Shefja e Politikës së Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian Frederica Mogherini, përcolli një mesazh të qartë për klasën politike shqiptare. Gjatë fjalimit të saj në parlament, Mogherini u rikujtoi politikanëve se Brukseli kushtëzon hapjen e bisedimeve për anëtarësim vetëm me realizimin e reformës në drejtësi.
“Bëni atë që duhet bërë, miratojeni reformën, sepse e di që të gjithë ju doni që Shqipëria të ecë përpara. Edhe qytetarët tuaj presin që ju të bëni këtë gjë. Këtë e keni detyrim ndaj vendit tuaj, por detyrim edhe ndaj të gjithë Europës. Për këtë arsye ne i japim rëndësi kaq të madhe kësaj reforme, që do t’i hapte dyert rekomandimit pozitiv për hapjen e negociatave”, deklaroi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së.
Ashtu siç pritej mesazhi i Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Federica Mogherini në fjalën e mbajtur para deputetëve shqiptarë, lidhej tërësisht me reformat dhe veçanërisht atë në drejtësi.
“Po punojmë së bashku mirë dhe për shumë gjëra të ndryshme. Por ka ardhur koha të kalojmë në një nivel tjetër, për ta bërë këtë duhet një reformë e thellë dhe tërësore e Gjyqësorit. Të mos e harrojmë se për çfarë duhet kjo: ka të bëjë me barazinë mes të gjithë qytetarëve shqiptarë, pavarësisht statusit social, mbiemrit apo fuqisë financiare. Të gjithë ju duhet të keni besim te të gjitha këto institucione dhe te shteti”- shtoi më tej Mogherini.
Në fund të fjalës së saj, Mogherini përcolli edhe një sugjerim për deputetët.
“Çlirohuni nga ajo pjesë që dëmton vendin tuaj dhe silleni Shqipërinë më pranë BE-së”– apeloi ajo.
Takimi Rama-Mogherini, kryeministri ripërsërit deklaratat për mbylljen e kufijëve
Frederica Mogherini u prit në një takim edhe nga kryeministri Edi Rama. Kriza e emigrantëve ishte një nga temat ku Rama i qëndroi besnik deklaratave të tij. Duke folur në krah të Mogherinit, Rama u shpreh se Shqipëria nuk do të hapë kufijtë për refugjatët.
“Nga ana jonë do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka na takon. Do të përballojmë dhe krizën e rëndë të refugjatëve, Shqipëria është vend i voglë por asnëjherë nuk i ka bërë bisht përgjegjësisë së vet në cdo sfidë. Jemi besnik ndaj vlerave e parimeve të Europës. Mbetemi të gatshëm të marrim pjesën tonë edhe në këtë sfidë por jemi të vetëdisjshëm se nuk mund të shpëtojmë të vetëm botën. Nuk do të hapim kufijtë dhe nuk do të ngremë muret, jemi gati të bashkëpunojmë të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë brenda një plani të përbashkët europian. Vendime unilaterale të vendeve të tjera janë pa lidhje nga ato çka na takon të bëjmë të gjithë bashku dhe nuk mund të jenë një imponim për ne. Kjo nuk është sfida e Italisë apo e Greqisë, nuk mund dhe nuk ka si të jetë sfida e Ballkanit apo aq më pak e Shqipëria por është sfida e Europës.”– u shpreh kryeministri Rama.