Kreu demokrat, Lulzim Basha, akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po spërdridhet, në të gjitha kuptimet, dhe po përpiqet të justifikojë veprimet e tij, për ndarjen e Shqipërisë si plaçkë për klientët e tij.
Basha tha se Rama po ushtron presion psikologjik ndaj qytetarëve, po gënjen qytetarët, për të bërë të duket se rritja e çmimeve është e pashmangshme.
“Kjo nuk është krizë energjitike, por krizë korrupsioni. Në verë u shit me çmim të ulët energjia e prodhuar nga uji, ndërsa pak muaj më pas blihet me 3 apo 4 herë më lart energjia me tenderat korruptivë. KESH dhe OSHEE janë kuvli patronazhistësh dhe militantësh, që nuk i shërbejnë interesit publik”, tha Basha.
Ai tha se s´ka asnjë lidhje me asaj që ndodh në Europë dhe asaj që paralajmëron Rama se do të ndodhë në Shqipëri.
Basha tha se bazuar çmimeve të bursës, Shqipëria duhej të paguante 29 mln euro për blerjen e energjisë, ndërsa e ka blerë për 39 mln euro, me një diferencë prej 10 mln euro.
“Ku shkojnë këto para, kush i përpin këto para? Përgjigjia që vjen është elementare, këto shkojnë në xhepat e zyrtarëve, të një shteti që konsiderohet më i korruptuari në Ballkan. Ka 8 vjet që Edi Rama e ka zgjedhur me vetëdije rrugën e varfërimit të shqiptarëve dhe pasurimit të një grushti pushtetarësh”, tha Basha.
Ai tha se përpara interesit të shqiptarëve, Edi Rama ka zgjedhur makutërinë dhe babëzinë, luftën dhe po bën një teatër të pështirë.