Donald Trump është zyrtarisht Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, pasi bëri sot betimin, në atë që cilësohet si një transferim historik i pushtetit.
Republikani u betua, në një ceremoni madhështore, para kreut të Gjykatës Supreme të SHBA, John G. Roberts, Jr.
https://www.youtube.com/watch?v=F3LlPJ1wpkE
Në fjalimin e tij historik si presidenti Trump tha se Amerikën përpara e presin sfida të mëdha, por “bashkë do t’ja dalim”, tha ai.
“Po transferojmë pushtetin nga Uashington D.C dhe po jua kthej popullit. Për një kohë të gjatë një grup i vogël ka marrë frytet e qeverisjes dhe populli pasojat”, tha ai.
“Këto do të ndalojnë dhe do të ndalojnë tani. Ne jemi një komb…Ne ndajmë një zemër dhe shtëpi…Betimi që bëj sot është betimi për të gjithë amerikanët”, tha Trump.
Sipas Trump, SHBA për shumë dekada ka shpenzuar miliarda jashtë vendit, ndërsa vendi është shkatërruar.
Por kjo është e kaluara, tha ai, tani do të shikojmë vetëm të ardhmen.
“Këtu kemi vendosur një dekret të ri…, një vizion të ri do të qeverisë tokën tonë nga kjo ditë. Do të jetë vetëm Amerika e para! Amerika e para!”, tha ai.
“Çdo vendim për taksat, emigrimin e çështjet e jashtme do të bëhet që të përfitojnë punonjësit dhe familjet amerikane”, tha ai.
Trump premtoi ndërtim rrugës, shkollash, urash dhe shumë investime në mandatin e tij. Teksa tha se Amerika do të mbrojë kufijtë e saj.
Amerika e bashkuar është e pandalshme, tha Trump, duke u theksuar se amerikanët se nuk duhet të kenë frikë sepse janë të mbrojtur, sidomos nga Zoti.
“Së bashku do ta bëjmë Amerikën më të fortë sërish, më të pasur sërish, më krenare sërish, të sigurtë. Dhe po, së bashku do ta bëjmë sërish Amerikën të lavdishme”, mbylli fjalimin e tij presidenti i ri amerikan Trump.
Ceremonitë dhe aktivitetet e inaugurimit kanë nisur që të enjten dhe kulmuan sot me betimin e Trump.
Trump e nisi ditën me pjesëmarrjen në meshën e organizuar “St John’s Episcopal Church”, pranë Shtëpisë së Bardhë.
Ai dhe gruaja e tij Melania pinë kafen e mëngjesit me Presidentin Barack Obama dhe Zonjën e Parë, Michelle Obama.
Më pas, çiftet presidencial udhëtoi drejt Capitol. Ku në 09:30 me orën lokale, nisi ceremonia e inaugurimit me disa performanca muzikore.
“Inaugurimi Presidencial”, që simbolizon tranzicionin paqësor të pushtetit dhe që shoqërohet me aktivitete të ndryshme para, gjatë dhe pas betimit, u ndoq nga miliona njerëz në mbarë botën.