Në parashtrimet e saj në seancën dëgjimore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të hënën, gjyqtarja e Gjykatës së Apelit të Tiranës e vuri disa herë theksin te lidhja e veçantë me motrën që i kishte dhuruar disa milionë lekë në forma të ndryshme.
Lluri i dha këto argumente ndërsa këmbënguli në seancë që vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e kishte konfirmuar atë në detyrë të mbetej në fuqi, pavarësisht ankimimit të Komisionerit Publik.
Por vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs ngriti dyshime mbi argumentet e gjyqtares. Pas një seance të shkurtër pyetje-përgjigje të fokusuar mbi dhurimet që Lluri pretendonte, Jacobs tha se i dukej sikur motra e gjyqtares kishte shërbyer për të “mbushur gropat” në deklaratat e saj të pasurisë.
Sipas Jacobs, deklarimet e Llurit për dhurimet nga motra ishin të pambështetura në asnjë provë që të tregonin ekzistencën e tyre.
“Kjo më bën të mendoj që ose ju nuk e njihni ligjin për ILDKPKI, ose kjo është makineria më e madhe e pastrimit të parave që unë kam hasur gjatë procesit të rivlerësimit,” tha Jacobs.
Gjyqtarja i kundërshtoi konstatimet. Ajo tha se e motra dhe bashkëshorti i saj kishin 30 milionë euro pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, dhe i konsideroi dhurimet për të si normale nisur nga “marrëdhënia e veçantë”.
Debati mes Llurit dhe Jacobs u zhvillua në fund të seancës në Kolegji e Posaçëm të Apelimit, ku gjyqtarja po përballet me ankimin e Komisionerit Publik që kërkon rihetimin e pasurisë së saj dhe ngre dyshime mbi të ardhurat e përdorura për blerjen e dy apartamenteve dhe dy makinave.
Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elbana Lluri u konfirmua në detyrë më 2 shkurt 2021, por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit rekomandoi apelimin e saj, duke arsyetuar se hetimi nuk kishte qenë i plotë ose ishte në kundërshtim me praktikën e vendosur tashmë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Komisioneri Publik ankimoi gjithashtu vendimin e konfirmimit duke kërkuar rihetim për Llurin.
Trupa e KPA, me kryesuese Natasha Mulaj, relatore Ina Ramën dhe anëtarë Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Sokol Çomo, vendosi të hënën të rihapë hetimit për gjyqtaren, pasi pranoi disa prova të reja prej saj dhe dëgjoi parashtrimet e palëve.
Parashtrimet dhe mbrojtja
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa i qëndroi ankimit të bërë më herët. Ai tha në fjalën e tij se kërkonte nga Kolegji hetim më të thelluar mbi pasuritë e Llurit, konkretisht sa i përket blerjes së një apartamenti 125 metra katrorë në Tiranë, një apartamenti 126 metra në Vlorë, mundësive të prindërve për të dhënë hua 25 mijë euro, burimet për të mbuluar 2.6 milionë lekë në shpenzime udhëtimi.
Komisioneri Publik i kërkoi KPA-së që të kryejë një analizë të re financiare për subjektin dhe të riçelë hetimet për të.
“Mbështetur në parashikimet e nenit F, pika 3 e aneksit të Kushtetutës, kërkojmë që shkaqet e parashtruara në këtë ankim të merren në konsideratë nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke disponuar çeljen e hetimit dhe marrjen e provave përkatëse, sipas kërkimeve të ankimit dhe kësaj parashtrese”, lexoi Ballhysa.
Ballhysa po ashtu këmbënguli që KPA të hetonte lidhjen mes subjektit dhe një Audi Q7, e blerë nga ish-vjehrri i saj dhe në përdorim nga ish-bashkëshorti, gjyqtari Gerd Hoxha, vendimi për konfirmimin në detyrë të të cilit po ashtu është ankimuar në Kolegj. Ai tha se Kolegji duhej të hetonte pretendimet e Llurit mbi mungesën e detyrimit për ta deklaruar këtë makinë.
Gjyqtarja u mbrojt duke i vënë në dukje Kolegjit se pasuria e saj ishte hetuar dy herë nga dy trupa të ndryshme të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe se në të dyja rastet nuk ishin gjetur probleme. Ajo tha se edhe pse procesi ndaj saj dhe procesi ndaj ish-bashkëshortit, Gerd Hoxha ishin të veçantë, pasuria e saj u ishte nënshtruar verifikimeve dhe ishte konsideruar si e ligjshme në të dy rastet.
Në të njëjtën kohë, Lluri këmbënguli se nuk kishte lidhje me makinën, një Audi Q7 në emër të vjehrrit, por në përdorim nga bashkëshorti, për të cilën ONM ka ngritur dyshime se ishte pasuri e fshehur. Lluri tha se kontrata e përdorimit ishte para martese dhe se ajo nuk e kishte ngarë asnjëherë makinën edhe pse kishte qenë në udhëtime me ish-bashkëshortin.
Në fjalën e saj, Lluri po ashtu pretendoi se të ardhurat e prindërve të saj ishin të mjaftueshme për të kursyer shumën 25 mijë dollarë. Ajo tha se kishte bërë versione të ndryshme të analizave dhe në të gjitha rastet të ardhurat mjaftonin.
Ajo po ashtu vuri në dukje marrëdhënien me të motrën, që sipas saj e kishte ndihmuar, duke i dhënë një pagë mujore që kishte variuar nga 30 mijë në 40 mijë lekë deri në vitin 2004, një dhuratë prej 2 milionë lekësh pas përfundimit të shkollës së Magjistraturës dhe i kishte dhuruar gjysmën e vlerës së apartamentit 125 metra në Tiranë, që sipas përllogaritjeve ishte 6.5 milionë lekë.
Gjyqtarja tha se shuma prej 30-40 mijë lekësh në muaj i ishte dhënë nga të afërmit në formë dhurate dhe jo si pagesë për punën në kompaninë e ndërtimit. Ajo sqaroi se deklarimi që bëhej fjalë për pagë ishte një lapsus dhe këmbënguli që termi punë ishte përdorur në kuptim të shpërblimeve për ndihmë në shtëpi kujdesi për fëmijët e të ngjashme.
Lluri ndërkohë lexoi edhe qëndrimin e saj mbi 4 denoncime që ishin bërë gjatë kohës që çështja e saj ndodhej në Kolegj. Gjyqtarja tha ndër të tjera se kallëzimet kishin të bënin me arsyetimin e çështjeve, ndërsa referoi se vendimet e saj ishin lënë në fuqi në gjykatat më të larta dhe se ajo kishte vendosur për rastet bazuar në prova.
Debati me Jacobs
Kur trupa gjykuese u kthye pas një tërheqje në dhomë këshillimi për të vendosur në lidhje me hapjen apo jo të hetimeve, vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs mori fjalën për disa pyetje.
Jacobs i kërkoi Llurit detaje mbi marrëdhëniet financiare me motrën, duke pyetur disa herë nëse kishte prova për dhurimin e 2 milionë lekëve apo për pagesat mujore. Jacobs tha se e shikonte të dyshimtë transferimin e shumave kaq të mëdha dhe mungesës së dokumenteve.
Lluri këmbënguli se fakti që këto para ishin dhënë para marrjes së detyrës dhe ajo i kishte deklaruar ato si kursime cash në deklaratën e parë, kjo duhej të merrej si provë nga Kolegji dhe ato duhej të konsideroheshin të ligjshme. Lluri këmbënguli se motra ishte në gjendje të mirë financiare, këmbëngulje së cilës Jacobs iu përgjigj se nuk ishin aty për të ardhurat e motrës së saj.
Vëzhguesi tha se pavarësisht deklarimit para detyrës, Lluri kishte pasur detyrim të provonte me dokumentacion ekzistencën e këtyre të ardhurave. Ai tha se ishte po ashtu i dyshimtë fakti që fillimisht pagesat mujore ishin deklaruar si të ardhura pune dhe më pas si dhurime.
Jacobs tha se ndryshimi në deklaratën noteriale të kunatit të gjyqtares në vitit 2018 në të cilën thuhej se gjyqtarja ishte paguar për punë në kompaninë e ndërtimit dhe asaj të vitit 2020 në të cilën thuhej se ajo ishte paguar si dado, dukej se ishte bërë pasi ai ishte ndjerë ngushtë se KPA “do të kërkonte të verifikonte librat e kompanisë për këto pagesa”.
Ai po ashtu tha se ishte e dyshimtë që paratë që prindërit e saj merrnin nga motra për të jetuar një jetë dinjitoze, ishin kursyer për t’iu dhënë më pas gjyqtares. Jacobs po ashtu theksoi se marrja e kredisë dhe investimi i një shumë 25 mijë euro në një shtëpi, të cilën Lluri e bleu vetëm 3 vjet më vonë, ishte po ashtu jo bindës.
Lluri në qëndrimet e saj përsëriti disa herë se marrëdhënia me motrën e madhe ishte e veçantë dhe se ajo kishte qenë e larguar për një periudhë kohe nga familja biologjike e se kishte qenë motra e madhe që e kishte rritur. “Unë isha si vajza e saj e madhe,” tha ajo për të shpjeguar marrëdhënien.
Por Jacobs i konsideroi argumentet e gjyqtares jo-bindëse. Ai përsëriti disa herë se nuk kishte asnjë provë të lëvizjes së këtyre parave dhe se gjyqtarja kishte detyrim në bazë të ligjit për deklarimin e pasurive që jo vetëm të deklaronte pasurinë, por edhe të provonte me dokumente atë. Ai tha se bazuar në sa ishte thënë në proces i dukej se motra e Llurit ishte ajo që “mbush gropat në deklaratat e tua të pasurisë”.
Këmbënguljes së Llurit për gjendjen e mirë financiare të së motrës duke e llogaritur kapitalin e saj dhe bashkëshortit në shumën 30 milionë euro, Jacobs iu përgjigj me ironi. “Unë kam lindur natën, por jo mbrëmë”, tha ai.
Në fund të këtij debati, KPA njoftoi hapje të hetimit, bërjen e një analize të re financiare dhe caktimin e seancës së radhës në 4 maj. /Reporter.al/