Nga Boldnews.al
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mblidhet të Hënën e 6 Qershorit për të pezulluar nga detyra anëtaren Etleda Çiftja.
Komisionerja është marrë e pandehur në fillim të kësaj jave nga Prokuroria Speciale, e akuzuar për “deklarim të rremë të pasurisë” dhe “falsifikim dokumentash”.
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) ka nisur hetimin për Etleda Çiftjan prej më shumë se një viti, në bazë të një kallëzimi të dorëzuar nga Shoqata e Avokatëve Anti-Korrupsion.
Hetimi penal ndaj komisioneres së Vetingut, Etleda Çiftja, është mbyllur në kufijtë e parashkrimit.
“Boldnews.al” e ka ndjekur në vijimësi hetimi për komisioneren e KPK-së, ku më parë janë ngritur dyshime se brenda radhëve të SPAK-ut besohet se ka pasur edhe “përplasje” për marrjen e sa të pandehur, megjithëse faktet kundër saj ishin shumë të forta.
Akuzat kundër Etleda Çiftja
SPAK-u nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar për rastin e Etleda Çiftjas, megjithëse ka rreth një javë që ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur.
“Boldnews.al” ka siguruar informacione nga kallëzimi ndaj komisioneres së Vetingut, mbi të cilën është mbështetur edhe hetimi i prokurorëve specialë.
Ja çfarë ka ndodhur.
Në Korrik 2017, anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja, plotëson deklaratën fillestare të pasurisë.
Ndër të tjera, ajo deklaron se është në pronësi të një aseti tokë arë, me sipërfaqe 3440 m2 në Qerret të Kavajës, blerë në 10 Korrik 2006, me vlerë 50 mijë euro.
Për këtë pasuri, ajo deklaron si burim financiar 15 mijë euro të kursimeve nga paga si juriste në kompaninë private “Egnatia O. Albania” dhe 35 mijë euro të tjera kredi, të cilën duhet ta shlyejë për 20 vjet, deri në vitin 2026.
Deri këtu, nuk duket se ka ndonjë gjë të veçantë. Por, redaksia ka zbuluar kontratën që Etleda Çiftja e ka blerë këtë tokë në vitin 2006 dhe historia ndërlikohet shumë, në dëm të komisioneres së Vetingut.
Sipas kontratës me nr. 2138 Rep, nr. 1490 Kol, dt. 10 Korrik 2016, nënshkruar pranë noteres publike Luljeta Kongoli në Tiranë, rezulton se Etleda Çiftja e ka blerë këtë tokë për vetëm 300 mijë lekë të reja.
Pra, kontrata e vitit 2006 shënon si vlerë blerjeje 300 mijë lekë, ndërsa në deklaratën e pasurisë është shënuar vlera 50 mijë euro.
Cila është shifra reale që ka përdorur Etleda Çiftja për blerjen e kësaj toke?
Redaksia, me aq të dhëna sa disponon, krijon dyshime të forta për kryerjen e një sërë veprash penale nga personi i zgjedhur nga Parlamenti për të verifikuar gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës.
Deklarim i rremë
Pavarësisht se kush është shifra e saktë që ka shpenzuar Etleda Çiftja për të blerë sipërfaqen e tokës, në çdo rast ajo duket se ka kryer deklarim të rremë të pasurisë.
Zonja Çiftja ka shënuar në deklaratën e pasurisë vlerën 50 mijë euro, e cila nuk përputhet me vlerën reale të kontratës së nënshkruar para noteres Kongoli.
Pra, mjafton vetëm kaq që mbi Komisioneren të ngrihen dyshime për deklarim të rremë të pasurisë.
Por nuk përfundon këtu.
Falsifikim dokumentash
Nga konsultimi i deklaratës së pasurisë dhe kontratës autentike të blerjes së tokës 3440 m2, krijohen dyshime se komisionerja e Vetingut, Etleda Çiftja ka falsifikuar dokumentat.
Nga njëra anë është kontrata me vlerën e blerjes 300 mijë lekë të reja dhe nga ana tjetër është kontrata që ka dorëzuar pranë një banke të nivelit të dytë, për blerjen e tokës me vlerë 50 mijë euro.
Fakti provohet lehtësisht edhe me metodën indirekte. Rregullat e bankave të nivelit të dytë parashikojnë se ato mund të disbursojnë deri në 70 përqind të vlerës së pasurisë së paluajtshme objekt i kontratave të shit-blerjes.
Nga të dhënat e vetëdeklaruara nga Etleda Çiftja, rezulton se banka ka disbursuar kredinë në vlerë 35 mijë euro, shumë e cila është saktësisht 70 përqind e vlerës 50 mijë euro.
Pra, për të njëjtën tokë, Etleda Çiftja ka përdorur të njëjtën kontratë, por me të dhëna tërësisht të ndryshme sa i përket çmimit të blerjes.
Kjo situatë përbën një rast të pastër falsifikimi dokumentash.
Vijojmë më tej.
Mashtrimi me kredi
Komisionerja e Vetingut, Etleda Çiftja, duket se ka kryer edhe një tjetër vepër penale, atë të “Mashtrimit me kredi”.
Ajo duket se ka paraqitur në bankë një kontratë me të dhëna të rreme, për të siguruar një kredi prej 35 mijë euro, e cila i është disbursuar në Shtator 2006, pra rreth tre muaj pas nënshkrimit të kontratës së shit-blerjes.
Me shumë mundësi, qëllimi i vërtetë i marrjes së kredisë, ka qenë diçka tjetër.
LEXO EDHE: