar është maxhoranca. Ai që nuk e ka pranuar është kryeministri dhe sot e gjithë ditën barra e përgjegjësise për mosavancimin në fazën tjetër të Reformës në Drejtësi që ka të bëjë me rakordimin e ligjeve, nuk është me atë që ka pranuar çfarë i ka servirur partneri ndërkombëtar SHBA, BE, dhe çfarë ka sanksionuar Venecia, por është me atë që nuk e ka pranuar. Kaq e thjeshtë është. Të tjerat janë lojëra politike. Lojëra politike bizantine për të mos thënë ballkanase.” – shprehet Basha.
Dy dialoguesit, dikur miq shumë të mirë, kanë diskutuar edhe për një sërë çështjesh të tjera. Boldnews.al mëson se një nga pikat e diskutimi për reformën zgjedhore. Palët kanë rënë dakord për votimin elektronik, siç u bë me dije edhe në media. Por biseda ka avancuar edhe më tej ku është folur për sistemin elektoral e deri tek aleancat e pritshme për zgjedhjet parlamentare të 2017.
Të hënën Meta zhvilloi një takim me kryeministrin Rama por kësaj here në godinën qeveritare. Nga burime konfidenciale për Boldnews.al bëhet me dije se gjatë këtij takimi, Meta i ka vendosur një ultimatum Ramës që drafti final nuk do të kalohet pa votat e opozitës. Meta i ka qëndruar parimit se opozita duhet të ketë përfaqësuesit e saj në strukturat e monitorimit të sistemit të drejtësisë. Burimet shtojnë gjithashtu se kjo marrëveshje e Metës me Bashën nuk është pritur mirë nga kryeministri Rama. Ky i fundit është shprehur madje se në takimin që kishte patur ai me kryedemokratin Basha, ai i kishte hapur krahun për të gjitha propozimet e PD dhe nuk e kuptoi se pse dialogu u ndërpre pa kuptim në fund.
Meta dhe Rama nuk folën për takimin mes tyre. Në konferencën për shtyp, i irrituar Rama tha se, “nuk jam zëdhënësi i kryetarit të Kuvendit”. Në aksion për konsensusin janë vënë edhe trupi diplomatik. Ambasadori Lu dhe Vlahutin kanë vizituar kryeministrin Rama i cili pak minuta më parë kishte marrë mesazhin e qartë të aleatit të tij në qeveri.
I gjendur i vetëm në këtë sfidë, Rama tërhiqet duke ofruar dy propozime për Partinë Demokratike sipas modelit me “vendet e rezervuara”. Bëhet fjalë për shumicën vendimarrëse të Parlamentit për zgjedhjen anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
“Për dy institucionet e tjera, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë të gjitha mundësitë të gjendet një zgjidhje e arsyeshme kompromisi. Ne jemi gati të lëvizim edhe nga 2/3-tat, sepse ishte një pozicion ekstrem kompromisi. Partia Demokratike duhet të lëvizë nga vendet e rezervuara dhe zgjidhje ka” – shprehet Rama.
Por kreu i qeverisë vendosi edhe vijën e kuqe, duke mos pranuar në asnjë mënyrë që dy institucionet e tjera, ato të Vetingu, që të zgjidhen sipas modelit të “vendeve të rezervuara”
“Dy prej tyre lidhen me vetingu ose ndryshe radiografia etiko profesionale e çdo prokurori apo gjykatësi. Shumica e cilësuar në këtë rast është vija e kuqe, që ne nuk do ta kapërcejmë dhe nuk ka asnjë lloj mundësie, për të bërë asnjë lloj kompromisi me Partinë Demokratike. Dua të jem shumë i qartë, edhe pse në politikë kurrë nuk thuhet kurrë; unë nuk do ta votoj kurrë reformën në drejtësi nëse preket kjo pikë. O do të bëjmë reformë në drejtësi, o kurrë mos u bëftë reforma!”- këmbënguli Rama.
Pas kësaj deklarate, një draft me pikat e ndryshuara publikohet për mediat dhe mbërrin në kryesinë e kuvendit për shqyrtim ditën e martë.
Por për Partinë Demokratike kjo nuk mjafton. Kryetari Lulzim Basha doli në një konferencë për shtyp duke kërkuar sërish zbatimin e nenit 88 të Komisionit të Venecias.
“Zoti Rama pranoi parimin, por jo për të gjitha institucionet. Këto dy institucione ndajnë shapin nga sheqeri. Që kjo të ndodhë, as Edi Rama, as Lulzim Basha nuk mund të kenë dorën vendimtare në përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve”-reagoi Basha.
Të martën është thirrur mbledhja e Komisionit për Refomën në Drejtësi, por Lulzim Basha e shmangu përgjigjen nëse opozita do të marrë apo jo pjesë.
A i duhen “vendet e rezervuara” Ilir Metës?
Për Ilir Metën, “vendet e rezervuara” janë një mburojë e mirë karshi aleatit të tij në qeveri. Uljet e ngritjet të marrëdhënieve Meta-Rama kanë krijuar mes tyre një hendek të madh mosbesimi.
Duke i “ofruar” pushtet opozitës, Meta ndjehet më i mbrojtur nga sulmet pas shpine të Ramës. Megjithëse i mpleksur dhe i akuzuar për të kaluarën e tij korruptive, Meta e ndjen çdo ditë rrezikun që mund t’i kanoset nga një sistem drejtësie i paanshëm.
“Vendet e rezervuara” do të ishin një mundësi e mirë për të futur në radhët e gjyqësorit dhe prokurorisë njerëz të lidhur me LSI dhe veçanërisht me Ilir Metën. Deri tani kryeministri Rama ka lëshuar dorën, por a mjafton kjo për Ilir Metën?