Abuzimet me çmimet vazhdojnë dhe këtë vit, konsumatorët bien pre e çmimeve të shtrenjta, apo shpeshherë të mbivendosura. Shije vëzhgoi 4 supermarketet më të mëdha të Tiranës, secili pjesë e një rrjeti të gjerë supermarketesh.
Shije vëzhgoi çmimet e produkteve bazë të shportës ushqimore, duke u nisur nga markat më të lira, për të parë sesa shpenzon mesatarisht një konsumator kryeqytetas dhe ku mund të gjejë çmimet më të lira. Një guidë e thjeshtë…
Big Market
Vëzhguam Big Market në Bllok dhe pamë se çmimet për disa produkte ishin më të larta se në pikën e shitjes në Yzberisht.
Sheqeri, përshembull në një një nga marketet e rrjetit Big Market në bllok shitet 110 lekë/kg, ndërkohë që në Yzberisht mund të blesh 1 kg sheqer për 98 lekë. Po ju ndihmojmë paksa në përllogaritje: Një familje e cila blen çdo muaj 4 kg sheqer, me çmimin 98 lekë shpenzon 392 lekë
Krahasuar me një familje e cila blen çdo muaj të njëjtën sasi produkti 4 kg, por me çmimin 110 lekë familja e dytë shpenzon 440 lekë. Nëse zbresim diferencën ajo është 48 lekë.
Pra për të njëjtin produkt një familje e cila jeton në bllok e paguan më shtrenjtë sesa një familje e cila jeton në Yzberisht. Ia vlen pazari në Yzberisht, edhe pse jeton në Bllok, apo jo?!
Pothuajse këtë diferencë në çmime e gjen në të gjithë produktet e shportës. Ndërsa autoritetet flenë gjumë, konsumatorët vazhdimisht pyesin: Një rrjet marketesh, a duhet së paku të ketë çmime të unifikuara?!
Hippomarket
Pas Big Market ne shkuam dhe tek Hippomarket, një rrjet i ri supermarketesh në kryeqytet. Në pikën pranë 21 Dhjetorit, pas një vëzhgimi të thjeshtë mbi produktet bazë ushqimore të shportës (theksojmë produkte të të njëjtës markë) nuk pamë diferenca të mëdha çmimesh.
Përkundrazi, në shumë prej produkteve të njëjta si në supermarketet e tjera çmimet ishin të njëjta ose disa lekë më pak (një market më shumë, asgjë e re!
Ecomarket
Pas Hippomarket, iu drejtuam Ecomarket në zonën e Myslym Shyrit. Nën logon e ushqimeve të shëndetshme dhe Eco siç ato quhen, çmimet nuk duhet të jenë të lira. Sigurisht, nëse janë produkte të markave “Bio”.
Por në fakt i njëjti produkt, si veza që në markete të tjera mund ta blesh 13 lekë, në Ecomarket kushton 14 lekë. Mund të duket një diferencë e papërfillshme, por veza është një produkt bazik familjar, e përdorshme masivisht në kuzhinat tona.
Më shtrenjtë kushtojnë dhe produkte të tjera si letrat e kuzhinës, orizi, detergjentët larës të enëve (çmimet mund t’i shihni në tabelën e mëposhtme). Na duhet të theksojmë se diferenca në çmime shkon për 1 produkt (letër kuzhine përshembull) në 50 lekë.
E keni pirë kafenë sot?! Ncuq, se na u desh të blinim letër kuzhine tek Ecomarket…
Spar
I fundit, por jo më pak i rëndësishëm, rrjeti i marketeve Spar. Shkuam në një njërën nga pikat e tij, në zonën e ish-parkut të autobusëve. Çmimet nuk ishin më në “ofertë”. Vaji, çmimi i të cilit në supermarketet e tjera ishte pothuajse i njëjtë në shifrën 165 lekë, në Spar ishte 179 lekë. Me çmim më të lartë shiten dhe makaronat “Barrilla”, 99 lekë/ pakoja, të cilat pothuaj në të gjithë marketet e tjera i gjetëm 70-80 lekë/pako.
Tabela e mëposhtme ka të renditur çmimet e shportës ushqimore në këto supermarkete
Marketet me produktet më të lira
Nga përllogaritja e thjeshtë dalim në përfundimin se një amvisë e cila dëshiron të kursejë maksimumin nga kuleta, duhet të blejë vajin Floriol tek Eco market, sheqerin tek Hippomarket, vezët tek Spar dhe makaronat tek Big Market.
Dhe në rast se do të kishte fatin e mirë t’i kishte të gjithë këto markete afër, do t’i duheshin disa orë të mira që të mbyllë pazarin e një dite.
Por njerëzit që e duan matematikën nuk ndalen me një të shikuar të shpejtë të tabelës. Nëse krahasojmë blerjet në secilin market, shikojmë se ka një “ngjashmëri” të çuditshme të vlerës totale.
Ndoshta konsumatori nuk e kupton herën e parë që shkon të blejë në market, por çmimet të cilat për disa produkte janë “të ulëta”, dalin në një vend tjetër… tek disa produkte të tjera të shportës të cilat nuk janë bazike dhe të domosdoshme, por janë pjesë e shportës ushqimore.
Vlerat totale të blerjeve në 4 supermarkete variojnë si më poshtë:
Big Market 2.763 lekë
Hippomarket 2.846 lekë
Ecomarket 2.974 lekë
Spar 2.821 lekë
Është e “çuditshme” që diferenca të jetë kaq e ngjashme midis të 4 supermarketeve. Prandaj nuk duhet të gëzohemi nëse blejmë vezën me 12 lekë, pasi do blejmë gjalpin 240 lekë… dhe aty do kompensohet vlera.
Është një lojë e “bukur”, pasi konsumatori shkon i joshur nga ofertat e shkruara me të mëdha për të shpenzuar më pak, por në fakt paratë dalin nga kuleta dhe e paguan “si frëngu pulën’!…
Nëse krahasojmë vlerën minimale të blerjes në çmim minimal të çdo produkti me vlerën më minimale të blerjes në markete shohim se konsumatori nuk kursen thuajse asgjë. Diferenca është shumë e ulët… vetëm 100 lekë të rinj.
Marketi më i lirë?! Kur ta gjeni, na e thoni dhe neve
Kur menduam të bënim këtë vëzhgim tema kryesore do të ishte “Supermarketi më i lirë në Tiranë”, por pasi shkuam dhe krahasuam çmimet kuptuam se në Tiranë nuk ka ende një supermarket të lirë, nga ato ku dhe një familje me të ardhurat minimale mund të ushqehet mirë.
Atë produkt që njëri supermarket e ka të lirë e kanë të ulur të gjithë, ndërsa produktet e tjera të shportës i kanë të larta me një shpërndarje ekzakte.
Ndoshta është logjika e tregut?! Ndoshta…
Ndoshta dhe ndonjë marrëveshje mes sipërmarrësve për të përfituar në mënyrë të njëanshme, por këtë ne nuk e dimë. Duhet të na sigurojë ndonjë autoritet shtetëror…
Flet prof. dr. Lindita Milo: Nuk ka logjikë ekonomike
Prof.Dr. Lindita Milo(Lati) ish-kryetare e Autoritetit të Konkurrencës, eksperte e çështjeve të konkurrencës e pyetur nga “Shije” sqaroi se: “Duhet të ketë një logjikë ekonomike në funksionimin e rregullave “të lojës” në treg, në mënyrë që një rrjet supermarketesh të ruajë çmime të njëjta në të gjitha pikat e tij, sidomos kur bëhet fjalë për produkte bazike. Megjithëse nuk ka një mekanizëm ligjor që detyron sipërmarrësin të ruajë çmime të njëjta, tregu duhet të funksionojë mbi bazë të politikave ekonomike për të qenë sa më afër konsumatorit. Dhe në rastet kur këto politikat ekonomike nuk funksionojnë, atëherë duhet të pranojmë se nuk ka logjikë ekonomike. Por këto sipërrmarrje nuk kanë si funksion rritjen e konsumit, por thjesht qarkullimin e parave. Flasim për një ekonomi të “errët””.
E bukura vjen gjithmonë në fund…
Në mungesë të një raporti nga autoritetet përkatëse të cilat kanë si detyrë monitorimin e çmimeve në supermarkete dhe pikat e tjera të shitjeve nuk na mbetet gjë tjetër për t’i thënë konsumatorit, veçse të bëjë kujdes dhe të shohë mirë dhe çmimet në etiketë dhe ta kontrollojë sërish kur e kalon në kasë. Kjo pasi në jo pak raste çmimi i vendosur në rafte nuk përputhet me çmimin që konsumatori paguan në fund. E keni parasysh atë situatën kur mbetesh si pemë para shitëses, sepse çmimi nuk është njësoj me të etiketave në rafte?! E dimë që i keni blerë gjithsesi, sepse është turp të sëkëlldisesh për 20-30 lekë…apo jo?! / Shije.al