Dritan Dervishi, ish-drejtori sportiv i Partizanit në vitet e shkuara, por edhe në një periudhë të shkurtër në janar, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ka bërë një analizë të hollësishme të këtij sezoni të Partizanit. Ai shprehet se nëse të kuqtë kënaqen me vendin e katërt, klubi ka probleme, si dhe tregon arsyet përse skuadra nuk luftoi dot për titullin.
Si ju duket sezoni i Partizanit?
Ecuria e një ekipi përgjatë një sezoni varet nga puna përgatitore që bëhet përpara fillimit të tij, si dhe ndërhyrjet apo riparimet eventuale që mund të bëhen përgjatë tij. Në këtë këndvështrim, sezonin e Partizanit do ta ndaja në dy pjesë. Në pjesën e parë Partizani vinte me një ekip thuajse të shpërbërë në fund të kampionatit të kaluar, ku u larguan çuditërisht thuajse të gjithë lojtarët më të rëndësishëm dhe zëvendësimi i tyre, jo vetëm nuk ishte në lartësinë e duhur, por u bë vetëm në ditët e fundit të merkatos verore, pa i dhënë kohën e duhur ekipit që të kolaudohej. Ky lloj menaxhimi solli ato rezultate, që ndikuan edhe në largimin e trajnerit Daja. Me zëvendësimin e trajnerit në pjesën e dytë të sezonit, klubi ndërhyri shpejt në ekip, duke zëvendësuar apo larguar disa nga lojtarët që s’kishin lidhje me çfarë përfaqëson Partizani. Zëvendësimi i tyre me elementë më të mirë studiuar, si dhe puna e mirë trajnerit të ri, Mehmeti, solli dhe një ngritje të ekipit në krahasim me pjesën e parë të sezonit.
Ku u gabua që Partizani nuk mundi të luftojë për titullin kampion?
Para dy vitesh u duk sikur ndodhi gjëma nga një vendim i FIFA-s, që bllokoi padrejtësisht merkaton, por kjo rezultoi pozitive në fund, pasi Partizani ruajti grupin e lojtarëve, angazhoi lojtarët e akademisë dhe puna e lavdërueshme e trajnerit Daja për pak sa nuk u kulmua me fitimin e titullit. Këtë sezon Partizani vinte me një skuadër të zbrazur nga lojtarët më të mirë që ka pasur ndër vite, por dhe me lojtarë jocilësorë, për të cilët u shpenzuan shifra të denja për një ekip, që konkurron për kampion.
Është e dhimbshme ajo humbje e fundit në derbi ndaj Tiranës? Dhe çfarë mendimi keni për trazirat që ndodhën në fund me tifozët?
Sigurisht që kur kundërshtari yt i përjetshëm shpallet kampion pikërisht në ditën që të mund në ndeshjen derbi, lë një shije të hidhur për çdo tifoz. Megjithatë, nuk do ta bëja situatën kaq dramatike, pasi historia e futbollit kështu është, me ulje e ngritje, ndaj është dhe sporti më i bukur e më i ndjekur në botë. Dje këtë gjë e bëri Partizani ndaj Tiranës, sot e bëri Tirana ndaj Partizanit. Për sa u përket trazirave në fund të ndeshjes, unë jam gjithnjë kundër dhe nuk pajtohem kurrë me dhunën, por arrij t’i kuptoj tifozët e Partizanit, që m’u duk sikur trazirat më së shumti i shkaktuan në shenjë revolte ndaj klubit të tyre, sesa të kishin diçka konkrete me policinë apo dhe vetë kundërshtarin.
Çfarë do të thotë fakti se ky është sezoni i vetëm që nga rikthimi në Superiore që Partizani nuk fiton asnjë derbi ndaj Tiranës?
Do të thotë thjesht dhe vetëm që nuk është punuar mirë dhe kundërshtari ka qenë më i zoti sesa ti. Partizani ka disa sezone që vuan ndaj Tiranës, mos të harrojmë që para dy vitesh pati dhe rezultatin turpërues 5-1 apo dhe rezultate të tjera zhgënjyese.
Vendi i katërt dhe kualifikimi në Ligën e Konferencës. Si mund të konsiderohet ky sezon i Partizanit?
Nëse Partizani do të kënaqej me këtë pozicion, sidomos duke ditur që presidenti Demi nuk ka qenë i kursyer me financat për klubin, atëherë Partizani ka një problem të rëndë të brendshëm, që lidhet me mosnjohjen e identitetit, historisë dhe traditën e tij si klub. Partizani duhet të bëjë një analizë të thellë dhe të vërtetë të situatës dhe të ketë kurajën dhe objektivitetin që më në fund të adresojë përgjegjësitë aty ku duhet, si dhe të gjejë arsyen se përse prej kohësh nuk arrin të ngrihet në nivelin e emrit të vet. Me keqardhje vërej nëpër media që në fund të këtij sezoni ekipi rrezikon të shpërbëhet përsëri. Kjo gjë duhet të marrë fund te Partizani.
A ka Partizani në organikë lojtarë nga të cilët mund tëpërfitojë financiarisht?
Është shpejt për të folur për këtë, sepse pjesa kryesore e organikës së skuadrës është formuar rishtazi dhe duhet parë edhe ecuria e ekipit në një kohë më të gjatë. Ka elementë të rinj, që premtojnë shumë, por të arrish në konkluzionin se Partizani do të përfitojë prej tyre financiarisht nga ndonjë shitje e mundshme,është e parakohshme për t’u thënë.
Ishit pjesë e Partizanit në janar si drejtor sportiv, çfarënuk shkoi që u ndatë aq shpejt?
E kam sqaruar një herë publikisht këtë çështje, por në respekt tuajin po ju përgjigjem shkurtimisht. Arsyeja e vetme që më ka çuar drejt largimit pa kthim ishte situata e menaxhimit në klub, mosndarja e roleve dhe mospajtimi i thellë me mënyrën se si drejtohej klubi.
/Panoramasport