I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani me anë të dëshmisë së tij ka hedhur dritë mbi vrasjen e Fatmira Dedajt në shtator të 2013, një vit pasi e ndjera kishte nisur të gjente autorët e vrasjes së djalit të saj Ervis Deda përmes drejtësisë.
Dëshmia e Nuredin Dumanit: “Gjatë diskutimit Festim Qoli më tha, po më ngushton nëna Ervis Dedes, kjo pasi po interesohej vazhdimisht në Prokurori për vrasjen e djalit dhe ajo akuzonte direkt Festimin. Më kërkoi nëse mund ta ndihmoja me eliminimin e saj. Ajo ishte nëna e Ervisit. Emrin e kishte Fatmira Dedaj. Pasi diskutuam më tha do të japë 40.000 mijë euro po ta vrisja. I thashë do flas me disa persona, nuk e di atë ditë apo më vonë por di që shkova i vetëm në Elbasan tek Talo Çela. Talon me sa mbaj mend e kam takuar tek lokali/servisi i Gent Sharrës (Gentin e kam njohur nga Talo Çela ne Elbasan, pasi kishim kryer grabitje bashkë. Jeton në Elbasan përballë parkut. Është i gjatë 1.70m, ka flokë kaçurrela të zeza mesa mbaj mend, është diku tek të 50tat, ka një djalë dhe tre goca mesa mbaj mend) në Bradashesh. Ishte diku 300 metra nga shtëpia e Talos në krahun e majtë kur vjen nga rruga e vjetër nga Peqini për në Elbasan, luanim bilardo, poker. Kam diskutuar me Talon dhe Gent Sharrën për këtë pjesë i thash që janë shumë lekë. Unë i thash më thënë të drejtën janë 30.000 Euro pasi doja të fitoja diçka më shumë.
Talo e pranoi ofertën që i thash për momentin di që jeton ke rrotondo e luleve kur vjen nga Peqini diku 100m larg ne krahun e djathtë në një pallat të vjetër. Aty afër jetonte dhe ish gruaja e Talos me vajzën. I mbante flokët lart gjithmonë, ishte trup normal i gjatë diku tek 1.75m…. Atë ditë nuk mora përgjigje, ma mori përsipër pothuajse pranoi. Erdhi pas disa ditësh Talo Çela, i kam treguar vendin, emrin, lëvizjet e Fatmira Dedes. E ndoqa bashkë me Talon me makinë disa ditë, nuk i mbaj mend makinat. Ajo shkonte çdo ditë në varrezat e Durrësit në mëngjes. Ideja ishte ta vrisnim tek varrezat. Në ndjekjen e saj kemi futur dhe Dorjan Shkozën i cili kishte një makinë Suzuki ose Toyota me portobagazh të vjedhur ngjyrë e kuqe. Dorjani e ndiqte dhe na jepte ne të dhënat ku ishte ku shkoi. Talo donte ta bënim tek varrezat pasi sipas tij krijonte lehtësi në largim në drejtim të Spitallës, por unë nuk pranova. Mbasi folëm me Festimin ai më tha që të bëhej tek garazhdi pasi duhej të dukej si grabitje dhe jo si vrasje pasi aty do kishim dhe Agronin që do na ndihmonte me telefon për lëvizjet e saj.
Për çdo lëvizje që bënte Fatmira unë flisja më të vëllain e Festimit, Petritin të cilin e informoja për çdo lëvizje por jo për planin. Petriti merret me biznes. Ka pas ndërtuar pallate, me sa di ka dhe 2/3 pershkarexhe për peshkim. Mesa di ka dhe një piceri Erdogan ngjitur me ish Apolloninë që u shemb pas tërmetit. Petriti është diku sot tek 50-55 vjeç, është 1.80m i gjatë, i shëndoshë mban mjekër gjithmonë. Është i martuar po s’ka fëmijë. U vendos përfundimisht që ta eliminonim Fatmirën tek garazhdi i pallatit ku banonte. Festimi ndërkohë ishte jashtë shtetit. Mua më ka thënë që ishte në Itali por mesa mora vesh më vonë nga biseda më të se kishte qenë në Greqi…. Largimi i tij nga Shqipëria ishte i planifikuar. Kishim biseduar më parë që para se të kryhej vrasja duhet të ishte jashtë shteti. Kjo me qëllim që policia mos të kishte dyshime tek ai. Unë e lajmërova Petritin të largohej nga Shqipëria se do mbaronim punë. Unë e di që iku për në Greqi, por nuk e di a është e vërtetë. Mesa mbaj mend Petritin e kam lajmëruar 10 ditë para vrasjes. Mesa di unë iku jashtë. Na dha 2 telefona nokia të vjetër Petriti vëllai i Festimit. Një për mua një për Agronin. Agroni është djali i xhaxhait të Festimit dhe Petritit. Agroni di që merret me ndërtim dhe është diku tek 50 vjeç. Aktualisht nuk e di se ku punon Agroni. Agroni jetonte në të njëjtin pallat me viktimën. Petriti na i dha telefonat për punë vëzhgimi, kur hyn kur del Fatmira. Ditën e ngjarjes shkuam me suzukin/toyotën, Talo ka kaluar tek pjesa mbrapa ishte me xhama të zinj, unë isha shofer i mjetit. Kemi bërë rrugën dhe po prisnim tek hyrja e garazhdit. Me vete kishim një pistoletë TT dhe një thikë të cilën e mbante Talo Çela. Talo kishte doreza dhe kapuç, ndërsa unë kam pasur vetëm doreza edhe një triko sportive me kapuç dhe kapele, mesa mbaj mend pasi unë isha në timon. Goni na bëri mesazh që Fatmira kishte dal dhe e dinim që do kthehej. Agroni na jepte të gjitha informacionet kur hynte dhe dilte Fatmira. Ajo lëvizte me Citron C4 ishte lehtësisht e verifikueshme.
Kemi pritur kthimin e saj rreth 1 orë dhe e pamë që erdhi, u nisa mbas saj me makinë tek garazhdi, hymë njëkohësisht tek garazhdi. Ajo zbriti nga makina pasi parkoi dhe po dilte për punën e saj.
Unë po rrotullohesha tek parkimi dhe Talo doli nga makina dhe po priste momentin. Unë pashë që Talo po e godiste me shqelma, ndërsa ajo nuk reagonte. Talo kishte dhe armën me vete po s’e përdori. Ai përdori thikën më pas për ta eleminuar. Ajo ishte e shtirë pa ndjenja nga goditjet e tij me grushta dhe shqelma ai i drejtoi thikën dhe më duket se e goditi në qafë. Unë nuk mund ta shikoja dot. Kështu donte dhe Festimi që të ndodhte pasi donte të dukej jo si vrasje por si grabitje prandaj u përdor konflikti. Talo më pas i grabiti çantën, nuk e di se çfarë kishte brenda se kam parë. Isha i tensionuar nga gjaku dhe nga vdekja e zonjës. Pastaj u larguam, kemi shkuar me të njëjtën makinë deri në Plepa tek ura. Unë mora taksi tek Plepat ndërsa Talo mori makinën dhe nuk e di ku shkoi më pas makina e ngjarjes. Më rëndoi shumë vrasja. Telefonin e hodha tek kanali i ujërave të zeza. Hodha dhe rrobat. Më pas shkova në shtëpi. Pas disa ditësh unë po prisja tek lokali i Festimit ardhjen e Petritit. Me sa mbaj mend Petriti erdhi me një ML gri, më tha dil tek nën kalimi i Shën Vlashit aty bëmë një xhiro me benzin dhe më tha ja ku e ke pagesën. Më falënderoi, më tha që do kemi shumë punë.
Lekët i kishte futur tek marshi i makinës. Eurot që mora kanë qenë në disa prerje. Më la pas xhiros përsëri tek nënkalimi dhe ika më pas në shtëpi. Shkova në Elbasan atë ditë ose të nesërmen dhe komunikova me Talo Çelën që po shkoja ta takoja. Komunikoja vetëm me mesazhe. Talon e kam takuar tek pilafi në Bradashesh, Elbasan. I dhashë 30.000 mijë Euro Talo Çelës dhe 10.000 euro i mbajta për vete. Unë me Festimin jam takuar disa herë më mbrapa por nuk e ka hapur asnjëherë bisedën për vrasjen. Më ka falënderuar për vrasjen dhe më pas kemi prerë gishtat së bashku, jemi bërë vëllezër gjaku. Të shtëpisë time dhe të atij e dinë që jemi vëllezër gjaku”.