Një ditë pasi u vlerësua nga FIFA si lojtari më i mirë për 2021-shin, Robert Lewandowski foli në një intervistë për faqen zyrtare të klubit bavarez. Polaku tregoi edhe një herë tjetër për rëndësinë që kishte ky trofe për të.
Si e përjetuat marrjen e trofeut?
Ishte një emocion i madh. Dua të falënderoj të gjithë për mbështetjen dhe urimet që më keni dërguar. Të fitosh dy herë radhazi këtë trofe është diçka fantastike, por pa mbështetjen e shokëve të skuadrës kjo nuk do të kishte qenë e mundur.
Çfarë do të thotë ky trofe për ju?
Më bën krenar. Është shpërblimi i punës së fortë dhe të palodhur që kam zhvilluar në këto vite. Është pasqyra e lojës sime në fushë, golat dhe paraqitjes sime. Ky trofe do të thotë shumë për mua.
Jeni në ndjekje të rekordit tjetër të Gerd Mylerit?
Të gjitha rekordet e Mylerit më ndihmojnë për tu bërë më i mirë, kjo pasi dua që t’u afrohem sa më shumë atyre. Nëse ka një rekord që duhet ta thyej, dua ta arrij me çdo kusht. Rekordi i 365 golave do të jetë shumë i vështirë për t’u thyer. Për momentin as që nuk e mendoj diçka të tillë. E rëndësishme për mua është që të fitojmë trofe të rëndësishëm në fund.
Çfarë jeni akoma në gjendje për të bërë?
Mundohem ta përgatis trupin tim gjithmonë për gjëra të reja. Nëse arrij limite të reja, kjo do të ishte fantastike. Edhe pse jam 33 vjeç, vazhdoj të ndihem mirë dhe i freskët si kurrë më parë.
Do të tentojë Bajerni Champions-in e radhës?
Sigurisht që po, shpresoj që skuadra të jetë e plotë dhe në formë. Jemi në gjendje për të mundur këdo dhe këtë e kemi treguar. Trofetë me Bajernin kanë qenë gjithmonë të rëndësishëm për mua.
Si është pritur çmimi i fundit në Poloni?
Futbolli është sporti më i rëndësishëm në botë. Të jesh më i miri në atë që bën të jep një kënaqësi të madhe. Njerëzit në Poloni kanë vlerësuar gjithmonë punën time, më vjen mirë që shumë të rinj aty duan të bëhen si unë. Korona na tregoi se sa të rëndësishëm janë njerëzit për futbollin, pa tifozët në stadium është e kotë të luash, emocioni nuk ekziston fare. Shpresoj që ata të rikthehen në këtë pjesë të dytë të sezonit.
Sa rol të rëndësishëm kanë luajtur trajnerët në arritjet tuaja?
Nuk ka rëndësi nëse është Guardiola, Hejnkes, Klop apo tani Nagelsman. Kam qenë me fat që jam stërvitur nga trajnerë kaq të zotë dhe nga njerëz të mrekullueshëm. Nga secili prej tyre kam marrë më të mirën. Nëse do të krahasoja futbollin e sotëm me atë të djeshmin, do të thosha se shumë gjëra kanë ndryshuar, ashtu si dhe unë në lojën time.