Ceremonia e përvjetorit të 7-të të hyrjes së Shqipërisë në NATO u hap nga…kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.
Organizatori, Ministria e Mbrojtjes ka menduar t’i japin këtë nder personit me pak ose thuajse aspak të lidhur me çështjet ushtarake. Por kjo nuk është hera e parë që kryebashkiaku më i ri në moshë merr rolin e liderit në organizime të rëndësishme që kanë të bëjnë me qeverinë ose me Partinë Socialiste në pushtet.
Kryeministri Edi Rama duket se po bën të gjitha lëvizjet e mundshme për të identifikuar Veliaj si pasardhësin e tij, si edhe për t’i nënshtruar idenë e tij kujtdo zyrtari të lartë në Partinë Socialiste.
Pak javë më parë, kryebashkiaku i Tiranës kishte fjalimin hapës të Kongresit të Partisë Socialiste. Zyrtarisht, ky nder që iu bë Erion Veliajt u sqarua publikisht se lidhej me faktin që ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, qyteti ku po organizohej aktiviteti madhor i partisë.
Ky justifikim, pavarësisht se u amplifikua mediatikisht, nuk bindi as të pranishmit në sallë dhe aq më tepër publikun që shihte spektaklin politik nga shtëpia.
Dhe, ditën e Hënë, Erion Veliaj shfaqet sërish si oratori i parë në ceremoninë e përvjetorit të NATO-s. Ai nuk ka qenë në asnjë pozicion zyrtar, kur në vitin 2008 shteti shqiptar u anëtarësua në Aleancën Ushtarake të Atlantikut Verior (NATO). Ai nuk ka asnjë ditë shërbim ushtarak apo nuk ka dhënë asnjë kontribut publik për forcat e armatosura, politikisht apo fizikisht. Ai, edhe sot nuk është në asnjë pozicion zyrtar apo joformal që të justifikojë praninë e tij në ceremoninë e arritjes më të madhe ushtarake të Shqipërisë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Ndoshta justifikimi zyrtar do të jetë sërish që ai kishte fjalën hapëse në ceremoni, meqë ajo po zhvillohej në territorin e Bashkisë së Tiranës. Kjo do të jetë e tepërt, pasi, me këtë argumentim, qytetari i parë i kryeqytetit mund të jetë në çdo aktivitet që zhvillohet në Tiranë, përfshirë edhe aktivitetin kombëtar të Partisë Demokratike, të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të Aleancës së Kreshnik Spahiut e më gjerë.
Kjo ndoshta nuk mund të ndodhë, por diçka duket e sigurt se çdo zyrtar i lartë i Partisë Socialiste do të duhet që të krijojë të gjitha mundësitë që Erion Veliaj të ketë fjalën hapëse në çdo përvjetor, ceremonial apo aktivitet të ministrive dhe institucioneve qendrore që drejtohen në Tiranë prej tyre.
Është shumë e rëndësishme që Erion Veliaj të shfaqet nën petkun e “gjithollogut”. Ky është investimi politik dhe kryetari i partisë është i bindur se figura e kryebashkiakut të Tiranës duhet të jetë në çdo aktivitet dhe në çdo medium.