Federata Shqiptare e Futbollit, në ethet e zgjedhjeve që do të zhvillohen më 2 Mars, pavarësisht ndërhyrjeve dhe problemeve nga palët e treta, vijon punën për përmirësimin e futbollit, sportit më të dashur në vend.
Në këtë projekt të shpallur nga Federata, foli edhe kreu i FSHF, Armand Duka i cili zbuloi edhe pikat kryesore ku do të bazohet kjo strategji.
Sipas tij janë 9 Shtylla kryesore të strategjisë së Futbollit ndërkohë që numri 1 nuk preku asnjëherë temën e zgjedhjeve apo ndërhyrjeve politike në fjalën e tij.
1. Promovimin e një qasjeje të konsoliduar ndaj lidershipit në të gjitha aspektet e FSHF-së
2. Zhvillimin e përvojës më të mirë në organizimin e të gjitha aktiviteteve të futbollit në vend
3. Ruajtjen e marrëdhënieve të ngushta dhe bashkëpunuese me të gjitha klubet
4. Dialogimin e vazhdueshëm me institucionet shtetërore dhe shoqatat tona rajonale për të mbështetur realizimin e objektivave strategjikë
5. Ofrimin e mundësive edukative për trajnerët e klubet për të ruajtur nivelet e larta të cilësisë, infrastrukturën e futbollit në të gjithë vendin
6. Lidhjen direkte të klubeve profesioniste dhe amatore me FSHF-në dhe nxitjen e tyre për rritjen e numrit të lojtarëve
7. Standardet e nevojshme për klubet private, për të siguruar që të gjithë pjesëmarrësit të marrin përvojën më të mirë të mundshme në futboll
8. Mundësitë për t’u angazhuar në futboll pavarësisht nga mosha, gjinia,aposituata social-ekonomike
9. Rritjen e mëtejshme të klubeve anëtare të Federatës së Futbollit.
“I kemi vendosur vetes objektiva të rëndësishëm, për të zhvilluar futbollin. Fokusi kryesor do të jenë të rinjtë teksa ndërtimi i projektit ka zgjatur disa muaj në bashkëpunim me specialist më të mirë vendas dhe ata të Uefas.
Duam të përmirësojmë jetën jo vetëm në fushë por dhe jashtë saj ndaj synojmë të rrisim nivelin e klubeve të futbollit dhe të përmirësojmë infrastrukturën e futbollit në të gjithë vendin. Projekti do të mbështetet në 9 shtylla, futbolli amator dhe i fëmijëve, ku të përfshihen sa më shumë të rinj e të reja. Duam të përfshihen edhe programe në shkolla. Synojmë të rregjistrojmë 23 mijë lojtarë deri në vitin 2025 dhe të rrisim numrin e lojtarëve në skuadrat e Fshf në shkolla. Fokusi i madh është te kombëtarja A por ne krenohemi me të gjitha ekipet për femra dhe të rinj të përfaqësueses. Kemi ndërtuar një sistem të konsoliduar zbuluesish talentesh që mbulojnë të gjithë europën ndërsa objektiva kemi të ruajmë statusin në ligën B në Ligën e Kombeve dhe të synojmë kualifikimin në Kampionatin Europian 2024”.
Ishin këto disa nga temat kryesore që preku Armand Duka në fjalën e tij teksa kërkoi edhe bashkëpunim me të gjithë aktorët edhe me ata lokalë për të zhvilluar projektin e 100 fushave me bar natyral në të gjithë vendin./Ora News/.
https://www.youtube.com/watch?v=lv6Ms_UNnCY