Presidenca zbardh detaje nga mbledhja me dyer të mbyllura e mbajtur sot e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për mosarrestimin e të shumëkërkuarit për trafik droge Kelmend Balili.
Mësohet se presidenti Bujar Nishani theksoi që në fillim se shqetësimi i ngritur është serioz, legjitim, i nevojshëm për të nënvizuar më fort angazhimin dhe bashkërendimin e veprimeve të agjencive ligjzbatuese të lidhura drejtpërdrejtë me sigurinë kombëtare.
Kurse kryetari i Kuvendit Ilir Meta në diskutimin e tij, argumentoi kërkesën drejtuar Presidentit të Republikës për të thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar me faktin se rasti konkret përbën jo vetëm një shqetësim të madh publik me ndjeshmëri të lartë, por ai ka tërhequr edhe vëmendjen e aleatëve dhe partnerëve tanë strategjikë në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe agjencive ndërkombëtare ligjzbatuesve, duke ngritur pikëpyetje për seriozitetin e institucioneve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomenit të trafikimit të drogës, duke dëmtuar njëkohësisht edhe imazhin e vendit tonë.
Në mbledhjen e KS mungonte kryeministri Edi Rama dhe ministri i Transporteve, pasi ndodhen në vizita zyrtare jashtë vendit. Sakaq Nishani kishte refuzuar pjesëmarrjen e zv/kryeministrit Niko Peleshi në vend të Ramës, me argumentin se Rama nuk ka arsye objektive për të munguar në një mbledhje të kësaj rëndësie.
Ja zbardhja e mbledhjes nga Presidenca:
Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani dhe me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit, Sh.T.Z. Ilir Meta u mblodh sot Këshilli i Sigurimit Kombëtar për të diskutuar, analizuar dhe koordinuar veprimet dhe përpjekjet lidhur me çështjen “Balili” si dhe në luftën pakompromis ndaj fenomenit kriminal të trafikut të lëndëve narkotike në vendin tonë.
Presidenti i Republikës theksoi që në fillim se shqetësimi i ngritur është serioz, legjitim, i nevojshëm për të nënvizuar më fort angazhimin dhe bashkërendimin e veprimeve të agjencive ligjzbatuese të lidhura drejtpërdrejtë me sigurinë kombëtare.
“Çështja ‘Balili’, përtej nivelit kombëtar i tejkalon përmasat individuale të rastit në fjalë, sepse ajo është shtrirë dhe ka marrë përmasa të zgjeruara gjeografike në disa shtete fqinje dhe aleate dhe për këto arsye, mbledhja e sotme u thirr pikërisht për të diskutuar, përcaktuar dhe këshilluar mbi hapat e marrë, ndjekjen dhe vijueshmërinë e veprimtarive institucionale të agjencive ligjzbatuese lidhur me hetimin e mëtejshëm të saj.” – u shpreh Presidenti Nishani.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në diskutimin e tij, argumentoi kërkesën drejtuar Presidentit të Republikës për të thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar me faktin se rasti konkret përbën jo vetëm një shqetësim të madh publik me ndjeshmëri të lartë, por ai ka tërhequr edhe vëmendjen e aleatëve dhe partnerëve tanë strategjikë në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe agjencive ndërkombëtare ligjzbatuesve, duke ngritur pikëpyetje për seriozitetin e institucioneve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomenit të trafikimit të drogës, duke dëmtuar njëkohësisht edhe imazhin e vendit tonë.
Më pas të pranishmit referuan dhe diskutuan lidhur me veprimet institucionale dhe koordinimin sa më të mirë të të gjitha agjencive ligjzbatuese në bashkëpunimin edhe me partnerët ndërkombëtarë për të luftuar në mënyrë sa më efektive krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve.
Presidenti Nishani në përmbyllje, vuri në dukje rëndësinë dhe domosdoshmërinë e mbledhjes së sotme të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, duke vlerësuar nismën e marrë nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Meta si dhe falënderoi anëtarët e Këshillit për kontributin e tyre produktiv dhe konstruktiv.
“Çështja e diskutuar paraqitet shumë problematike dhe komplekse dhe me rrezikshmëri të lartë jo vetëm për mungesën e deri më tanishme të rezultateve konkrete në luftën kundër krimit, trafikut të narkotikëve, pastrimin e parave duke ndikuar edhe në imazhin e shtetit shqiptar, por vetë faktin që edhe partnerët tanë dhe agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese janë interesuar për zgjidhjen sa më të shpejtë të saj dhe kanë shprehur shqetësimin disa herë, ilustron përmasat e mëdha që ajo mbart jo vetëm duke cenuar sigurinë tonë kombëtare duke kapërcyer edhe kufijtë e vendit tonë. Kjo mbledhje ishte e domosdoshme dhe e rëndësishme, sepse ajo u fokusua jo vetëm te rrezikshmëria e fenomenit të narko-trafikut, por edhe te nevoja për një koordinim sa më të mirë e të efektshëm dhe rrijes së përgjegjshmërisë së të gjitha institucioneve ligjzbatuese në raport me përgjegjësitë e tyre institucionale.” – u shpreh Presidenti Nishani.