Prokurorja e Shkodrës, Marsida Frashëri u pezullua një vit nga detyra më 13 maj 2022 për shkak të problemeve profesionale që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi gjatë procesit të vetingut të saj. Po ashtu, me anë të vendimit të ndërmjetëm, KPK caktoi detyrimin e Frashërit për të ndjekur programin e trajnimit në Shkollën e Magjistraturës. Megjithëse prokurorja Marsida Frashëri ka qenë e caktuar përkohësisht në Prokurorinë e Përgjithshme si pjesë e grupit mbështetës për përgatitjen e vlerësimeve profesionale të prokurorëve, vetingu evidentoi probleme të shumta të saj në kriterin profesional.
Në arsyetimin e vendimit të ndërmjetëm, Komisioni konstaton se Frashëri ka shfaqur në mënyrë të përsëritur vonesa në trajtimin dhe përfundimin e çështjeve objekt shqyrtimi, në vazhdimësi gjatë ushtrimit të detyrës së saj si prokurore, duke krijuar rrethana që kanë efekt negativ në rezultatet e vlerësimit profesional të saj.
KPK vëren se Frashëri, pavarësisht tërheqjes së vëmendjes apo marrjes së masës disiplinore më parë, ka vijuar në të njëjtën mënyrë të ushtrojë funksionin me mangësi në aspektin profesional. “Mangësitë e konstatuara janë kryesisht ato të karakterit organizativ dhe veprimit me efikasitet, të cilat kanë sjellë në mënyrë të përsëritur mospërmbushjen e detyrës si prokurore, duke konkluduar se nuk është efektive”, citohet në konkluzionin e Komisionit që sqaron se në lidhje me dy kriteret e tjerë do të shprehet në vendimin përfundimtar, pasi subjekti të ketë përfunduar programin e edukimit njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës dhe të jetë testuar për aftësitë e saj.
Problemet profesionale
Në dy prej tre dosjeve të dorëzuara nga subjekti në funksion të vetingut të saj nuk janë gjetur probleme, ndërsa për një çështje Komisioni vlerëson se nuk mund t’i nënshtrohet rivlerësimit, pasi shpjegimet dalin jashtë kontekstit të procesit.
Edhe në katër prej pesë dosjeve të shortuara nuk evidentohen probleme të prokurores Frashëri, ndërsa në një prej tyre konstatohet se ajo ka zvarritur hetimet për një periudhë njëvjeçare pa shkak ligjor. Sipas KPK, në këtë rast subjekti ka treguar se ka mungesë në aftësinë për të hetuar e marrë urdhra e vendime në kohën e duhur, se ka gjykim dhe sjellje të cekëta, si dhe një mënyrë pune që nuk pajtohet me pozicionin e saj.
Nga të dhënat arkivore është konstatuar se në vitin 2014, Prokurori i Përgjithshëm ka dhënë masë disiplinore ndaj Frashërit për “kalim në një detyrë tjetër më të ulët brenda sistemit të drejtësisë”, duke kryer detyrën e oficerit të policisë gjyqësore për një periudhë 6-mujore.
Procedimi disiplinor ndaj subjektit ka filluar bazuar në të dhënat e evidentuara gjatë një kontrolli të vitit 2013 lidhur me disa kallëzime për të cilat nuk ishte vendosur regjistrimi ose mosfillimi i procedimit penal dhe për dhjetëra proocedime që gjendeshin në fazën e hetimit paraprak.
Sipas KPK, nga verifikimi i çështjeve të hetuara administrativisht më parë nga Prokuroria e Përgjithshme, duket se subjekti ka kryer shkelje të shumta dhe të ndryshme ligjore ku në disa procedime penale të ndjekura prej saj është vënë re neglizhencë e pajustifikuar në fazën e regjistrimit të procedimit penal duke mos përmbushur detyrime.
Po ashtu, ka rezultuar se Frashëri nuk ka kryer në mënyrë të plotë dhe në vijimësi veprimet e domosdoshme hetimore paraprake, duke i zvarritur çështjet në mënyrë të pajustifikuar dhe duke treguar neglizhencë të pajustifikuar për të marrë vendim përfundimtar.
Prokurorja Marsida Frashëri ka deklaruar se kjo masë disiplinore është e paparashikuar në ndonjë ligj të miratuar dhe nga ana e saj është ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit dhe në Gjykatën e Lartë, të cilat në përfundim kanë konkluduar në favor të ish-Prokurorit të Përgjithshëm.
Sipas subjektit, kjo masë është ekzekutuar dhe është shuar që në shtator të vitit 2015 dhe se duhej të ishte fshirë nga dosja personale. Ajo ka kërkuar që Komisioni të mos e vlerësojë me ndikim negativ në vlerësimin e saj profesional, duke e konsideruar si gjë të gjykuar.
Në përfundim të trajtimit të kësaj gjetje, KPK ka çmuar ta vlerësojë në vijimësi të ushtrimit të detyrës nga prokurorja Frashëri.
Nga verifikimet ka rezultuar se ndaj subjektit është filluar hetim disiplinor nga Prokurori i Përgjithshëm edhe në vitin 2019, bazuar në aktet dhe informacionin e dërguar nga Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Në vitin 2018, drejtuesi i Prokurorisë së Shkodrës ka nxjerrë urdhër për ngritje të një grupi pune me qëllim çeljen e zyrës së prokurores Marsida Frashëri dhe inventarizimin e akteve që ndodheshin në të. Kjo, pasi Frashëri ishte caktuar përkohësisht në Prokurorinë e Përgjithshme si pjesë e grupit mbështetës për përgatitjen e vlerësimeve profesionale të prokurorëve, por nuk kishte kryer dorëzimin e materialeve që ndiqeshin prej saj.
“Pas çeljes së zyrës janë konstatuar kallëzime penale, procedime penale, aktekspertime, përgjigje letërporosie dhe prova të ndryshme materiale që i përkisnin periudhës 2010 – 2017. Këto materiale nuk ishin dorëzuar por janë mbajtur të mbyllura në zyrën e saj në rafte deri në momentin e konstatimit. Janë gjetur letërporosi dhe prova materiale”, citohet në vendimin e KPK.
Po ashtu ka rezultuar se kallëzimeve penale të gjetura nuk u ishte dhënë zgjidhje ligjore. Lidhur me konstatimin është përpiluar procesverbali përkatës, i cili është dërguar së bashku me informacionin në Prokurorinë e Përgjithshme.
Komisioni sqaron se ky hetim disiplinor është mbyllur për arsye se mungonte kuadri ligjor rregullues për të mundësuar identifikimin e shkeljeve që përbëjnë shkak për nisjen e procedurave disiplinore.
Megjithatë, KPK rendit gjetjet lidhur me këto çështje. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se një procedim penal i vitit 2006 për “vjedhje”, është mbajtur nga subjekti pa veprim deri në momentin që u gjetën aktet në zyrë. Kjo dosje i është caktuar një prokuroreje tjetër e cila në vitin 2018 ka kërkuar pushimin e hetimeve për shkak të parashkrimit të veprës penale.
Po ashtu, ka rezultuar se dy procedime të viteve 2011 dhe 2013, po për “vjedhje…” janë mbajtur në sirtare nga prokurorja Frashëri dhe pas kalimit në vitin 2018 një kolegeje, është kërkuar sërish pushimi i menjëhershëm i çështjeve, po për shkak të parashkrimit të veprës penale. “Subjekti nuk kishte kryer asnjë veprim hetimor, duke sjellë si pasojë parashkrimin e veprës penale”, konstaton KPK për procedimin e vitit 2013.
Sipas KPK-së, subjekti nuk ka kryer veprime hetimore për vite me radhë edhe në më shumë se një duzinë çështjesh penale në shkelje të parashikimeve ligjore.
“Në përfundim të verifikimeve duket se subjekti i rivlerësimit ka treguar neglizhencë të plotë dhe pakujdesi duke ‘braktisur’ dosjet kur është larguar nga zyra, duke neglizhuar dorëzimin dhe duke shkaktuar ‘vdekjen e tyre procedurale’”, ka vlerësuar Komisioni dhe i ka kaluar subjektit barrën e provës për të shpjeguar të kundërtën e rezultateve të hetimit.
Frashëri ka kërkuar Komisionit ti vlerësojë konstatimet në nivel ‘makro’, duke e parë atë të lidhur me treguesit e tjerë të veprimtarisë profesionale.
Lidhur me këto gjetje, Komisioni konstaton përfundimisht se subjekti ka mbajtur në zyrën e saj fashikuj hetimorë të cilët ishin në proces duke mos ndërmarrë veprime hetimore, duke treguar mungesë të theksuar të aftësive për administrimin e dosjeve gjyqësore dhe shmangur ngarkesën në punë. “Neglizhencë të paarsyeshme për zgjidhjen e cështjeve, duke shmangur rrethana që kanë efekt negativ në rezultatet e vlerësimit të saj”, shprehet Komisioni.
Nga verifikimi i hetimit disiplinor të filluar ndaj Frashërit në vitin 2019, ka rezultuar se ajo ka refuzuar pa arsye të marrë në dorëzim materialet hetimore të një prokurori i cili është emëruar si anëtar i këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe për rrjedhojë nuk mund të kryente më hetime.
“Komisioni çmon se veprimet e subjektit të rivlerësimit të vlerësuara në tërësinë e tyre, së bashku edhe me sjelljen e saj të vazhduar në institucionin ku ajo ushtronte detyrën e saj si prokurore (prokuroria Shkodër), tregojnë cilësi e aftësi të pamjaftueshme në punë e që cënojnë efektivitetin dhe eficencën e institucionit në tërësi dhe të saj si prokurore në veçanti”, citohet në vendim.
Në përfundim, KPK vlerëson se mangësitë e prokurores Marsida Frashëri në ushtrimin e detyrës ndër vite janë në një normë të pranueshme për të mos sjellë pasojën e shkarkimit nga detyra dhe ka çmuar se subjekti ndodhet në kushtet e plotësimit të tyre nëpërmjet një programi trajnues pranë Shkollës së Magjistraturës. /BIRN/