Kryebashkiaku Erion Veliaj heq dorë nga taksa 2500 lekë të reja për tavolinë për biznesin. Megjithëse jo një vendim i dëshiruar, duket se pas protestave dhe kërcënimeve të biznesit, bashkia është tërhequr, por jo nga të gjitha tarifat e reja që rëndojnë biznesin kryeqytetas.
Veliaj tha se kjo vendimmarrje ka efekt në buxhet. “Për këtë duhet të jemi shumë të qartë. Sa herë që negociojmë apo sa herë të planifikojmë një taksaturë, patjetër që ka efekt në buxhet. Patjetër që do duhet të gjejmë mënyra të tjera se si të bëjmë aq shkolla sa donim sepse me këtë nuk bëjmë dot aq shkolla sa duam”, tha ai.
Pas përfundimit të negociatave me përfaqësuesit e bizneseve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bëri të ditur se është arritur një marrëveshje jo me dhunë, por me diskutime. Në një deklaratë për mediat, kryebashkiaku tha se dhuna dhe vandalizimi nuk është gjuhë. “Shtrënguam duart në fund, dua t’i falenderoj edhe unë publikisht, ishte kjo mënyra korrekte për të bërë një negociatë, jo me dhunë, jo duke ndotur Bashkinë. Gjuhë është kjo që kemi përdorur për këto tre negociata dhe siç e patë edhe vetë në fund grupi, në raundin e tretë, përfundoi me ata njerëz, që realisht u dhimbte kjo çështje dhe jo çdo lloj njeriu që mundohet të kapë një kauz për interesin e vet personal”, u shpreh Veliaj.
Në këtë negociatë të arritur midis palëve është rënë dakord për tre pika. Kryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se do të hiqet taksa prej 25 mijë lekësh për tavolinën dhe do të bëhet zero. “Ambicia jonë është për një qytet, i cili ka liri të lëvizjes dhe një qytet ku respektohet hapësira publike nuk është qëllim në vetvete numërimi i tavolinave, por fakti se sa hapësirë është zënë. Ndaj ramë dakord që, mënyra e matjes të jetë për metër katrorë dhe jo për tavolinë, që besoj se është një lehtësi, për të gjithë ata që bëjnë llogari”, tha Veliaj.
Të gjithë bizneset që u kanë ardhur faturat me tarifat të cilat hynë në fuqi në muajin janar, do t’u llogariten me tarifat e vjetra. Kryebashkiaku tha se për këto fatura që kanë shkuar te qytetaret do të ndiqet e njëjta rrugë siç është vendosur për Ujësjellës Kanalizimet. “Të njëjtin mirëkuptim, siç kemi treguar edhe me atë që ndodhi në Ujësjellës, që për një faturim që nuk është faji i qytetarëve, por i një problemi që ka administrata, qytetarët nuk duhet të paguajnë asnjë lekë shtesë. Meqë kjo logjikë funksionoi për Ujësjellësin, kjo logjikë funksionon edhe në këtë rast”, tha Veliaj.
Një pikë tjetër e rëndësishme e kësaj marrëveshje është rizonimi i hartës së Bashkisë së Tiranës sipas të cilës do të përllogaritet tarifa për hapësirat publike të zëna nga bizneset. “Duke qenë se jo e gjithë zona e qendrës është ekskluzivisht komerciale, (siç është blloku, zona mbas stadiumit Qemal Stafa, zona mbas Kryeministrisë), sigurisht që bën sens që zona A përfshin eksluzivisht këto që janë zonat më të shtrenjta të qytetit. Aty ku për çdo tavolinë e për çdo mall që shërbehet kostoja është më e lartë”, sqaroi Veliaj.
Deklarata e plotë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj:
Së pari, për muajin janar dhe shkurt të këtij viti ne do të aplikojmë tarifat e vjetra. Të njëjtin mirëkuptim, siç kemi treguar edhe me atë që ndodhi në Ujësjellës, që për një faturim që nuk është faji i qytetarëve, por i një problemi që ka administrata, qytetarët nuk duhet të paguajnë asnjë lekë shtesë. Meqë kjo logjikë funksionoi për Ujësjellësin, kjo logjikë funksionon edhe në këtë rast.
E dyta, duke qenë se ambicia jonë është për një qytet me trotuare të pa zënë, ambicia jonë është për një qytet, i cili ka liri të lëvizjes dhe një qytet ku respektohet hapësira publike nuk është qëllim në vetvete numërimi i tavolinave, por fakti se sa hapësirë është zënë.
Ndaj ramë dakord që, mënyra e matjes të jetë për metër katrorë dhe jo për tavolinë, që besoj se është një lehtësi për të gjithë ata që bëjnë llogari.
E treta, duke qenë se jo e gjithë zona e qendrës është ekskluzivisht komerciale, (siç është blloku, zona mbas stadiumit “Qemal Stafa”, zona mbas Kryeministrisë), sigurisht që bën sens që zona A përfshin eksluzivisht këto që janë zonat më të shtrenjta të qytetit. Aty ku për çdo tavolinë e për çdo mall që shërbehet kostoja është më e lartë.
Kështu që, ky ridizenjim i kufijve të zonës A, për të kaluar pjesët rezidenciale në zonën B, pra në një tarifë më të ulët u pranua si një ofertë e ndershme, e sinqertë, e një bashkie që ka për qëllim kryesor lirimin edhe dhënien e vlerës të hapësirës publike , që në fakt është pronë e të gjithë qytetarëve.
Shtrënguam duart në fund, dua t’i falenderoj edhe unë publikisht, ishte kjo mënyra korrekte për të bërë një negociatë, jo me dhunë, jo duke ndotur Bashkinë. Kjo nuk është ndërtesa ime private, pas meje do të jetë këtu një tjetër kryetar bashkie, kështu që, dhunimi dhe vandalizimi nuk është gjuhë! Gjuhë është kjo që kemi përdorur për këto tre negociata dhe siç e patë edhe vetë në fund grupi, në raundin e tretë, përfundoi me ata njerëz, që realisht u dhimbte kjo çështje dhe jo çdo lloj njeriu që mundohet të kapë një kauz për interesin e vet personal.
Më vjen mirë ata që përfaqësojnë interesin real të tregtarëve sot dolën të kënaqur me një paketë, e cila bën sens për ta, bën sens edhe për qytetin, për atë që kemi premtuar, do arrijmë një qytet me hapësira publike të liruara.
Do shkojë në Këshill Bashkiak kjo vendimmarrje, kjo dakordësi që keni? A ka efekt në buxhet?
Çdo vendimmarrje ka efekt në buxhet. Për këtë duhet të jemi shumë të qartë. Sa herë që negociojmë apo sa herë të planifikojmë një taksaturë, patjetër që ka efekt në buxhet. Patjetër që do duhet të gjejmë mënyra të tjera se si të bëjmë aq shkolla sa donim sepse me këtë nuk bëjmë dot aq shkolla sa duam. Qytetarët duhet të kuptojnë që, nëse nuk paguajnë taksa ose nëse kemi qytet me taksa zero, s’bëhet asnjë punë. Besoj se ky ishte edhe një leksion qytetar për të kuptuar që paratë që kontribuojmë të gjithë shkojnë për të mbajtur një qytet me këmbë, e nëse duam shërbime qyteti duhet të japim të gjitha obligimet si qytetarë. Ajo që unë kam premtuar që ditën e parë, që kemi bërë sot, por edhe kur kaloi buxheti, ofertën më të mirë që është bërë për biznesin në 4 vitet e fundit.
Ju kujtoj që është hequr taksa e biznesit të vogël. Nga 43 mijë biznese, 40 mijë nuk paguajnë më asnjë taksë, 3 mijë biznese dalin marrin hapësira publike shtesë për të ushtruar aktivitetin e tyre. Në zonën A janë vetëm 100-200 kafene, që janë , në vendet më premium. Është ulur taksa e hotelit, është bërë 0 taksa e tabelës deri në 2 metër katror, janë ulur disa tarifa të tjera, që kanë qenë një angari për biznesin.
Besoj se, kur vjen puna tek hapësira publike, është një hapësirë që ka zot dhe kjo është arsyeja se pse çmimet janë këto që janë, për të dekurajuar ata që përdorin mbi nevojën dhe sigurisht për të respektuar hapësirën publike. Siç i paguhet privatit hapësirën publike edhe kjo nuk është tokë pa zot. Të gjithë ne që jemi këtu e kemi një pronë të hapësirës së trotuarit, çdo njeri që ecën mbi trotuar të Tiranës është gjithashtu duke ecur mbi pronën e vet. Ka një të 1 miliontën e kësaj prone meqë ka 1 milion aksionerë qyteti i Tiranës.
Kryetari i Bashkisë si administrator i këtyre aksionerëve duhet të ofrojë një çmim , i cili nuk e degjeneron pronën publike me një zaptim ka kufi. Ne do të kemi një vendim, që do të miratohet nga Këshilli Bashkiak, në kohë rekord zyrtarët tanë janë duke përgatitur vendimin, bëhet fjalë më shumë për sqarim dhe udhëzim të diferencës mes tavolinës dhe metrave katrorë, si dhe një rizonim të zonës. Kurse pjesa tjetër e janar-shkurtit është vetëm një çështje administrative.
Neranxi ka depozitar një padi në Gjykatës Administrative që ka kundërshtuar këto taksa…
Të jemi shumë i sinqertë nuk kam ndonjë merak të madh për zotërinj të tillë që, mundohen që të rrëmbejnë çdo kaoz për interesin e tyre personal. Ai i përket biznesit VIP, ai as nuk shet lule, as nuk bën kafe.
Do të thotë, ndot më shumë se të tjerët, me paketimet, me gjërat që prodhon, do të paguajë një taksë më të lartë. Jam këtu për 99.9% të sipërmarrësve të Tiranës. Për një biznes VIP që i ka të ardhurat me 7-8 shifra nuk humbas gjuhë.
Besoj se ata që fitojnë më shumë , duhet edhe të paguajnë më shumë. Nuk besoj se tarifat e zotërisë në fjalë duhet t’i paguajë një gjyshe me pension social, apo një vejushë me ndihmë ekonomike.
Jam i majtë, jam progresist, ata që fitojnë më pak duhet të paguajnë më pak. Ata që fitojnë më shumë si zotëria që është tek 30-40 bizneset VIP të Tiranës duhet të paguajë si VIP. Nuk kam asnjë interes se çfarë bëjnë apo si do avancojnë karrierën e tyre për t’u rikthyer në Parlament.
(Boldnews)