“Sistemi energjetik gjendet prej kohësh në një krizë financiare të trashëguar nga periudhat e mëparshme. Ai ka një mungesë të theksuar efiçense, si rezultat i detyrimeve të akumuluara midis shoqërive publike të sektorit dhe kredive të shumta të marra për përballimin e kësaj krize”. Në këtë përfundim ka arritur Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Sipas raportit të KLSH, pasqyrat financiare të KESH, OSHEE dhe OST, tregojnë se detyrimi total, i regjistruar zyrtarisht në bilancet e kompanive në fjalë deri më datën 20 shtator 2016, ishte 80.6 miliardë lekë. OSHEE gjatë vitit 2015 dhe 2016 ka rritur nivelin e arkëtimeve, detyrimi i papaguar i OSHEE ndaj KESH për blerjen e energjisë elektrike është 50.9 miliardë lekë. Ndërkohë, detyrimi OSHEE ndaj KESH për huatë afatgjata është 11.3 miliardë lekë.
Pasqyrat financiare të KESH, OSHEE dhe OST, tregojnë se borxhet e ndërsjellta kapin vlerën e 588 milionë eurove.
Raporti i KLSH thotë se edhe strategjia e ndjekur nga operatori privat i shpërndarjes CEZ, të përzgjedhur nga qeveria e mëparshme, jo vetëm që nuk e përmirësoi situatën financiare të kompanisë, por përkundrazi solli një përkeqësim të tregueseve financiare dhe një rritje të detyrimeve të ndërsjella, ndërmjet shoqërive të sektorit energjetik, duke vështirësuar operimin normal të këtyre shoqërive. Pra, ishte një privatizim i dëmshëm për interesat e vendit.
Bilancet financiare të tre operatorëve të sistemit energjetik kanë ardhur nga mosrespektimi i marrëveshjeve dhe procedurave ligjore nga ana e kompanive, çka ka sjellë dhe akumulimin dhe rritjen e detyrimeve të ndërsjella, të cilat i kanë venë në vështirësi këto shoqëri për të operuar në kushte normale.
Sipas KLSH në këto kushte u iniciua edhe reforma në sistemin energjetik që u shoqërua me rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe ashpërsimin e masave për debitorët e energjisë elektrike. Sforcimi solli një përmirësim të bilancit vjetor të OSHEE-së, megjithatë humbjet mbeten ende në nivele të larta dhe çmimi me të cilin operon OSHEE në treg, jo gjithmon reflekton kostot. Bashkë me gropën e zezë të borxheve duket se është mbuluar edhe abuzimi i madh që është bërë me këtë sektor dhe e vetmja zgjidhje është rritja e çmimit të energjisë për të mbuluar kostot.
Raporti vijon duke thënë se në të shkuarën qeveria ka injektuar nga buxheti para për KESH, OSHEE dhe OST, ndërsa ka paralajmëruar liberalizimin e tregut, duke nisur me shkëputjen e biznesit të madh nga marrdhënia e detyruare kontraktuale me OSHEE. Gjithsesi qeveria doli shumë shpejt jashtë parashikimeve të saj për të ulur tvsh-në e energjisë siç kishte premtuar dhe më shumë gjasë do të kërkojë sërish rritje të çmimit të energjisë Janarin që vjen.