Me anë të një postimi në facebook, kryeministri Edi Rama paraqiti sot një grafik në të cilën konfigurohej grafiku i besimit të institucionet shqiptare.
Ministria e Brendshme paraqitej në këtë grafik me nivelin më të lartë të besimit tek qytetarët, ndërsa Rama e përdori të dhënën për t’iu kundërpërgjigjur akuzave të forta të bëra nga zyrtarë të LSI-së për kanabisin.
Ajo çfarë bënte përshtypje ishte fakti se Rama e quante këtë anketë si një punë të bërë nga Komisioni Evropian.
Pas anketimit të bërë disa muaj më parë nga Komisioni Europian, POLICIA E SHTETIT konfirmohet përsëri si institucioni më i besuar i shqiptarëve në Indeksin e Besimit tek Institucionet”, – shprehej kryeministri.
Në tentativë për të gjetur raportin e plotë të KE-së, kuptuam se nuk ekzistonte asnjë raport dhe anketim i certifikuar nga ky institucion që indeksonte besueshmërinë e institucioneve.
Por një media shumë pranë qeverisë na orientoi me raportimin e saj duke saktësuar se Rama i referohej raportit të institutit IDRA.
Të dhënat, metodologjia dhe objekti i raportit të IDRA-s ka përkime thuajse identike me grafikun që ekspozoi kryeministri Rama. Edhe ngjyra e grafikëve ishte identike.
Nga çka del qartë se kryeministri ka quajtur si raport të KE-së një raport që në fakt është i një instituti shqiptar.
Por nëse i referohemi raportit të IDRA-s, zbulojmë se në raport qartësohet se instituti IDRA është entitet i mbështetur dhe i financuar tërësisht nga Fondacioni Soros dhe në raportin e IDRA-s ky fakt thuhet në mënyrë të përsëritur.
Nga krahasimi i të dhënave del qartë se kryeministri ka manipuluar publikisht të dhënat duke paraqitur një raport të një instituti të financuar nga Soros, si një raport të BE-së. Linja Soros është e atashuar zyrtarisht pranë qeverisë Rama, si në projekte të reformave ekonomike dhe po ashtu në reformën e drejtësisë. Linjë private, korporatë private dhe linjë aleate e Edi Ramës.
Madje nuk është as hera e parë që institute të financuara nga Soros përpiqen të shuajnë problemin e kanabisit.
Një raport i Transparency International Albania (TIA) i publikuar në Shtator 2016 shkaktoi skandal, sepse fliste vetëm për operacionet e policisë në Lazarat, ndërsa në momentin kur doli raporti, kishte filluar korrja e kanabisit në çdo cep të vendit.
Siç u zbulua nga Hashtag.al, raporti I TIA-s ishte gjithashtu një raport ifinancuar dhe mbështetur nga fondacioni Soros. /Hashtag.al/