Nga Boldnews.al
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht 6 zyrtarë të bashkisë së Kurbinit për shkelje në tenderin me vlerë 4.2 miliardë lekë të vjetra për ndërtimin e Ujësjellësit të qytetit, Faza e Parë, duke hedhur dritë mbi mënyrat e dyshimta se si është proceduar gjerësisht me fondet e lëvruara nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellësave dhe Mbetjeve, e drejtuar për një kohë të gjatë nga deputeti i sotëm socialist, Alqi Bllako.
Në Maj 2020, Bllako shoqëronte ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, në inspektimin mbi këtë vepër publike me një kosto të lartë për Buxhetin e Shtetit. Krah tyre ishte edhe kryebashkiakja e Kurbinit, Majlinda Cara, titullare e autoritetit kontraktor që kishte kryer procedurat teknike të tenderit.
Në fjalën e saj, Balluku i vuri më shumë theksin masave të marra nga qeveria në atë kohë për mbrojtjen e punonjësve nga Covid-19, ndërkohë që deklaratat e saj lidhur me projektin ishin pjesë e rutinës propagandistike të ministrave të qeverisë “Rama”.
“Ndodhemi në kushte të vështira për të thënë të drejtën dhe të gjitha projektet jetike po mundohemi t’i çojmë përpara dhe mos krijojmë vonesa…”, u shpreh ndër të tjera Balluku, sipas informacionit të shpërndarë në atë kohë nga zyra e shtypit e Ministrisë së Infrastrukturës.
Nuk kishte asnjë fjalë për mënyrën se si është zhvilluar procedura dhe se si po realizohej shpenzimi “një projekt që arrin shifrën e 500 milionë lekëve”.
Tenderi për ndërtimin e Ujësjellësit të Laçit, Faza e Parë ishte shpallur në mes të Nëntorit 2019 dhe fondi limit ishte 416.6 milionë lekë të reja pa TVSH.
Procedura u shpall nga Bashkia e Kurbinit, ndërkohë që fondet ishin alokuar nga qeveria shqiptare nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve Urbane (AKUM).
Fazat e tenderit vijuan të pandërprera edhe kur, dy javë pas shpalljes së tenderit, Kurbini u vendos në kushtet e emergjencës së lartë, për shkak se lëkundjet sizmike të 26 Nëntorit dëmtuan një numër të konsiderueshëm godinash publike e private.
Në 31 Dhjetor 2019, Bashkia e Kurbinit shpalli fitues të tenderit 4.2 miliardë lekë të vjetra bashkimin e operatorëve “Senka” dhe “2T” shpk.
Në foto: Shpallja e fituesit të tenderit për ndërtimin e Ujësjellësit të Laçit, Faza e Parë
Në garë morën pjesë 5 konkurentë, nga të cilët 3 u skualikuan.
Dy kompanitë fituese nuk ishin aspak të panjohura për komunitetin laçjan, por edhe më gjerë. “Senka” shpk, sipas të dhënave mediatike, kishte fituar më herët një tender për rikonstruksionin e një shkolle në Laç, e cila u shkatërrua plotësisht nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.
Deri më tani, nuk rezulton të jetë kërkuar llogari për institucionin arsimor që u shndërrua në pluhur e hi.
Ndërkohë, kompania “2T”, e cila zotërohet në 50 përqind të kapitalit nga Artan Sako, vëllai i komandatit të Gardës së Republikës, Gramoz Sako, rezulton një prej fituesve më të rregullt të tenderave të mëdhenj të zhvilluar nga institucionet qeveritare.
Sipas të dhënave të “spending.data.al”, kompania “2T” shpk ka arkëtuar vetëm në dy vitet e fundit rreth 24 miliardë lekë të vjetra nga fondet publike, duke u renditur në “klientët” permanent të qeverisë “Rama”.
Pas tenderit të fazës së parë, “Senka” shpk, së bashku me dy operatorë të tjerë, ka fituar pa garë edhe procedurën për ndërtimin e ujësjellësit të Laçit, Faza e Dytë, me fond limit rreth 3.7 miliardë lekë të vjetra, në Gusht 2020.
Kur gjithçka duket se po shkonte fjollë dhe investimi për ujësjellësin e Laçit kishte marrë edhe bekimin e dyshes Balluku-Bllako, një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) zbuloi shkelje të rënda në procedurën për tenderin e fazës së parë.
Në përfundim, KLSH ka vendosur t’i kërkojë prokurorisë hetimin penal për 6 zyrtarë të Bashkisë së Kurbinit, të dyshuar për “shkelje të barazisë në tendera”.
Investimet në ujësjellësat lokale, të kryera nga fondet e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve kanë qenë edhe më herët të dyshuar për procedura të parregullta.
Në disa raportime të mëhershme, “Boldnews.al” ka identikuar dyshime në tenderat për ndërtimin e ujësjellësve në Pukë, në bashkinë e Belshit, e të tjerë.
Pavarësisht problematikave të shumta, ish-drejtori i përgjithshëm i AKUM, Alqi Bllako, u promovua nga kryeministri Edi Rama, i cili, në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, e vendosi në listën e kandidatëve fitues në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit 2021.
Alqi Bllako tashmë ka fituar mandat deputetit nga radhët e maxhorancës, ndërkohë që emri i tij është një ndër më të përfolurit në atë që konsiderohet si “afera e inceneratorëve”.