Nga Boldnews.al
Një vërtetim i pagës së deputetit të “rilindjes” Alfred Peza gjatë kohës që drejtonte televizionin RTV Ora News ka vënë në vështirësi si pronarin e televizionit Ylli Ndroqin, ashtu edhe deputetin.
Miqësia e dikurshme mes Pezës dhe Ndroqit ështe krisur nga një debat që ata kanë patur dy ditë më parë. I vënë nën presionin e hetimit të nisur nga ILDKP dhe prokuroria për pasurinë rreth një milion dollarë, Peza ka kërkuar ndihmën e ish-punëdhënësit të dikurshëm për dokumentet justifikuese.
Sipas burimeve të brendshme në RTV Ora News, mësohet se deputeti i “rilindjes” ka kontaktuar me presidentin e televizionit Ylli Ndroqi duke i kërkuar dokumentet për pagën e tij reale gjatë kohës që drejtonte këtë televizion.
Por duke qenë se paga e deklaruar e Pezës ka qene 80 mije lëkë të reja, Ndroqi ka refuzuar të ndryshojë dokumentat. Mësohet se ai i ka thënë Pezës se paga e tij ka qenë e deklaruar sipas vërtetimit të bërë publik në media dhe se mund të paraqitet në zyrën e financës për të parë librezën e kontributeve.
Por kjo gjë është kundërshtuar nga Peza i cili ka kërkuar mandat pagesat për pagën reale, pasi siç ka deklaruar dhe vetë deputeti, ai është paguar mijëra euro gjatë kohës që drejtonte RTV Ora News.
Ndroqi e ka refuzuar në mënyrë kategorike këtë kërkesë duke i thënë deputetit se paga e tij është ajo që është deklaruar pranë organeve tatimore dhe sigurimeve shoqërore. Pas këtij refuzimi, duket se ka patur një debat me tone të ashpra mes tyre, pasi Alfred Peza është ndjerë i tradhëtuar.
Refuzimi i ish-punëdhënësit të tij për ta ndihmuar e bën edhe më të vështirë situatën e deputetit të “rilindjes”, të cilit tani do t’i duhet të justifikojë 1.13 miliard lekë kursime me pagën 80 mijë lekë.
Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar nisjen hetimore ndaj deputetit Peza për veprat penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe të “Fshehjes ose deklarimi i rremë të pasurisë” , vepra këto që në rast se vërtetohen edhe nga gjykata, deputeti socialist rrezikon një dënim deri në dhjetë vjet burg.
Më herët, Boldnews.al informoi se mëngjesin e së premtes, në ambjentet e organit të akuzës ishte paraqitur presidenti i RTV Ora News, Ylli Ndroqi. Nuk dihet nëse kjo vizitë e Ndroqit ka lidhje me çështjen e Pezës, por pak orë më pas, Prokuroria e Përgjitshme njoftoi nisjen e hetimeve ndaj deputetit socialist.
Deri tani, Alfred Peza dhe Ylli Ndroqi nuk kanë dhënë asnjë sqarim për publikun lidhur me pagën prej 80 mijë lekë të reja, por mesa duket kjo çështje tashmë i takon organit të akuzës.
Për 3 vite Alfred Peza ka punuar tek RTV Ora News, në pronësi të Ylli Ndroqit. Fillimisht e nisi punën si Drejtor Informacionin dhe më pas mbante pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTV Ora News. Gjithashtu, Peza kishte edhe dy emisione politike në javë, “Ora e Debatit” dhe “Ora e Intervistës”. Paga që përflitej për ish gazetarin Alfred Peza, në atë kohë i kalonte mbi 10 mijë euro.