Sokol Cikalleshi foli sot në Tropikal për dy ndeshjet eliminatore të kuqezinjve. Sulmuesi ndër më në formë të skuadrës së Rejas tha se ndihet mirë dhe është gati të japë maksimumin në fushë.
“Fillimisht doja t’i uroja presidentit Duka ditëlindjen dhe përveç shëndetit shpresoj që të gjithë së bashku të kualifikohemi në Botëror. Ndihem mirë që vazhdoj të kontribuoj për ekipin kombëtar. Jam përpjekur gjithmonë të jap maksimumin tim, shpresoj që edhe në vazhdim , në momentin që trajneri e shikon të arsyeshme dhe unë ta ndihmoj ekipin, uroj që të vazhdoj kështu. Kam patur vazhdimësi dhe formë të mirë, uroj që ta mbaj sa më gjatë”.
Lojtarët e sulmit të kombëtares janë në formë dhe kanë shënuar, a do të reflektohet edhe në kombëtare?
“Duke iu referuar sulmit, kur sulmuesit shënojnë është diçka pozitive por nuk duhet fokusuar vetëm te sulmi. Skuadra duhet të funksionojë si një ekip i tërë, një grup I tërë. Të gjithë lojtarët po marrin minuta dhe kjo është më e rëndësishme. Uroj që të vazhdojmë në grup siç kemi bërë në kohët e fundit, kemi bërë ndeshje të mira, kemi arritur rezultate. Jam dy ndeshje tani që janë shumë të rëndësishme sepse na tregon nëse do të qëndrojmë brenda objektivit deri në fund apo mund të mendojmë diçka tjetër. Jemi përpara ndeshjeve dhe jemi të fokusuar në arritjen e dy rezultateve pozitive që mund të na dërgojë në Botëror”.
Me Çekiçin keni patur bashkëpunim të mirë te Konyaspor, a do të donit ta bënit edhe në Kombëtare?
“Te Konyaspor kemi partneritet shumë të mirë me Çekiçin, ka bërë mirë dhe ka bërë gola. Është lojtar cilësor që do t’i shërbejë shumë kombëtares, jemi një grup prej 23 lojtarësh dhe një trajner me eksperiencë që i shikon me detajet ato që na duhen në lojë. Jam i sigurt që çekiçi, unë apo çdokush do të japë maksimumin në fushë.”
Ndaj Hungarisë vlen vetëm fitorja, mungesa e tifozëve duket në anën tonë. Sa besoni se do të arrihet objektivi?
“Në transfertë nuk është e thënë të shkosh vetëm për 3 pikë, është futboll, të gjitha rezultatet janë të mundshme. Duke parë formën e lojtarëve tanë, më vjen mirë që kemi arritur në këtë pike që shkojmë në Hungari për ta fituar ndeshjen dhe të fokusuar. Jemi të bindur që të arrijmë atë çka duam. Ta shikojmë në fushën e blertë pasi edhe të flasim përpara, jam tip që mundohem të flas në fushë. Si unë edhe ekipi duan ta tregojnë në fushë”.
Tifozët presin shumë nga Cikalleshi, a do të dëshironit një gol më shumë ndaj Hungarisë apo Polonisë?
“Duke patur një ndeshje pas dy ditësh, do të doja një gol kundër Hungarisë sepse me fitoren e Hungarisë dhe me ndihmën e tifozëve në “Air Albania” do ta mposhtnim Lewandoskin dhe ekipin e tyre”, përfundoi sulmuesi kuqezi.