Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë për fatin e mandatit të deputetit socialist Koço Kokëdhima. Rasti është i ngjashëm me atë të Ministrit të Shëndetësisë Iliri Beqaj, ku në qershor të 2011 iu hoq mandati i deputetit për shkak se kishte përfituar 24 milionë nga Bashkia Durrës nga fondet publike. Në atë kohë ishte Partia Demokratike që paditi në Gjykatë deputetin e PS-së të qarkut të Shkodrës, duke e akuzuar se kishte shkelur ligjin dhe Kushtetutën.
Ndërsa sot është Këshilli i Mandateve Rregullores dhe Imuniteteve që vendosi ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit Koço Kokëdhima. Nga ky vendim, më i trembur u shfaq avokati mbrojtës i Kokëdhimës.
“Çështja nuk mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese sepse kjo çështje është shqyrtuar vetëm për rastin e papajtueshmërisë të konfliktit të interesit që ka të bëjë me pikën 2 të nenit 70 të Kushtetutës. Kështu që do t’i kërkoja komisionit që të marrë në konsideratë të gjitha këto konkluzione.”- shprehet avokati i deputetit socialist.
Formalisht vendimi i këtij këshilli do të kalojë edhe në Kuvend.
PD e akuzon Kokëdhimën se ka përfituar mbi 150 herë fonde publike përmes kompanisë së tij “Abissnet” në kohën që ishte zgjedhur deputet, ç’ka bie në kundërshtim me ligjin.
Me një vendim të bërë publik para disa ditësh, Gjykata Kushtetuese detyronte Kuvendin që ta çonte pranë saj për shqyrtim kërkesën e opozitës. Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i Kushtetueses.
A do të veprojë me Kokëdhimën njësoj si me ish deputetin e qarkut të Shkodrës Ilir Beqaj ?
Nëse po, atëhere, mandati nuk do t’i hiqet Partisë Socialiste, por do t’i jepet emrit pasrendës në listën e deputetëve socialistë të zgjedhjeve të vitit 2013.