Strategjia e LSI për të dalë vetëm në zgjedhje, apo për të vënë veton pas 18 qershorit?
Ndërsa në korridoret e politikës po gëlon përditë e më shumë dilema nëse PS dhe LSI do të hyjnë së bashku në zgjedhjet e ardhshme, Ilir Meta po i bën gjithë veprimet sikur po kërkon të gjejë një alibi për t’u ndarë nga PS. Ai ka vënë në punë një makineri propagande synimi i së cilës është vetëm diskretitimi i kryeministrit.
Thirrja e fundit për të mbledhur Këshillin Kombëtar të Sigurisë është një lëvizje në këtë drejtim. Së pari ajo mëton të tregojë se qeverisja është aq e lidhur me krimin sa kjo po cënon edhe sigurinë e vendit.
Një lëvizje e kësaj natyre ishte edhe deklarata e para pak kohëve e ministrit të drejtësisë Manjani, i cili bëri thirrje për futjen e ushtrisë për të ndaluar kanabizimin e vendit.
Në këtë vazhdë, shefi i grupit parlamentar të LSI-së ka dalë disa herë, hapur kundër koncesioneve grabitëse të Ramës dhe po insiston në propozimin që ato të kalojnë nga parlamenti( Jo nga qeveria).
Po t’i shtosh këtyre edhe nismën personale të Ilir Metës për t’i thënë “JO” ligjit skandaloz të importit të plehrave duket qartë se çdo lëvizje e LSI-së ka një qëllim: Ta evidentojë njollat më të errëta të qeverisjes së Ramës. Të tregojë se kundër interesave të shumicës, ai është i lidhur me trafikantët deri në cënim të sigurisë kombëtare, me drogën deri sa duhet ndërhyrja e ushtrisë, me oligarkët deri në dhurimin e koncesioneve marramendëse dhe me mafien e plehrave, deri në pikën sa mund të mohojë edhe aktin e parë të qeverisjes së tij.
Por pas gjithë kësaj shtrohet pyetja: a ka kuptim që pas tërë këtyre akuzave LSI të shkojë sërish në koalicion me Ramën? A është e moralshme, politikisht e zgjuar dhe largpamëse një zgjedhje e tillë?
Të gjendura përballë kësaj dileme shumë nga mediat e majta i kujtuan Metës se ai humbiste shumë deputetë nëse dilte i vetëm në zgjedhje. Vetë Rama, pak kohë më parë në Asamblenë e PS, megjithëse zyrtarizoi zërat se LSI po pasurohet brenda koalicionit, e ftoi atë të qëndronte brenda koalicionit strategjik.
Por pyetja sërish mbetet se çdo të bëjë Meta pas kaq shumë akuzave të rënda.
Një version është se ai po përdor çdo provokim të mundshëm për ta shtyrë Ramën drejt prishjes se koalicionit dhe për ti lënë atij faturën se përçau të majtën.
Ndërsa version i dytë është se ai po përgatit taktikën e pas 18 qershorit. Se ai po e njollos aq shumë vëllain e tij armik, sa t’i japë të drejtë vetes që pas zgjedhjeve (nëse numrat ia lejojnë) të kërkojë një qeverisje të majtë pa Ramën kryeministër. Vetëm kështu mund të shpjegohet ngritja e toneve dhe çuarja në ekstrem e akuzave kundër Ramës. (Lapsi.al)