Nga Boldnews.al
Presidenti i RTV Ora News Ylli Ndroqi është parë mëngjesin e ditës së premte në ambjentet e Prokurorisë së Përgjithshme. Ai ka qëndruar për disa minuta, ndërkohë menjëherë pas kësaj vizite prokuroria njoftoi nisjen e hetimeve ndaj deputetit të PS, Alfred Pezës.
Ky i fundit, ish Drejtor i Përgjithshëm në RTV Ora News akuzohet për evazion fiskal, deklarim i rremë i pasurisë si dhe falsifikim dokumentash. Deputeti i PS pritet të merret në pyetje nga dy prokurorë të caktuar me çështjen në ngarkim të tij.
Hetimi për Alfred Pezën nisi pas publikimit të lajmit në lidhje me blerjen e aksioneve në bankën Credins nga bashkëshortja e tij, me vlerë rreth 1,13 miliardë lekë. Ai deklaroi se këto të ardhura i kishte nga kursimet e punës si gazetar edhe tek RTV Ora News. Por, ditët e fundit mediat kanë publikuar një vërtetimi të datës 04.03.2010 të lëshuar nga RTV Ora News, ku ish gazetari Alfred Peza është paguar me 80 mijë lekë për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm.
Nuk dihet arsyeja e vizitës së Ndroqit në zyrat e organit të akuzës, madje nga ana e saj, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka dhënë asnjë informacion duke e bërë më misterioze këtë vizitë. Gjithashtu, Ndroqi ende nuk ka sqaruar të vërtetën e pagës së Pezës, por mesa duket kjo çështje tashmë i takon prokurorisë dhe të dy palët mund të thirren për të dhënë sqarime.
Në këtë situatë duket se për organin e akuzës kanë lindur dyshime se nëse vërtetimi i televizionit RTV Ora News është i falsifikuar apo pagesa e Alfred Pezës ka funksionuar “me dy bordero” duke kryer evazion fiskal. Neni 180 i Kodit Penal deklaron se fshehja apo shmangia nga pagimi e detyrimeve tatimore për vlerë më të lartë se 8 milionë lekë, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet.
Ndërkohë po të premten, në prokurori është paraqitur dhe ish-bashkëshortja e Alfred Pezës, Adelina Toli. Ajo ka pranuar që të bashkëpunojë me institucionet e akuzës me kushtin që ti sigurohet jeta e djalit, pasi ka frikë për sigurinë e tij.
“Jam e gatshme të bashkëpunoj me drejtësinë, frika ime e vetme siguria e djalit që kam me ish-bashkëshortin Alfred Peza.” – mësohet se është shprehur ajo para prokurorëve që po hetojnë dosjen.
Vërtetimi i pagës 80 mijë lekëshe u zbulua tek një padi e ish bashkëshortes së Pezës, Adelina Tolit ndaj ish gazetarit Alfred Peza në vitin 2010. Në padi kërkohej një rivlerësim të pensionit ushqimor për djalin e Alfred Pezës. Por ky i fundit, madje, nuk kishte pranuar në seancën gjyqësore që të paguante një shumë prej 50 mijë lekësh në muaj për djalin e tij, i cili asokohe ishte në klasën e 8-të. Në gjykatë, Peza pretendonte se nuk kishte mundësi financiare pasi nga martesa e dytë kishte edhe dy fëmijë të tjerë të mitur. Ish gazetari ishte dakord që të ndihmonte djalin nga martesa e parë me vetëm 10 mijë lekë në muaj, një shumë kjo tepër e vogël për të përballuar shpenzimet e shkollës dhe kurseve.
Për 3 vite Alfred Peza ka punuar tek RTV Ora News, në pronësi të Ylli Ndroqit. Fillimisht e nisi punën si Drejtor Informacionin dhe më pas mbante pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTV Ora News. Gjithashtu, Peza kishte edhe dy emisione politike në javë, “Ora e Debatit” dhe “Ora e Intervistës”. Paga që përflitej për ish gazetarin Alfred Peza, në atë kohë i kalonte mbi 10 mijë euro.