Ish-Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se askush nuk mund të ndalë uraganin për liri dhe dinjitet njerëzor. Në aktivitetin e organizuar në Qytetin Studenti me rastin e Ditës së Rinisë.
Berisha tha se 31 vite më parë, studentët nuk u impresionuan nga asgjë, nuk u trembën as kur xhelati Spiro Koleka, daja i kreut të meduzës, Edi Ramës, ashpërsonte masat, deri te armët.
“Studentët nuk u ndalën, realizuan pluralizmin politik në Shqipëri. Nga vendi më i izoluar i planetit, ne u anëtarësuam në Këshillin e Europës dhe NATO.
Në këto 8 vite, me lidhjet e tmerrshme me krimin, me nostalgjinë e modelit të etërve të tij, Edi Rama, zhbëri në mënyrë kriminale, arritjet e mëdha të shqiptarëve. Në këto 8 vite, demokratët derdhën lumenj djerse, sakrifica të jashtëzakonshme, por mjerisht kaluan nga një humbje në humbjen tjetër, jo për faj të tyre, por për shkak të njeriut që meriton të quhet Lulzim Boshi ose peng Kryetari”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri tha se alternativa e vetme që i ka mbetur shqiptarëve është largimi nga Shqipëria dhe të gjitha këto erdhën pasi PD pushoi së qenuri ajo që ishte.
“Lulzim Basha preu një nga një parimet dhe idealet mbi të cilat ajo qëndronte. Nëse sot themi se Edi Rama më i egër i pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri, Lulzim Basha është tradhëtari më i madh i tyre”, tha Berisha.
Sipas tij, Rama duke marrë peng Bashën, mendoi se do të merrte peng edhe idealet e Dhjetorit, PD dhe të dhjetra e qindra mijëra anëtarëve të saj, por ai dështoi.
“Sot jemi më të vendosur se kurrë për të rithemeluar Partinë e studentëve dhe të të rinjve, partinë e lirisë së shqiptarëve, të votës së lirë. Do çmontojmë narko-shtetin e Edi Ramës dhe pengut të tij, Lulzim Basha. Do rikthejmë votën e lirë, bashkëpunim dhe partner dinjitoz me SHBA dhe vendet e tjera të Aleancës së Atlantikut dhe BE. 11 dhjetori po vjen, është një ditë e madhe e atyre që themeluan PD, e atyre që përmbysën diktaturën, e atyre që në një moment kritik për pluralizmin politik u ngritën si feniksi dhe do të ndërtojnë më 11 dhjetor monumentin madhështor të pluralizmit politik dhe rithemelimin e PD”, tha Berisha.
Ai ftoi delegatët e Kuvendit Kombëtar të marrin pjesë në 11 dhjetor që Kuvendin që do të mbahet në “Air Albania”.