Anëtari i Komisionit të Rithemelimit në PD, Oerd Bylykbashi ka komentuar për A2 CNN situatën në selinë blu, duke e nisur nga takimi i deputetit Lulzim Basha me ambasadorët.
“Është një takim që ka kërkuar Basha. Ambasadorët i janë përgjigjur. Basha kërkon ta shesë si mbështetje nga fuqitë e mëdha. Është i sëmurë i SHQUPI-t tashmë. Përpiqet të marrë legjitimitet jo nga vota, por nga diplomatë për të mbajtur karrigen e tij. Por ambasadorët e kanë të qartë situatën. Basha ka nevojë për legjitimitet se nuk po e gjen te vota dhe anëtarësia. Është situatë e vështirë për të. Përdor slogane si anti-amerikanizimi, që nuk ngjitin, se po të ishte kështu nuk do shihnim atë që pamë në stadium me gati 10 mijë demokratë, erdhën dhe ndoqën një nga zhvillimet më pluraliste në Shqipëri. Basha do të mbajë me gajret radhët që po i pakësohen vazhdimisht atij”.
Sipas Bylykbashit faktori ndërkombëtar nuk ngatërrohet dhe nuk bëhet palë me procese të brendshme në parti.
“Me vizitë apo pa vizitë kortezhe, kurrë nuk ka shërbyer mbështetja ndërkombëtare për legjitimitet demokratik dhe vetë ndërkombëtarët nuk ngatërrohen apo të bëhen palë në procese të këtij lloji. Basha është pjesë e këtij debati të madh në PD. Do të ishte mirë që të ishte bërë pjesë e diskutimit në Kuvend. Faktori ndërkombëtar e konsideron çështje të brendshme që zgjidhet me demokracinë partiake që është vota e anëtarësisë dhe askush nuk do mbështeste individë që kanë synim të mbajnë në kontroll një parti me 10 mijë anëtarë”.
Bylykbashi e akuzon Bashën se ka dëmtuar Partinë Demokratike me paaftësinë e tij despotizmin dhe lidhjet me Ramën. Ai thekson se kanë një plan të qartë për të shpartalluar qeverisjen e korruptuar të Ramës dhe për ta çuar PD-në drejt fitores.
“Ajo që ne bëjmë është duke u celebruar procesi më demokratik brenda një partie. Kur ne të zhbëjmë këtë despotizëm, askush nuk etiketohet për diçka kur përpiqet të prodhojë një proces demokratik. Kam pasur nderin që në 31 vjetorin e rithemelimit të PD të prezantoj një statut që zhbënte centralizimin që Basha i kishte bërë PD. Me ndryshimet në statut i kemi dhënë më shumë pushtet anëtarësisë dhe duke ia reduktuar kryetarit, Basha nuk i ka më se është shkarkuar por kushdo që do të vijë më pas. Ajo që ne synojmë me një plan të qartë që kjo qeverisje e korruptuar e Ramës po dëmton qeverinë, ta shpartallojmë dhe të përballemi në zgjedhje me një program që na çon drejt fitores. Bashën e kanë parë jo vetëm si të paaftë por edhe të lidhur me Ramën dhe kjo e ka dëmtuar PD. Është vota që gjykon se kush është zgjidhja më e mirë. Ne kemi lidership që na çon në fitore”.
Për deklaratat e Bashës ku e akuzonte Berishën se dje kopjoi skenarin e 21 janarit, Bylykbashi u shpreh se Basha është gati të zvarritet nga një humbje në tjetrën duke ia lënë përgjegjësinë të tjerëve. Ai e thotë s eBasha para se të flasë duhet të mendojë edhe veten e tij në këtë hisori se ka qenë pjesë e ekzekutivit.
“E kujtoj me dylbi Bashën në tarracën e kryeministrisë gjatë operacionit që ishte ai përgjegjës. Basha është gati të zvarritet nga një humbje në tjetrën duke ia lënë përgjegjësinë të tjerëve. Basha ka qenë delfin i z. Berisha, kapërceu akuariumin e Ramës dhe tani në atë të ndërkombëtarëve. Nuk shtyhet jeta kështu se diku do të peshkohesh. Basha na sheh tani dhe etiketon në këtë formë. Kjo betejë kërkon kartë morale. Basha ka qenë për 15 vjet një figurë, pjesë e një ekzekutivi që ka punuar me të në të njëjta kushte. Përpara se të flasë duhet të mendojë veten e tij në këtë histori dhe si e shohin njerëzit. Kjo është propagandë gëbelsiane se nuk ka asnjë shpresë. Le t’ia lëmë këtë të drejtë demokratëve të thjeshtë që të shprehen me votë për largimin e zotit Basha”.